Aspak befasi, PDK-ja në Qeveri?

Politika

Aspak befasi, PDK-ja në Qeveri?

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 korrik 2020 Në ora: 08:21
Kadri Veseli

Zërat në vazhdimësi po shtohen, duke u parashikuar se Qeverisë së Kosovës mund t’i shtohet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Krejt kjo po ndodhë pasi partia e Kadri Veselit, si parti e dytë opozitare, ndryshe nga partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, nuk e kishte kundërshtuar formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por, subjekti i dytë opozitar ditë më parë e kishte përkrahur edhe miratimin në parim të Projektligjit për plotësim-ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore, çfarë ngriti edhe më shumë dyshime se një kostelacion i ri politik po i përgatitet vendit.

Përkundër gjithë këtyre, nga PDK-ja as kush nuk e ka pranuar, ani pse mediet raportojnë se kjo parti ka gjasa të bëhet pjesë e kësaj qeverie.

Njohësit e kësaj fushe, konsiderojnë se futja e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK) në këtë Qeverinë e rrugëve anësore të Kosovës, nuk do të ishte aspak befasi, dhe kjo ngase, sipas tyre, një bashkëpunim mes këtyre subjekteve është prezentë mjaftë gjatë.

Mirëpo, ka prej tyre që e thonë se futja apo jo e këtij subjekti politik në qeveri do të varet edhe nga zhvillimet në Hagë, nëse ftohet, apo jo Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, konkretisht nëse konfirmohen aktakuzat e Gjykatës Speciale.

Maloku: PDK pjesë e Qeverisë Hoti, nuk do të ishte befasi! Zgjedhjet e reja zgjidhja e vetme

Image
Albinot Maloku

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, politologu, Albinot Maloku, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëse do të bëhej pjesë e Qeverisë Hoti, kjo gjë nuk do të ishte aspak befasuese, pasi sipas tij, një bashkëpunim i tillë, ka ekzistuar prej vitesh.

“Futja e Partisë Demokratike të Kosovë në këtë Qeverinë e rrugëve anësore të Kosovës, nuk do të ishte aspak befasi dhe kjo nga se një bashkëpunim mes tyre është prezent mjaft gjatë. Kreu i PDK-së Kadri Veseli në vazhdimësi ka thënë se do të qëndrojnë në opozitë, bile ka rekomanduar edhe zgjedhje të reja”, ka thënë politologu Maloku.

Me tej, ai deklaron se qëndrimet e kreut të PDK-së janë goditur mjaftë nga ish-kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, për çka konsideron se ky i fundit edhe i’a ka vështirësuar pozicionin e të parit të kësaj partie.

“Qëndrimet e Veselit janë goditur mjaftë nga ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi dhe kjo gjë i’a ka vështirësuar pavarësinë e lidershipit në mënyrë që kreu aktual i Partisë Demokratike të Kosovë të mund të ruaj pozicionin e tij. Në anën tjetër Qeveria me numrat që i ka në Kuvendin e Kosovës nuk po e ka fuqinë për asgjë”, tha ai.

Sipas politologut, zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, janë zgjidhja e vetme për vendin.

“Ajo çka do të ishte më e mira për vendin, janë zgjedhjet e parakohshme dhe një Qeveri e re e dal nga një proces zgjedhor e jo si ka ndodhi pas votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, politologu Albinot Maloku.

“Zgjidhja, një qeveri gjithëpërfshirëse me Lëvizjen Vetëvendosje pjesë e koalicionit”

Image
Albina Hyseni

E, politologia, Albina Hyseni, nuk e sheh të nevojshme futjen e Partisë Demokratike të Kosovës në Qeverinë Hoti.

Ajo për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se sfidat më të cilat është duke u ballafaquar vendi janë jashtëzakonisht të komplikuara, dhe sipas saj, Kosova nuk ka nevojë për një kostelacion të tillë politik.

“Duke marr parasysh sfidat në të cilat është duke kaluar vendi dhe të cilat janë jashtëzakonisht të komplikuara në çdo aspekt jo të mirë pasi që edhe pandemia po e bën të vetën mendoj që jo nuk është e nevojshme”, ka thënë politologia, Albina Hyseni.

Hyseni ka shtuar se për momentin vendi ka nevojë vetëm për një qeveri gjithëpërfshirëse, ku do të bënte pjesë edhe Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, çka, sipas saj, do të ishte një mundësi ideale për zgjidhjen e problemeve, më të cilën po ballafaqohen qytetarët e vendit.

“Sikur të ishte një qeveri e përkohshme, ku edhe Lëvizja Vetëvendosja do të ishte deri në zgjedhjet e ardhshme pas pandemisë, atëherë, po, pra kjo do të ishte një mundësi të cilat do t’i kishte zgjidhur problemet e grumbulluara një qeverisje gjithëpërfshirëse”, ka shtuar politologjia, Albina Hyseni, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: Futja e PDK-së në Qeverinë Hoti, do të varët se çfarë do të ndodhë me Gjykatën Speciale!

Image
Faton Mehmeti

Kurse, në lidhje më këta zëra, për gazetën “Bota sot”, ka folur edhe analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend.

Analisti politik, Faton Mehmeti, konsideron se futja e partisë së Kadri Veselit në Qeverinë Hoti, do të varet krejt nga ajo se çfarë do të ndodhë me Gjykatën Speciale.

Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se në rast se konfirmohen aktakuzat për Thaçin e Veselin, ka shumë gjasa që PDK të bëhet pjesë e qeverisë aktuale.

“Futja apo jo e Partisë Demokratike të Kosovës në qeveri varet nga zhvillimet në Hagë, nëse ftohet apo jo Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, konkretisht nëse ju konfirmohen aktakuzat. Në rast se ndodhë një gjë e tillë ka shumë gjasa që PDK të futet në qeveri, kur dihet se ajo do të futet edhe në proces të zgjedhjes së kryetarit në vend të Kadri Veselit, dhe nga ky proces do të ketë edhe të pakënaqur, të cilët mund të ngushëllohen me a marrje të pozitave në qeveri”, ka thënë ai.

Analisti politik thekson po ashtu se partia e Veselit nuk është shumë e interesuar për t’u bërë pjesë e këtij koalicioni, mirëpo që gjithçka do të varet lidhur më atë se si do të veprojë Specialja gjatë ditëve në vijim.

“Nuk pres që javën tjetër PDK të futet në qeveri, mbase pas 2 apo 3 javësh, varësisht se çfarë prodhohet nga Gjykata Speciale. Nuk është interes i PDK-së të futet në një qeveri të cilën e cilëson të dështuar, por nëse Kadri Veselit i konfirmohet aktakuza, atëherë gjasat janë të mëdha që PDK të futet në qeveri, ndryshe nuk besoj. Të presim dhe shohim çfarë do të prodhohet nga Gjykata Speciale”, ka thënë krejt në fund, analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat