Përplasjet e fuqishme mes Hotit e Osmanit. “Dështoi ta përçaj LDK-në”, kjo është “detyra” e re e kryeparlamentares ndaj partisë së Mustafës

Politika

Përplasjet e fuqishme mes Hotit e Osmanit. “Dështoi ta përçaj LDK-në”, kjo është “detyra” e re e kryeparlamentares ndaj partisë së Mustafës

Nga: N. H Më: 24 korrik 2020 Në ora: 22:47
Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani

Nuk kanë të ndalur përplasjet mes kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një gjë e tillë ka vazhduar edhe në seancën e sotme, ku kryeministri Hoti ka raportuar për takimin në Bruksel.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë kohës sa mori fjalën në foltoren e Kuvendit e ndërpreu fjalimin duke i thënë kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, të mos e quaj “e shkretë”.

Duket se kryeministri i Kosovës ka thënë diçka ku thuhej shprehja “E shkreta”. Kjo për shkak se vet Hoti nuk e mohoi, por tha se nuk e kishte me Osmanin.

“Zoti kryeministër, mos më quaj mua e shkreta. Mos lësho fjalë të tilla se është e padinjitetshme”, është shprehur Osmani.

“Nuk e kisha me juve”, i ka thënë Hoti kryeparlamentares po aty.

Ndërkohë që pas fjalimit të Osmanit, Hoti doli në foltore dhe tha se “Për keqkuptimin tonë në foltore, ta dini se unë e them hapur çfarëdo qoftë pa e thënë në asnjë formë tjetër”, ka thënë Hoti.

Njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se Osmani po i përmbush me përpikëri agjendën e përcaktuar nga Vetëvendosje

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me përplasjet e fundit mes kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, me kryeministrin Avdullah Hoti, dhe deputetët tjerë të LDK-së.

Haziri konsideron se ka degraduar gjithçka sa i përket gjuhës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Ka degraduar debat parlamentar në përgjithësi dhe kjo është shumë e dëmshme jo vetëm për parlamentarizmin në Kosovë, por në përgjithësi prodhon një polarizim të skajshëm të skenës politike të Kosovës, në këtë periudhë kur do të duhej që të kishim një konsensus politik dhe mirëkuptim në mes partive politike për këtë fazë nëpër të cilën po kalon vendi”, ka thënë Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Ai për përplasjet e fundit në Kuvend, deklaron se ish-nënkryetarja e LDK-së po i përmbush me përpikëri agjendën e përcaktuar nga Vetëvendosje, krejt kjo, pasi që sipas Hazirit, i dështoi që të përçaj LDK-në.

Kurse, është i mendimit se detyra e re e Osmanit, është që kjo e fundit t’i provokojë LDK-në dhe deputetët e kësaj partie, për të provokuar tensione tjera.

Image
Nexhat Haziri

“Ndërsa, sa i përket përplasjeve në mes kryekuvendares Vjosa Osmani dhe kryeministrit Hoti, por edhe më deputetët e të tjerë nga LDK-ja, nuk është diçka e papritur për mua, pasi kryetarja e Kuvendit znj. Osmani po i përmbush me përpikëri agjendën e përcaktuar nga Vetëvendosje, që pasi dështoi që të përçaj LDK-në, tashmë ajo e ka për detyrë që të provokojë LDK-në dhe deputetët e kësaj partie, për të provokuar tensione, por edhe reagime të pakontrolluara nga ndonjë deputet i LDK-së, në mënyrë që ajo ta paraqes vetën si viktime pas çdo veprimi të saj, pas çdo deklarate që bënë ajo në kuvendin e Kosovës që ka pikësynim goditjen e LDK-së, është zbatim i skenarit që i vije nga selia e VV-së, dhe mbrojtja që ia siguron Rexhep Selimi, gjoja nga ndonjë veprim jopralamentar që mund të ndodhë nga ana e deputetëve të LDK-së”, deklaron Haziri.

Në fund ai thekson se Osmani tashmë edhe është shndërruar në një megafon të kreut të Vetëvendosjes.

“Në të kundërtën pse znj. Osmani do të vazhdonte të ishte kryetare e Kuvendit pas prishjes së koalicionit LVV-LDK. Me një fjalë ajo është shndërruar në një megafon të ndryshkur të liderit supreme të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”, tha Haziri, për gazetën “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat