Kritikohet Qeveria: Nuk bisedohet pa Platformë me ish-shefin e informimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq

Politika

Kritikohet Qeveria: Nuk bisedohet pa Platformë me ish-shefin e informimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 korrik 2020 Në ora: 11:16
Qeveria e Kosovës

Të enjten do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në tentim të arritjes së një marrëveshjeje finale. Aty vendin do të përfaqësojë koordinatori për dialogun, Skënder Hyseni i cili pritet të draftojë një marrëveshje finale.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë ditës së hënë ka shprehur që do të ketë njohje reciproke në takimin e radhes dhe për këtë është i bindur.

Ndërsa të martën ka përfunduar takimi mes liderëve në të cilin nuk mori pjesë LVV as PDK.

Pas përfundimit të takimit anëtari i kryesisë së Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi para gazetarëve tha se Kosova nuk duhet të rrëshqas në dialog teknik, derisa nuk konfirmoi nëse shefi i ekzekutivit iu ka paraqitur koordinatorin për dialog në këtë takim.

Mehazi: Deklarata e Hotit, se, gjatë diteve në vijim do ketë njohje reciprore është jo serioze

Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që nuk është aq e lehtë të zgjidhet kjo çështje pasi kemi të bëjmë me një poltikë deskruptive qeverisëse serbe që nuk mund ta njohë Kosovën pa ndonjë përfitim.

Image
Sulejman Mehazi

“Problemet shqiptare-serbe nuk janë aq të lehta, janë qindvjeçare e nuk mund të zgjidhen aq lehtë siç deklaroi Hoti gjatë ditës së sotme, se, gjatë takimeve të radhës do ketë njohje reciprore. Kryeministri i Kosovës aq e bënë të lehtë dialogun me Serbinë sikur me qenë para qeverisë së tij e me lehtësi zgjidh problemet e vogla shtetërore në Kosovë. Hoti duhet ta di se ka të bëjë me politikën deskruptive qeverisëse serbe, se jo që nuk do njihet Kosova aq lehtë nga Serbia, se pa mos përfituar diçka, territor, apo ndonjë republikë të vogël serbe në Kosovë nuk do lëshojë pe Vuçiqi. Problemet Kosovë-Serbi mund ta zgjidhin vetëm SHBA-ja e BE-ja e kurrsesi Hoti i edukuar para Vuçiqit”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi thotë që këtë optimizëm të Hotit për njohje të shpejtë të Serbisë me Kosovën nuk e patën as të dërguarit evropian dhe amerikan dhe se është shumë problem që të zgjidhet aq lehtë ky problem qindvjeçarë.

“Deklarata e Hotit, se, gjatë diteve në vijim do ketë njohje reciprore është jo serioze, paushalle, bile s'është as teknike e ku politike. Këtë optimizëm të Hotit për njohje të shpejtë të Serbise me Kosovën nuk e shprehin as të dërguarit evropian Lajçek e Borell, as përfaqësuesi amerikan Grenell, as Vuçiqit nuk është shprehur se problemi me Kosovën do zgjidhet shpejt, shkele e shko. Problemi me Serbinë është një nyje e rëndë politike qindvjeçarë që nuk mund të zgjidhet aq lehtë sikurse që thotë kryeministri i Kosovës Hoti”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

Elezaj: Të deklarosh, se regjimi i Serbisë në krye me Vuçiqin, nënshkruan marrëveshjen finale, është më shumë se sa budallallëk

Image
Rexhep Elezaj

Analisti politik, Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky qëndrim i Hotit është skandaloze dhe se menjëhere patë reagim nga Gjuriq i cili u shpreh që nuk do ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.

“Thënë të vërtetën, kjo deklaratë e kryeministrit Avdullah Hoti, nëse nuk është keq interpretuar, pra nëse ai ka thënë, se “në takimin e radhës do ketë njohje reciproke midis Serbisë dhe Kosovës”, përveç se është një deklaratë shumë naive e thënë nga një kryetar qeverie, ajo është madje edhe skandaloze në përmbajtjen e saj. Ngase, ky është një qëndrim krejtësisht i paqëndrueshëm i z. A. Hoti, kur dihet se Beogradi zyrtar në krye me racistin, A. Vuçiq, në çdo deklaratë pas takimeve me palën e Kosovës në Bruksel dhe gjetiu, e kanë mohuar kategorikisht mundësinë, se Serbia do ta njeh pavarësinë e Kosovës! Prandaj, lidhur me deklaratën e thënë në rasën “dëshirore” nga z. Hoti, menjëherë erdhi reagimi publik nga ai çetniku, Marko Gjuriq, i ngarkuar për Kosovën në qeverinë e Serbisë, i cili tha, se “Serbia asnjëherë nuk do pranojë të flas për pavarësinë e Kosovës”, që në fakt ishte demantim i menjëhershëm i deklaratës së kryeministrit Hoti, me qëllim që opinioni serb të dezinformohet me deklarata të tilla”, u shpreh Elezaj.

Më tej, Elezaj thotë që me bindje të plotë, se pas rrëzimit me puç politik të qeverisë “Kurti”, nga ana e LDK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, situata politike në Kosovë, për fat të keq, e ka marrë të poshtmen me vrull dhe për këtë arsyje ka rrezik që vendi ynë të hynë në kolaps politik.

“Përndryshe, po shihet e qartë puna, se z. Avdullah Hoti, qysh se e ka marrë postin e kryeministrit të qeverisë së Kosovës, dihet si dhuratë nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, nuk është personi i duhur në vendin e duhur, sepse të jesh në postin kryesor të një shteti, siç është ai i zotit të shtëpisë, pra kryeministër, dhe të shkosh në bisedime me palën serbe, pas një ndërprerje dyvjeçare, pa ekip ekspertësh dhe pa politikanë të rryer, pa Platformë për bisedime dhe vetëm me dy anëtarë kurtoaz të delegacionit, për ta takuar dhe biseduar me ish shefin e informimit të kasapit të Ballkanit, S. Millosheviçit, pra me Aleksandar Vuçiçin, me aq lehtësi dhe komoditet, vërtetë, o duhesh të jesh trim “budallë”, o totalisht analfabet politik..!? E them me bindje të plotë, se pas rrëzimit me puç politik të qeverisë “Kurti”, nga ana e LDK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, situata politike në Kosovë, për fat të keq, e ka marrë të poshtmen me vrull, dhe po qese nuk shkohet pa humbur kohë në zgjedhje të parakohshme, ka rrezik që vendi ynë të hynë në kolaps politik me pasoja të rënda për të ardhmen e popullit shqiptar, i cili e ka paguar shumë shtrenjtë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Elezaj.

Në fund Elezaj thotë që mes dy shtetëve mund të arrihet ndonjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve tona me Serbinë “fqinjësore”, por kurrë jo edhe marrëveshje e cila do përfshinë njohjen reciproke.

“Të besosh dhe deklarosh, se regjimi i Serbisë në krye me çetnikun fashist, A. Vuçiçin, do ta nënshkruan marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, në të cilën do përfshihet njohja e pavarësisë së Kosovës, është më shumë se sa budallallëk dhe injorancë politike, e që z. A. Hoti, nuk është i vetmi politikan shqiptar i cili duket se ka një memorie kaq të dobët politike dhe intelektuale, që mos ta ketë mësuar historinë tragjike të marrëdhënieve shqiptaro-serbe ndër shekuj. Ai do duhej ta dinte si profesor universiteti dhe doktor i shkencave që i thotë vetes, se armiqtë tanë verior shkije, kurrë nuk do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, përveç nëse Bashkimi Evropian dhe miqtë tanë amerikanë do iu bëjnë presion të fortë për ta detyruar Beogradin që ta pranon pavarësinë e Kosovës. Përndryshe, edhe mund të arrihet ndonjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve tona me Serbinë “fqinjësore”, por kurrë jo edhe marrëveshje e cila do përfshinë njohjen reciproke, siç po e përdorin mbrapshtë këtë folje qe disa vite politikanët tanë, ngase Serbia nuk ka asnjë nevojë për njohje të pavarësisë së saj nga qeveria e Kosovës...”O, tempos, o mores” ...do thoshin latinët”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Njohja reciproke është një frazë politike që brenda vetës nuk ka asgjë të vërtetë

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti thotë që nuk ka asgjë të vërtetë që mund të ketë njohje reciproke pasiqë me shtetin serb ka shumë çështje të hapura të cilat kërkojnë kohë dhe strategji.

“Deklaratat e tilla jemi mësuar t’i dëgjojmë në vazhdimësi nga krerët e lartë shtetëror, që nga fillimi i bisedimeve kinse “teknike” e të cilat u tjetërsuan në bisedime politike dhe për çështje të brendshme të shtetit Kosovës. Njohja reciproke është një frazë politike që brenda vetës nuk ka asgjë të vërtet, pasi që bisedimet nuk janë në stadin për të cilën spekulojnë krerët shtetëror. Me shtetin serb ka shumë çështje të hapura të cilat kërkojnë kohë, por mbi të gjitha ne si shtet duhet të kemi një strategji për dialog, e cila brenda vetës do kishte objektiva të qarta dhe qëllimin final”, u shpreh Ahmeti.

Tutje Ahmeti, thotë që këto deklarata për njohje reciproke po ndikojn negativisht për qytetarët e Kosovës pasi sipas Ahmetit pa strategji për dialog dhe një ekip uniteti e profesionistësh, Kosova si shtet nuk mund të përfaqësohet me nder e përgjegjësi.

“Me këto deklarata për njohje reciproke po dezinformohen qytetarët e Kosovës duke u munduar që të shpërqendrojnë qytetaret nga problemet reale dhe njëkohësisht të ikin nga përgjegjësia institucionale që kanë. Gjykoj se pa strategji për dialog dhe një ekip uniteti e profesionistësh, Kosova si shtet nuk mund të përfaqësohet me nder e përgjegjësi , pasi Serbia vepron më logjikën e kërkesave të mëdha për të fituar pak, e të cilat kërkesa dëmtojnë substancën e parimeve të shtetit modern”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat