Emërimi i Skënder Hysenit si koordinator, vjen ‘goditja’: Krejtësisht i panevojshëm, kjo është arsyeja pse LDK zgjodhi atë

Politika

Emërimi i Skënder Hysenit si koordinator, vjen ‘goditja’: Krejtësisht i panevojshëm, kjo është arsyeja pse LDK zgjodhi atë

Nga: G.B Më: 22 korrik 2020 Në ora: 17:38
Avdullah Hoti dhe Skender Hyseni

Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës është emëruar Koordinator i Qeverisë për dialogun me Serbinë.

Kjo ka bërë që të ketë reagime të shumta pro dhe kundër.

Lidhur me emërimin e tij, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se emërimi i një koordinatori të tillë nuk parashihet në asnjë dokument juridik dhe është shpikur nga LDK dhe Avdullah Hoti.

“Emërimi i z. Skënder Hyseni koordinator i Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë nga ana e kryeministrit Avdullah Hoti, me të drejtë ditëve të fundit ka shkaktuar në opinion debate dhe polemika të shumta, sepse, së pari një “post” i tillë politik nuk është i paraparë me asnjë dokument juridik të Administratës shtetërore të Kosovës, për më tepër, jo koordinatori për dialog, ngase një emërim i tillë në asnjë mënyrë nuk mund ta zëvendësojë kryeministrin në tryezën e bisedimeve me Serbinë, por as të negociojë në mungesë të tij. Pra, ky emërim është “shpikur” nga LDK-ja dhe Avdullah Hoti, dhe është krejtësisht i panevojshëm, i kushtueshëm, vetëm sa do ta komplikon punën e ekipit negociues, i cili duhet të formohet sa më para dhe atë në përbërje nga përfaqësuesit e partive parlamentare, shoqërisë civile, Akademisë së shkencave si dhe nga ekspertë të shquar nga UP-së, e jo e gjithë puna e ekipit negociator të koncentrohet vetëm në dy-tre persona”, është shprehur ai.

Sipas tij, Hyseni është emëruar nga Hoti koordinator mbi baza partiake, pasi në pozitat që ka pasur deri tani nuk shquhet për ndonjë sukses të madh.

Image
Rexhep Elezaj

“Sipas mendimit tim, kryeministri A. Hoti emërimin e S. Hysenit koordinator për dialog me Serbinë do ta ketë bërë kryekëput mbi baza partiake si kolegë dhe mik të tij shumëvjeçar, e jo për shkak të interesave të Kosovës, ngase z. Skënder Hyseni, qëkur ai merret me politikë dhe deri me sot, pra si politikan i radhëve të para në LDK, së pari si përkthyes i presidentit Ibrahim Rugova, e më vonë edhe si Ministër për punë të brendshme dhe të jashtme, thënë të vërtetën, nuk është shquar për asnjë sukses të madh që ia vlen të përmendet, as në planin e brendshëm dhe as në planin e politikës së jashtme të Kosovës! Përkundrazi, si ministër për punë të brendshme, i pëlqeu apo jo, S. Hyseni mbi supet e tij bartë përgjegjësinë e madhe politike, morale dhe kombëtare, sepse ky bashkë me H. Thaçin dhe Isa Mustafën, është nënshkrues i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar me 26 gusht 2015 në Vjenë të Austrisë, me të cilën marrëveshje këta “burra” të Kosovës ia kanë falur mbi 8200 hektarë toka të trevës së Rugovës fqinjit tonë verior, pra Malit të Zi, regjimi i të cilit para dy ditësh i dëboi me dhunë disa familje shqiptare nga tokat e tyre stërgjyshore që gjenden tek Kulla e Zhlebit. Ndërsa, në vitet kur ishte ministër për punë të jashtme, S. Hyseni ka qenë krejt i pa suksesshëm në planin lobimit diplomatik në arenën ndërkombëtare për rritjen e njohjeve për pavarësinë e Kosovës. Pa harruar këtu kaosin që me neglizhencën e tij e ka shkaktuar në përfaqësitë tona diplomatike në botën e jashtme, duke punësuar bashkë-partiak, miq e akraba, dhe kështu me radhë”, ka vlerësuar Elezaj.

Sa i përket kontributit që mund të jap Skender Hyseni në dialog, ai ka shtuar se roli i tij do të jetë simbolik dhe pa ndonjë peshë, derisa thotë se emërimi i tij është që LDK të marrë udhëheqjen e dialogut.

“Sa i përket pyetjes se çfarë mund t’i kontribuojë S. Hyseni si koordinator dialogut me Serbinë, si dhe sa mund t’i përfaqësojë ai interesat e Kosovës në tryezën e bisedimeve, mendoj se roli i tij do jetë simbolik dhe i pa ndonjë peshë, kur dihet fakti se ai nuk të sillet jashtë kornizës dhe Platformës për bisedime me Serbinë, e cila ende nuk është përgatitur, kështu që emërimi i tij në këtë rol, del të jetë vendim i LDK-së, me qëllim të marrjes së primatit udhëheqës dhe “historik” të saj në bisedimet me Serbinë, siç e kanë thënë publikisht disa herë deri më tash zyrtarët e saj, se “pa LDK-në nuk mund të ketë marrëveshje finale me Serbinë..”!?”, ka theksuar ai.

Sipas Elezajt, Qeveria nuk ka pasur fare nevojë ta emërojë një koordinator e aq më pak Skender Hysenin.

“Nisur nga këto që u thanë më lartë, e them edhe njëherë, se Qeveria jonë nuk ka pasur fare nevojë ta ketë edhe një koordinator në dialogun me Serbinë pranë ekipit negociues, për më tepër, jo z. S. Hysenin, kur dihet mirëfilli fakti, se si shtet dhe si shoqëri ne kemi figura me renome ndërkombëtare me përvojë më të madhe diplomatike se sa S. H., kuptohet po qese ky emërim na paskësh qenë i domosdoshëm”, ka deklaruar Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat