Këto janë fjalët e pista në Kuvend, kërkohet të dënohen me ligj

Politika

Këto janë fjalët e pista në Kuvend, kërkohet të dënohen me ligj

Hava Orana Xhukolli   Nga Hava Orana Xhukolli Më 25 korrik 2020 Në ora: 18:55
Kuvendi i Kosovës

Shpeshherë në Kuvendin e Kosovës përveç kritikave, kërcënimeve, sharjeve e ofendimeve, jemi përballur edhe më një gjuhë banale të deputetëve.

Një gjuhë banale e kishte përdorur edhe vetë Kryetari i Kuvendit, aso kohe Kadri Veseli, duke iu drejtuar me fjalë banale deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut.

“Ma honksh”, ishin fjalët banale që Veseli ia kishte thënë deputetes së Vetëvendosjes.

Por një fjalor edhe më të rëndë, Veseli e kishte përdor gjatë një tjetër seance, kur ishte përplasur me deputeten e Vetëvendosjes, Drita Millaku.

“A e përdorë me gojë shumë a?”, ishin fjalët e ish kryekuvendarit drejtuar deputetes Millaku.

Një fjalor poashtu banal ka përdorur edhe ish deputeti Milaim Zeka, i cili njihet për gjuhën e tij banale si në Kuvend, debate televizive e intervista.

“Nëse unë e kam kthye kryet nga Beogradi ju e keni kthy b….nga Beogradi”, kishte thënë Zeka.

Së fundi, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj kishte përdorur fjalë banale ndaj kryetares së Kuvendit që vjen nga e njëjta parti, Vjosa Osmani.

‘Ule gishtin se ta fus në b***’, ishin fjalët banale të deputetit Ukaj drejtuar kryekuvendares Osmani. Këto fjalë i ka interpretuar në një intervistë televizive, Faton Peci – shef i kabinetit të kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Një gjuhë e tillë ka bërë disa herë që gratë të dalin në mbrojtje të deputeteve, duke qenë se më së shumti ato kanë qenë ‘viktima’ të këtij banaliteti. Megjithatë, duket se askush më tepër nuk është marrë më këtë çështje.

Çfarë thotë Neni 41 për deputetët që flasin gjuhë banale në Kuvend

Image
Ariana Musliu Shoshi

Për fjalët banale në Kuvend ka folur edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi. Sipas saj, thotë se ajo ka kërkuar që të ndërrohet qasja politike në Kuvend, sa i përket kësaj çështje.

“Për mua si deputete është e rëndësishme që gjuha parlamentare të jetë në funksion të qytetarëve dhe jo të përplasjeve të ulëta partiake dhe personale. Si deputete e re, kam kërkuar që të ndërrojmë qasjen politike në kuvend. Ne duhet të përpiqemi që t’i përmirësojmë gjërat në të mirë të qytetarëve”, vlerëson ajo.

Deputetja Musliu Shoshi përmend edhe dënimet që mund të marrin deputetët që përdorin një fjalor të tillë.

“Kurse deputetët që përdorin fjalor banal në Kuvendin e Kosovës, Rregullorja e Kuvendit i ka paraparë masat ndaj deputetëve (Neni 41-Mbarëvajtja e punimeve të Kuvendit), prej kërkesës për tërheqjen e vërejtjes, tërheqjen e fjalëve jo-parlamentare, e deri te ndërprerja e menjëhershme e fjalës, largimi nga mbledhja e Kuvendit ose nga mbledhja e komisioneve të asaj dite”, vlerëson ajo.

Por se a duhet të dënohet kjo gjuhë dhe a ka ndonjë ligj të tillë që e dënon këtë, flasin njohësit e çështjeve juridike dhe politike.

Smaka: Do të duhej që aktet e atilla të trajtoheshin veçanërisht

Image
Riza Smaka

Kështu, profesori dhe një njohësi i çështjeve juridike, Riza Smaka në një prononcim për “Bota sot”, thotë se në Kuvendin e Republikës së Kosovës jo rrallë herë, deputetë e deputete të caktuara shprehen banalisht kundër njëri tjetrit e tjetrës si dhe titullarëve të funksioneve publike dhe për të qenë ironia sarkastike edhe më e spikatur, asgjë askujt!

“Cili do qytetar e cila do qytetare kur e fyen tjetrin apo tjetrën, varësisht nga rrethanat vendore e kohore , përmbajtja e shprehjes si dhe qëllimi (dolus, culpa) kren kundravajtje eventualisht akt penal të sanksionuar juridikisht. Deputeti dhe deputetja apriori konsiderohen më të përgjegjshëm sa për kah mandati aq edhe për kah funksioni publik i besuar shtuar edhe vendi, zakonisht në Kuvend dhe në organe të Kuvendit”, vlerëson Smaka.

Profesor Smaka thotë tutje se do të duhej me Ligjin për Kundravajtjet dhe me Ligjin Penal që aktet e tilla të inkriminoheshin dhe sanksionoheshin posaçërisht.

“Poashtu me Rregulloren e Punës së Kuvendit do të duhej që aktet e atilla të trajtoheshin veçanërisht, të inkriminoheshin e sanksionoheshin moralisht, funksionalisht e politikisht si dhe të njëjtat të zbatoheshin konkretisht. Deri tani këto punë juridike nuk janë ndërmarrë kryesisht nga shkaku i mungesës së sensit për rregullim juridik edhe të rasteve e çështjeve të sipërthëna kryesisht nga shkaku i indolencës, indiferencës, igënorancës së jo pak funksionarëve pushtetarë dhe administrative”, vlerëson Smaka.

“Kuvendi i Kosovës është për keqardhje”

Image
Leon Duhanaj

Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj thotë se ata që duhet të jenë shembull praktik i sjelljes dhe përdorimit të gjuhës, nuk po japin një shembull të mirë.

“Kur kemi të bëjmë me peshën e fjalës, besoj që jo vetëm në Kuvend, por ne, edhe si shoqëri e tërë kemi deficit të madh kulturorë. Emancipimi kulturorë në kushte dhe rrethana normale, fillon nga elitat, të cilat do duhej të ishin shembulli praktik i mënyrës së sjelljes dhe mënyrës së përdorimit të diskursit publik. Për fat të keq, si ne çdo lëmi, edhe në ketë, politika jonë nuk jep shembullin e mire”, vlerëson Duhanaj.

Ai thotë më tutje se gjuha e përdorur në Kuvend më tepër ngjan me një gjuhë rrugaçërie se sa një gjuhë parlamentare.

“Kuvendi i Kosovës, si institucioni me i lartë legjislativ në vend, është për keqardhje në çfarë gjendje kemi ra dhe çdo ditë e me shumë biem. Gjuha përdorur në Kuvend shpeshherë ngjason më shumë me një gjuhë rrugaçërie apo edhe mafioze se sa të mund të cilësohet si parlamentare”, thekson analisti Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat