Vizita e Von Cramon në Speciale, a ishte ndërhyrje në këtë gjykatë? Flet Haziri, thotë se më e dobishme do ishte sikur kjo të lobonte për liberalizim

Politika

Vizita e Von Cramon në Speciale, a ishte ndërhyrje në këtë gjykatë? Flet Haziri, thotë se më e dobishme do ishte sikur kjo të lobonte për liberalizim

Nga: N. H Më: 20 korrik 2020 Në ora: 23:08
Viola Von Cramon

Viola Von Cramon shkoi në Hagë dhe takoi disa udhëheqës të Gjykatës Speciale.

Mirëpo, ky veprim i raportueses për Kosovë në Parlamentin e Evropës, zgjoi kritika të ashpra në Kosovë, për ndërhyrje në drejtësi.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një bisedë për “Bota sot”, ka thënë se reagimet ndaj Viola Viola von Cramon janë të arsyeshme, pasi sipas tij, Viola von Cramon, është raportuese për Kosovën në parlamentin evropian e jo mbikëqyrëse e Gjykatës Speciale.

“Mendoj se reagimi i subjekteve politike lidhur me vizitën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Viola von Cramon, në Hagë, gjegjësisht Gjykatës Speciale dhe deklaratës së saj se kjo Gjykatë po bënë punë të mrekullueshme, është një reagim i arsyeshëm dhe unë ndaj të njëjtin mendim, pasi europarlamentarja Viola von Cramon, është raportuese për Kosovën në parlamentin evropian e jo mbikëqyrëse e Gjykatës Speciale”, ka thënë Haziri.

Haziri e sheh vizitën Viola Viola von Cramon në Hagë si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në këtë gjykatë, gjë që thotë se nuk duhet t’i takonte asaj e asnjë zyrtari tjetër.

“Vizita e saj dhe deklarimi i më passhëm mbi punën e Gjykatës Speciale, është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në këtë gjykatë gjë që nuk duhet t’i takonte asaj e asnjë zyrtari evropian që kanë përgjegjësi politike, pasi ky do të ishte një thyerje e standardit, ku drejtësia duhet të jetë e pavarur dhe e pandikuar nga politika”, tha ai.

Krejt në fund, Haziri nënvizon se do ishte në dobi të Kosovës, sikur raportuesja për Kosovën të lobonte për liberalizim të vizave, se sa të merret më punët e Speciales.

“Ajo do të ishte shumë më e dobishme që ta vazhdonte lobimin e saj në parlamentin evropian sa i përket liberalizimin e vizave për Kosovën dhe ndihmesën e saj në forcimin dhe avancimin e demokracisë në Kosovë, se sa të merret me punën dhe funksionimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë krejt në fund analisti politik, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat