“Lajmi që e solli nga Haga”, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në alarm nga Gjykata Speciale

Politika

“Lajmi që e solli nga Haga”, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli në alarm nga Gjykata Speciale

Nga: BS Më: 22 korrik 2020 Në ora: 19:13
Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi

Më 22 dhjetor të vitit 2017, kur Kosova qeverisej nga koalicioni PAN ishte tentuar të shfuqizohet Gjykata Speciale. 

Nisma e atëhershme kishte nxitur reagime të ashpra nga ndërkombëtarët, ku SHBA e konsideronte thikë pas shpine tentimin për shfuqizimin e Speciales.

“Më duhet të them që jam shumë i dëshpëruar për këtë çështje që erdhi papritur, pa ndonjë debat publik dhe që është shumë e rëndësishme për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës. Unë e konsideroj turpëruese. Në rast se ky propozim kalon do të ketë implikime shumë negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës dhe do të konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si thikë pas shpinës. Ideja për ta ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale mund ta izolojë Kosovën globalisht. Ide e tmerrshme. Mos e ktheni orën mbrapa. Nuk i kemi bërë gjithë ato përpjekje për suksesin e Kosovës, që tani ta shohim duke e shkatërruar të ardhmen e saj, duke shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale”, kishte deklaruar ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie.

Tani kur kanë kaluar  3 vite nga nata e 22 dhjetorit, për muajin gusht është paralajmëruar përsëri një tentim për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, ani pse ajo ka propozuar aktakuzë ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Është kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka bërë të ditur se do të kërkojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale. 

“Në gusht bëhen 5 vjet të Gjykatës Speciale, dhe pritet t’i vazhdohet mandati. Ne do të kërkojmë prapë se qysh mund të arrihet deri te ndalesa e Gjykatës Speciale apo të shfuqizimit. Do të bisedojmë edhe me juristë, kemi edhe një kompani angleze që na ndihmon. Do të ulemi dhe të bisedojmë me grupet parlamentare. Nënshkrime nuk do të bëjmë më për arsye se do të diskutojmë me deputetët”, ka thënë Gucati.

E lidhur më këtë nismë të re, për “Bota Sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Sipas tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë në panikë nga Gjykata Speciale, pasi në aktakuzën e propozuar akuzohet edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë.

Image
Gani Qarri

 

“Edhe më 23 dhjetor të vitit 2017, nxitur po nga Thaçi me shokë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës provoi, por dështoi, për të dytën herë, që ta siguronte kuorumin e mjaftueshëm për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Ndaj ç ‘është e vërteta Thaçi dhe Veseli, jo sot, por ka kohë që kanë rënë në panik të thellë, madje ata janë penduar tepër rëndë, sidomos për votimin e Gjykatës Speciale, me iniciativën e vet Hashim Thaçit në Kuvend. Për aq më tepër edhe Gjykata Speciale vetëm pak ditë më parë, njoftoi publikisht se u detyrua, ta bënte në mënyrë të parakohshme shpalljen e aktakuzave ndaj Thaçit dhe Veselit, pikërisht për shkak se ata, serish janë përpjekur, për të satën herë, që ta pengojnë dhe sabotojnë në mënyrë të përsëritur punën e Dhomave të Specializuara dhe kanë ndërmarrë fushata në fshehtësi për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën në përpjekje për t’i ikur drejtësisë”, thotë Qarri për “Bota Sot”.

Më tej, ai thotë së aktakuza e propozuar nga Gjykata Speciale ka nxitur edhe më shumë iniciatorët për ta shfuqizuar këtë gjykatë.

“Madje siç na kujtohet të gjithëve, hiq më shumë se para tre vitesh, në muzgun e një mbrëmje të pa rëndomtë, Thaçi, Veseli & CO ( 22 dhjetor 2017), mblodhën me turr dhjetëra nënshkrime të deputetëve dhe tentuan me çdo kusht që brenda territ të orëve të vona të asaj nate të pazakontë, ta masakronin siç dinë vetëm ata, vendimin e mëparshëm për formimin e Gjykatës Speciale dhe shfuqizonin tërësisht këtë Gjykatë me një procedurë të përshpejtuar, para zbardhjes së ditës së nesërme, por për shkak të mospjesëmarrjes së LDK-së, LVV-së dhe AKR-së, mungoi kuorumi i mjaftueshëm për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend. Ndaj me bërjen publike nga Prokuroria Speciale të ngritjes së aktakuzës me dhjetë pika, kundër Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga Gjykata, ku ndër të tjera ata akuzohen edhe për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje, tortura etj, paniku në mesin e tyre, shihet hapur se u rritë dukshëm edhe më tepër”, shton analsiti Qarri. 

Sipas Qarrit, nëse arrihet shfuqizimi i Speciales, atëherë kjo do të bie ndesh më qëndrimet e SHBA-së dhe vendeve të Quint-it.

“Aktakuza e sapo shpallur vije si rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon se Zyra e Prokurorit tё Specializuar, përfundimisht ka vendosur, që ti shkojë kësaj çështje deri në fund, ndaj dhe OVL e UÇK-s, tanimë ka paralajmëruar një nisme të nxitur nga komandantët, e dyta me radhë, dhe serish për shfuqizimin e Speciales, gjë që megjithëse nuk ishte e papritur, nëse njëmendë jetësohet, do të bie fort ndesh me qëndrimet e SHBA-s dhe shteteve tjera mike në Evropë si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, apo edhe Franca, që tanimë është drejtpërsëdrejti e involvuar edhe në dialogun Kosovë-Serbi, të cilat që të gjitha, ishin dhe janë decidivisht kundër nismave të tilla, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Edhe më 2017, sidomos ambasadori amerikanë z.Greg Delawie dhe ai britanikë Ruari O`Conell, por edhe ata të Quint-it, patën reaguar në mënyrën më të ashpër kundër nismës për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale, ndaj  tendenca e të ashtuquajturave OVL, pas marrjes katër ditore në pyetje të Hashim Thaçit në Hagë, vije pikërisht, për shkak se vet Thaçi mund ta ketë sjellë lajmin, që aktakuzat e rënda të dërguara qysh me 24 prill për shqyrtim në Gjykatë, së shpejti mund edhe të miratohen dhe të nisë edhe gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, me çka ka alarmuar veteranët e UÇK-së, që të ndërmarrin veprimin e paralajmëruar”. 

“Shto kësaj faktin se shumica e veteranëve, as që janë prekur nga kjo padi, e ndoshta nuk do preken as në të ardhmen, nga aktakuzat e tjera që pritet të shpallen, e gjitha kjo dëshmon edhe një herë më tepër, se ata janë të shtyrë nga komandantet, të cilët qëndrojnë prapa krejt kësaj nisme, si Thaçi dhe Veseli me shokë, ngase që të dy, janë të akuzuar drejtpërsëdrejti nga Gjykata Speciale për vrasjen e kundërshtarëve politikë dhe bashkë me 8 të tjerë, mbahen përgjegjës për rreth 100 vrasje të paligjshme”, shprehet Qarri për “Bota Sot”. 

Për fund, ai thotë se Kosova rrezikon që t’i japë edhe një ‘thikë’ pas shpine SHBA-së dhe vendeve mike.

“Por nëse përveç paralajmërimeve teorike, vërtetë edhe praktikisht vije deri te një nismë e tillë, kjo do të ishte edhe një kthim prapa, dhe një thikë e rëndë pas shpine, sidomos për SHBA-të dhe vendet mike evropiane, që tentohet të bëhet vetëm pse Hashim Thaçi, Kadri Veseli & CO, vërtetë janë në panik të thellë nga Gjykata Speciale, sepse krimet e paraqitura në aktakuzë, janë aq të rënda, sa që përfshijnë qindra viktima të identifikuara, për të cilat ata, në një formë apo tjetër, tanimë e kanë parë se ka ardhur koha që gjithsesi të sqarohen dhe nëse janë fajtor edhe duhet të japin personalisht përgjegjësi”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat