Dialogu i Brukselit, Kosova nuk guxon të futet në lojën e Serbisë

Politika

Dialogu i Brukselit, Kosova nuk guxon të futet në lojën e Serbisë

Elona Bajgora Nga Elona Bajgora Më 23 korrik 2020 Në ora: 18:05
Takimi mes Hotit dhe Vuçiqit me ndërmjetësimin e Borrellit në Bruksel

Pas 20 muajsh, dialogu Kosovë – Serbi ka rifilluar më 16 korrik në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurse, pas këtij takimi, Brukseli paralajmëroi se dialogu në nivelin teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të rinisë të mërkurën, më 22 korrik.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka reaguar përmes një shkrimi duke thënë se nuk ka dialog teknik, por vetëm dialog për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Maloku: Qeveria aktuale është duke e thelluar krizën e çështjes së dialogut

Për këtë temë, “Bota Sot”, ka biseduar me politologun, Albinot Maloku.

Image
Albinot Maloku

Maloku, ka thënë se ka shumë sfida, dhe se dialogu nuk do të duhej të ishte tema thelbësore e Qeverisë aktuale, ku ka akuzuar Qeverinë se nuk ka kompetenca për tu merr me dialogun me Serbinë.

Gjithashtu, ka shtuar se dialogu i zhvilluar ditë më parë në Bruksel, ishte kthim prapa.

“Kosova gjendet para shumë sfidave dhe dialogu nuk do të duhej të ishte tema thelbësore e Qeverisë aktuale. E njëjta nuk ka asnjë kapacitet për tu marr me dialogun me Serbinë. Dialogu i zhvilluar ditë më parë mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë në Bruksel ishte kthim prapa”, ka thënë Maloku.

Politologu, ka thënë se pozicioni i Kosovës e ka tejkaluar dialogun teknik, dhe se Qeveria aktuale është duke e thelluar krizën e çështjes së dialogut edhe me emërimet e koordinatorëve për dialog.

“Pozicioni i Kosovës e ka tejkaluar dialogun teknik. Qeveria aktuale është duke e thelluar krizën e çështjes së dialogut edhe me këto emërimet e të ashtu quajturit koordinator për dialog. Pasojat po janë të rënda kur po bëhen veprime të gabuar. Dialogu i Kosovës me Serbinë nuk ka nevojë për regres e me u besa me mbush ditën e punës Qeveria e rrugëve anësore që e ka Kosova tani”, ka përfunduar Albinot Maloku.

Mehmeti: Me Serbinë çdo gjë është politike

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti, Faton Mehmeti, deklaratën e kryeministrit e ka aprovuar, duke thënë se me Serbinë çdo gjë është politike.

Mehmeti, ka shtuar se Qeveria duke përfshirë edhe Isa Mustafën, thonin se diskutohet për çështje teknike, por këtë e ka quajtur të pavërtetë Mehmeti,

“Kjo deklaratë është e vërtetë pasi me Serbinë çdo gjë është politike, dhe si e tillë kjo nuk mund të fshihet. Ata që deri dje, duke përfshi edhe Isa Mustafën që thonin se po diskutojmë për çështje teknike, kjo nuk është e vërtetë. Me Serbinë të gjitha janë politike, dhe në këtë sens gjërat duhet thuhen dhe pranohen”, ka thënë Mehmeti,

Për fund, Mehmeti ka thënë se Kosova nuk guxon të futet në lojën e Serbisë.

“Kosova duhet të ketë platformën e saj që me Serbinë të bisedohet për njohje,të tjerat janë të kota. Besoj se Kosova nuk guxon të futet në lojën e Serbisë, por të synoj arritjen qëllimit të saj për të fituar njohjen”, ka shtuar analisti për “Bota Sot”.

Vata: Çdo ditë që shtyhet kjo marrëveshje është më shumë pasiguri për çdo qytetarë të rajonit

Image
Ilir Vata

Ilir Vata, ka thënë se jo vetëm kryeministri Hoti, por edhe krerët e partive politike të Kosovës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë për proces final të marrëveshjes.

Vata për “Bota Sot”, ka thënë se në thelb duhet patur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jo vetëm, Kryeministri i Kosovë, por dhe krerë të partive politike apo drejtues institucionesh të Kosovës dhe partnerët tanë BE dhe SHBA janë për një proces final të marrëveshjes, duke patur në thelb njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Vata.

Analisti, tutje ka shtuar se duhet përfunduar mosmarrëveshjet me Serbinë sepse kjo i hap rrugë Serbisë drejt integrimit evropian, qytetarëve serb, por dhe Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Pra, kryeministri Hoti është në të njëjtë linjë si dhe partnerët ndërkombëtarë, në të njëjtin hap që duhet të ndiqet nga të gjithë rajoni, pasi ka ardhur koha që mosmarrëveshjen me Serbinë dhe Kosovën të shuhen sepse kjo në radhë të parë i hap rrugë Serbisë drejt integrimit evropian, qytetarëve serb, por dhe Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë analisti.

Analisti Vata, ka thënë se nuk ka integrim në BE pa u çliruar nga makthi i së shkuarës.

Ilir Vata, është prononcuar se çdo ditë që shtyhet kjo marrëveshje është më shumë pasiguri për çdo qytetarë të rajonit, është kthim pas është një luftë e dytë e heshtur që nuk vret njerëz, por vret lirinë e lëvizjes, vret mirëqenia, vret integrimin, vret të ardhme e qytetarëve,

“Nuk ka integrim në BE pa u çliruar nga makthi i së shkuarës, nga pengesa, barriera, muret dhe mërit që regjimet ndër shekuj kanë akumuluar ligësi, konflikte dhe gjakderdhje në rajon, pra ka ardhur koha që liderit e rajonit, kryesish ato serb dhe kosovarë të ngrihen mbi vetë për interesa të qytetarëve të tyre për ti bërë ata evropian siç e meritojnë.Nuk mundet më askush të kalojë cakun e pritur, finalizimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, sepse çdo ditë që shtyhet kjo marrëveshje është më shumë pasiguri për çdo qytetarë të rajonit, është kthim pas është një luftë e dytë e heshtur që nuk vret njerëz, por vret lirinë e lëvizjes, vret mirëqenia, vret integrimin, vret të ardhme e qytetarëve, prandaj dhe marrëveshja duhet finalizuar me njohje reciproke dhe për këtë janë të bindura palët, qofshin serbë, kosovarët apo shqiptarë, ashtu siç edhe janë të bindur garantët e marrëveshjes SHBA/BE dhe Hoti është një garanci e tillë”, është prononcuar Vata.

Kuçi: Serbia nuk ka nevojë për njohjen tonë

Image
Gurakuç Kuçi

Kurse, Gurakuç Kuçi, ka thënë se deklarata e kryeministrit Hoti paraqet tri pika të cilat në vetvete janë gjysmë të vërteta dhe kanë për qëllim mbulimin edhe të qindra çështjeve tjera.

Ai ka thënë se dialog teknik nuk ka pasur kurrë, dhe se vetëm dialogu politik krijon kornizën për rregullimet teknike ndërmjet grupeve të ekspertëve.

“Deklarata e Hotit se nuk ka dialog teknik, por vetëm dialog për marrëveshje finale, njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, paraqet tri pika të cilat në vetvete janë gjysmë të vërteta dhe kanë për qëllim mbulimin edhe të qindra çështjeve tjera. Dialog teknik nuk ka pasur kurrë dhe përpjekjet që janë bërë më herët që në fillim kanë qenë dështime sepse vetëm dialogu politik krijon kornizën për rregullimet teknike ndërmjet grupeve të ekspertëve”, është deklaruar Kuçi.

Kurse, njohjen reciproke analisti e quan të pakuptimtë, sepse siç thotë ai Serbia nuk ka nevojë për njohjen tonë.

Analisti, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve dhe marrëveshja finale është një proces i cili përfshin rregullimin e problemeve që mundësojnë një traktat të paqes., ku ky traktatit do të përfshinte edhe reperacione materiale, sociale dhe shpirtërore.

“Fjalia për njohje reciproke është komplet e pakuptimtë sepse Serbia nuk ka nevojë për njohjen tonë. Normalizimi i marrëdhënieve dhe marrëveshja finale është një proces i cili përfshin rregullimin e problemeve që mundësojnë një traktat të paqes. Ky traktatit do të përfshinte edhe reperacione materiale, sociale dhe shpirtërore”, ka vazhduar Kuçi.

Ai thotë se tendenca e Hotit për një marrëveshje me Serbinë është qëllim që të kaluarën ta mbulojë vetëm me gjetjen e të zhdukurve.

Në fund, Kuçi ka akuzuar se i gjithë ky dëm po i mundësohet Kosovës vetëm që uzurpokracia të shtrëngoi radhët e veta në pushtet

“Përderisa tendenca e tanishme e Hotit për një marrëveshje me Serbinë shpreh qëllimin që të kaluarën ta mbuloj vetëm me gjetjen e të zhdukurve ku nuk hyn asnjë lloj reperacioni dhe të ndodhë amnistia e heshtur për çdo gjë tjetër ndaj Serbisë. Kështu ta bëjë normalizimin për të ardhmen me Serbinë vetëm duke marrë një njohje e cila nuk tejkalon njohjen që ka Kina ndaj Tajvanit. I gjithë ky dëm po i mundësohet Kosovës vetëm që uzurpokracia të shtrëngoi radhët e veta në pushtet dhe për të ruajtur pushtetin ofrojnë çdo gjë që vetëm sa e shkatërron shtetësinë e Kosovës. Në këtë çështje nuk hyn vetëm Hoti, por gjitha partitë në pushtet së bashku me gjysmën e opozitës”, ka përfunduar Kuçi.

Kujtojmë, se që nga viti 2011 kanë filluar bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat