“Me çdo kusht e kërkon Ramush Haradinaj”, ky është posti që mund ta rrëzojë qeverinë Hoti

Politika

“Me çdo kusht e kërkon Ramush Haradinaj”, ky është posti që mund ta rrëzojë qeverinë Hoti

Nga: P.R Më: 24 korrik 2020 Në ora: 20:12
Avdullah Hoti dhe Ramush Haradinaj

Partneri i kryeministrit Avudllah Hoti në koalicionin qeverisës, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar prishjen e këtij koalicioni.

Haradinaj ka kritikuar mospërfilljen dhe shmangien që Hoti i bëri ministrit të Drejtësisë Selim Selimi në takimin e Brukselit me presidentin serb Aleksandër Vuciç.

“Nëse vazhdon kështu kryeministri Hoti, unë nuk e mbështes në qeveri. Ja kam thënë zyrtarisht. I kam dërguar edhe shkresë ku i kemi bërë vërejtjet. Nuk ka pasur arsye me marrë shefen e kabinetit të tij përballë takimit me Aleksandër Vuciçit ku kishte përvojën e parë dhe duke lënë jashtë takimit Selim Selimin”, deklaroi ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

E lidhur me këto zhvillime në Kosovë, gazeta “Bota Sot” ka folur me profesori ndërkombëtar, njëherit edhe njohës i zhvillimeve politike në vend, Enver Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, koalicioni i qeverisjes së sotme në Kosovë është thuajse më i brishti nga të gjitha qeverisjet e mëparshme.

Image
Enver Bytyçi

 

“Koalicioni i qeverisjes së sotme në Kosovë është thuajse më i brishti nga të gjitha qeverisjet e mëparshme. Kjo sepse aleanca është e ndërtuar si e tillë, me brishtësi. Ky koalicion kushtëzohet nga Lista Srpska, në kuptimin se pa deputetët e pakicave qeveria Hoti mbetet si peshku pa ujë. Lista Srpska bëri presion në forma të ndryshme dhe provokoi qeverinë, kur zv. Kryeministri urdhëroi masa të veçanta në Veri të Kosovës në kuadër të mbrojtjes nga Covid-19. Ishte një testim ai, me qëllim që të shihet sa reziston kjo qeverisje”, thotë ai për “Bota Sot”.

Më tej, Bytyçi ka shtuar se presioni ndaj qeverisë është rritur nga dy partnerët e saj, Nisma Socialdemokrate, dhe sidomos nga AAK e Ramush Haradinajt.

“Haradinaj në një farë mënyre ka shpallë kandidaturën e tij për president të Republikës, sepse është e ditur tashmë që presidenti aktual i ka ditët të numëruara. Nëse nuk jep dorëheqjen gjykata speciale do ta shpejtojë vendimin e saj për ta marrë nën akuzë zyrtarisht. Sepse bota demokratike, përfshirë dhe gjykatën, nuk durojnë që një i akuzuar tashmë të sfidojë drejtësinë, duke u mbrojtur me peliçen e kreut të shtetit! Unë e shoh presionin ndaj qeverisë si presion që partia më e madhe e koalicionit qeverisës të pajtohet me dëshirën dhe kërkesën e zotit Haradinaj për ta votuar për president të vendit. Por është e pasigurt që Lista Srpska ta votojë Haradinajn në atë post. Kështu që koalicioni i qeverisjes, edhe sikur LDK ta votonte, nuk ka asnjë shans ta zgjedhë presidentin e ardhshëm. Vetëvendosja dhe PDK nuk ka gjasa të votojnë për zotin Haradinaj si president, sepse Vetëvendosja zor që ia fal goditjet që kreu i AAK-së ia dha qeverisë së saj dhe PDK nuk ia fal atij sulmet me të drejtë që për së paku dy vite radhazi ia ka bërë presidentit në detyrë, Hashim Thaçit”, thekson profesor Bytyçi.

Sipas tij, sa më shumë heziton LDK për t’i dhënë Haradinajt postin e presidentit, aq më shumë rritet presioni i kreut të AAK-së ndaj qeverisë Hoti.

“Dhe sa më shumë rritet presioni i Haradinajt aq më shumë ia tundin atij lëkurën e PDK-së, duke tentuar që ajo të bëhet pjesë e qeverisë dhe qeverisjes. Nëse PDK vjen në qeveri, kjo ndodh jo aq për të sfumuar diversionin e Listës Srpska, sa për të lehtësuar qeverinë nga presioni i Haradinajt. Besoj se asnjë parti politike në Kosovë nuk është e interesuar që zoti Haradinaj të bëhet president i Republikës. Nuk besoj gjithashtu që presioni i tij ndaj qeverisë Hoti do të bëjë punë. Presidentin e ardhshëm mund ta zgjedhin LDK, PDK dhe Lista Srpska. Këto tri parti bashkë me Pacollin janë gati të votojnë edhe djallin si kryetar shteti, mjafton të ruhet trashëgimia e shkuar në politikën e Kosovës. Ruajtja e trashëgimisë politike të së shkuarës do të thotë ose realizim i interesave serbe në Kosovë gjatë procesit e në përfundim të dialogut, ose statukuo. Në mos e para, Serbisë i intereson edhe kjo e dyta”.

“Ndërkaq një pjesë e madhe e deputetëve të dy partive shqiptare që përmenda më lart realizojnë projektin e tyre të sundimit në Kosovë dhe mbrojtjes së interesave politike, materiale e financiare. Pra realizohet statukuoja politike, jo vetëm ajo në raport me Serbinë. Statukuoja politike dhe ruajtja e privilegjeve të fituara me grabitjen e pasurisë së qytetarëve të Kosovës është e lidhur edhe me statukuonë e marrëdhënieve me fqinjët, madje kushtëzohet në një farë mënyre nga kjo. Ramush Haradinaj nuk është garant i kësaj statukuoje, edhe pse është pjesë e klasës politike të dështuar tashmë në qeverisje”, shprehet Bytyçi për “Bota Sot”.

Për fund, Ai thotë se nëse në qeverisje vjen PDK, Haradinaj largohet nga qeveria dhe koalicioni me LDK-në.

“Nëse jo, ai do të vazhdojë deri në fund presionin e tij mbi këtë qeveri. Një qeverisje PDK-LDK-Lista Srpska do të sjellë një president nga PDK-ja, me qëllim që të ruhet trashëgimia e Thaçit në presidencë. Ndaj Haradinaj largohet. Por a do të jenë dakord deputetët e LDK-së që t’i japin postin e presidentit PDK-së, me të cilën thuhej se nuk bëhet koalicion gjatë fushatës elektorale?! Kjo mbetet për t’u parë. Ndërkaq edhe një lloj ripajtimi midis Hotit dhe Thaçit unë e shoh si shprehje e vullnetit të kryeministrit për t’iu përgjigjur intrigave të radhës të presidentit. Por shoh gjithashtu mundësinë e pashmangshme që qeveria Hoti të mos mund të mbijetojë në kushte të tilla të presioneve të gjithanshme. Sepse mos harrojmë kemi edhe krizën e Covid-19 dhe për pasojë krizën ekonomike e financiare që shkakton pandemia. Kritika e zotit Hardinaj për bisedimet me Vuçiç janë thjesht mjet presioni, por që mbështetet në të vërtetë të hidhur. Kryeministri më shumë bashkëpunon sa i përket bisedimeve me Serbinë me Hashim Thaçin, sesa me partnerët shqiptarë të koalicionit!”, përfundon për “Bota Sot” profesor, Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat