Koordinatori i ‘padobishëm’

Politika

Koordinatori i ‘padobishëm’

Erjona Retkoceri Nga Erjona Retkoceri Më 24 korrik 2020 Në ora: 18:14
I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe dy negociatorët, Skender Hyseni nga Kosova dhe Marko Gjuriq nga Serbia.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka emëruar, Skender Hysenin, Koordinator Shtetëror për Dialogun me Serbinë. Këtë vendim e ka marrë vet kryeministri Avdullah Hoti.

Koordinatori për dialogun, pritet të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit, i cili u formua në fillim të korrikut.

Pas 20 muajsh të ndërprerjes së dialogut, më 16 korrik ky proces rifilloi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Por këtë emërim nga opozita e shohin si “grabitje të postit”.

Uka: Skender Hyseni duhet të shpallet “simbol” i kësaj qeverie

Image
Fitim Uka

Deputeti i LVV, Fitim Uka, për “Bota sot” ka thënë, se Skender Hyseni, duhet të shpallet “simbol” i kësaj qeverie.

Ai gjithashtu ka thënë se, Hyseni është një figurë politike që nuk ka guxuar të garojë fare në zgjedhjet e kaluara, dhe në zgjedhjet e parafundit nuk ka marrë as 3 mijë vota, ndërsa shton se sot përfaqëson Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Skender Hyseni, duhet të shpallet simbol i kësaj qeverie. Pikërisht, ashtu siç qeveria aktuale nuk përfaqëson vullnetin e popullit dhe grabit pushtetin, ky Skenderi grabit poste të pamerituara dhe aq të rëndësishme për te ardhmen e vendit. Një figurë politike që nuk ka guxuar të garojë fare në zgjedhjet e kaluara, dhe në zgjedhjet e parafundit nuk ka marrë as 3 mijë vota, sot përfaqëson interesat e shtetit. Kjo është e tmerrshme”, është shprehur Uka.

Tutje, ai ka shtuar se kjo është edhe dëshmi që kjo qeveri nuk ka plane as projekt për bisedime.

“Edhe një tjetër dëshmi, që kjo qeveri as nuk ka plan e as projekt për bisedime. Bisedimet, po shfrytëzohen si trampoline për t’u ri ngritur figura të harruara politike, që edhe ashtu nuk kanë as edhe një vlerë politike e intelektuale”, ka thënë Uka për “Bota sot”.

Mehmeti: Një njeri i dështuar nuk i duhet Kosovës në këtë proces

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se emërimi i Skender Hysenit nuk është i dobishëm për procesin delikat që ka Kosova me Serbinë.

“Emërimi i, Skender Hysenit, nuk është i dobishëm për procesin delikat që Kosova ka në raport me bisedimet me Serbinë. Në fakt Skënder Hyseni është përgjegjës për shumë dëme, në mesin e tyre edhe dhënien e tokës Malit të Zi”, ka thënë Mehmeti.

Tutje Mehmeti, Skender Hyenin e quan njeri të dështuar dhe se emërimi i tij është bërë për të shuar divergjencat mes kryeministrit dhe presidentit.

Mehmeti, ka thënë se nuk mendon se Kosova përfiton ndonjë gjë nga Hyseni.

“Një njeri i dështuar nuk i duhet Kosovës në këtë proces shumë të rëndësishëm, mendoj se emërimi i Hysenit është bërë për të shuar divergjencat mes kryeministrit dhe presidentit pas përplasjeve të fundit, kur dihet se Skender Hyseni është njeri i afërt i Thaçit. Megjithatë nuk besoj se Kosova përfiton diçka nga Skender Hyseni, përveç vazhdimit të shërbimit të tij ndaj Thaçit, në orientimin e tij që të bëj kompromise me Serbinë”, tha analisti politik Faton Mehmeti.

Kuçi: Emërimi i Skender Hysenit ka ardhur si rrjedhojë e një takimi që është mbajtur ndërmjet Hashim Thaçit, Sami Lushtakut, Agim Veliut dhe Skender Hysenit

Image
Gurakuç Kuçi

Rreth kësaj teme ka folur edhe analisti politik Gurakuç Kuçi, i cili ka thënë se emërimi i Skender Hysenit ka ardhur si rrjedhojë e një takimi që është mbajtur ndërmjet, Hashim Thaçit, Sami Lushtakut, Agim Veliut dhe Skender Hysenit.

Tutje, ai ka thënë se emërimi i Hysenit si koordinator ka ikje nga përgjegjësia e kryeministrit Hoti dhe tregon paaftësi për menaxhimin e negociatave.

“Emërimi i, Skender Hysenit, ka ardhur si rrjedhojë e një takimi që është mbajtur ndërmjet Hashim Thaçit, Sami Lushtakut, Agim Veliut dhe Skender Hysenit, të martën (21.07.2020) në një lokal në afërsi të stadiumit Fadil Vokrri. Në këtë takim është folur për dialogun dhe Gjykatën Speciale. Andaj emërimi i Skender Hysenit si koordinator dhe ikja nga përgjegjësia e kryeministrit Hoti së pari tregon paaftësinë e këtij të fundit në menaxhimin e negociatave përballë Vuçiçit dhe e dyta të jetë një person i cili e ka për detyrë vetëm dialogun dhe dhënien e përgjegjësisë para Thaçit”, ka thënë Kuçi për "Bota sot".

Kuçi, ka shtuar se SHBA-ja interesin shtetëror nuk e zëvendëson për asnjë marrëveshje.

“BE-ja kundrejt SHBA-së mund të ofroj edhe kompromise të niveleve personale përderisa SHBA-ja interesin shtetëror nuk e zëvendëson për asnjë marrëveshje andaj edhe kjo dinamikë dhe ky emërim është tendencë që të shfrytëzohet koha kur SHBA-ja është në fushatë elektorale dhe po përballet me pandeminë e gjithashtu është e hidhëruar me refuzimin e Hotit që të shkonte në Uashington pas publikimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale”, ka thënë Kuçi për “Bota sot”

Ai ka përfunduar duke thënë se veprimet e vazhdueshme të politikanëve në Kosovë shprehin qëndrime dhe interesa personale në dëm të shtetit.

“Këto ashtu si edhe veprimet e vazhdueshme të politikanëve në Kosovë shprehin qëndrime dhe interesa personale në dëm të shtetit. Klasa e vjetër në pushtet ka sforcuar radhët e veta dhe për ta ruajtur uzurpokracinë është e gatshme për çdo marrëveshje”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë, se para shpalljes së Pavarësisë, Hyseni ka shërbyer si zëdhënës i Grupit te Unitetit, gjatë bisedimeve teknike në Vjenë, ndërsa më vonë ka mbajtur edhe postin e ministrit të punëve të brendshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat