Rrëzimi i Qeverisë Hoti, vetëvrasje politike! Kjo është e vërteta pse Haradinaj e Limaj po bëjnë thirrje për PDK-në që të futet në koalicion?

Politika

Rrëzimi i Qeverisë Hoti, vetëvrasje politike! Kjo është e vërteta pse Haradinaj e Limaj po bëjnë thirrje për PDK-në që të futet në koalicion?

Nga: N. H Më: 26 korrik 2020 Në ora: 22:53
Krerët e partive politike, me presidentin e vendit

Thirrjeve të Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt drejtuar PDK-së që të hyjë në Qeveri u janë përgjigjur zyrtarë të Partisë së Kadri Veselit. Arben Gecaj po e thërret Ramush Haradinajn e Fatmir Limajn të bëhen bashkë në një subjekt politik,

Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj kanë marrë një ofertë publike nga PDK-ja si përgjigje ndaj kërkesave që Partia e Kadri Veselit të hyjë në Qeverinë e Avdullah Hotit.

Arben Gecaj, zyrtar i PDK-së, ka thënë se zgjidhje më e mirë është bashkimi i AAK-së, NISMA-s dhe PDK-së në një subjekt të vetëm.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se konstatim i zyrtarit të PDK-së, Arben Gecaj, është një konstatim populist, që ka për qëllim të manipulojë me trashëgiminë nacionale.

Sipas Bajrajt, UÇK-ja nuk ishte vetëm e Shtabit të “Rognerit”, por e gjithë Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej.

“Konstatim puro folklorist dhe turbo-tallava-populist i Gecajt përmes të cilit dëshiron të manipulojë me trashëgiminë nacionale të Dardanisë Antike-Kosovës, me krahun e rezistencës së armatosur në luftën për liri dhe çlirimin e Kosovës të identifikuar në UÇK-në. UÇK-ja nuk ishte vetëm e Shtabit të “Rognerit”, por e gjithë Kosovës dhe shqiptarëve gjithandej, bilës mësepaku ishte e Shtabit të “Rognerit”. Përvetësimi i një vlere dhe atributi nacional, siç është UÇK-ja nga ana e vetëm një pjese të krahut të armatosur, është jo vetëm e pa drejtë , por edhe e pa denjë, ngase “Krahu i Luftës”, siç vetëquhen konstruksionet e Shtabit të “Rognerit”, përkatësisht të SHIK-ut pas Konferencës së Rambujes, formimit të ish QPK-së dhe subjekteve politike, fillimisht PPDK (PDK), me pas AAK dhe LVV, e shumë më vonë, edhe NISMA nga gjiri i tyre”, ka thënë analisti Bajraj.

Ai konsideron se thirrja e fundit nga ana e Gecajt për ri-kthim të AAK-së dhe NISMA-s në PDK nuk janë anakronike dhe aq më pak absurde.

Image
Fatmir Bajraj

“Përkundrazi është ndjenjë koshience dhe ndërgjegjësimi dhe për konsekuencë, edhe përgjegjësie politike përballë faktit se i vetëquajturi “Krahu i Luftës”, ndjehet jo vetëm i dëmtuar nga proceset politike të vendit në krye të të cilave ka qenë tani e mbi 20 vite, por tanimë edhe i rrezikuar t’i rezistoj konkurrencës nga të dy krahët tjerë të fuqishëm: LDK dhe LVV. “LVV-ja i ka dalë dore SHIK-ut” , pati deklaruar njëri nga eksponentët e SHIK-ut, dhe ish deputet i Parlamentit të Kosovës”, tha Bajraj.

Unifikimi i “Krahut të Luftës”, do t’i ndihmonte skenës politike të vendit edhe për faktin se tani e tutje, veç e veç dhe të fragmentarizuar, vështirë t’i rezistojnë konkurrencës së tregut politik përballë LDK-së dhe LVV-së. Kështu mendon analisti Bajraj.

“Dallimet ideologjike të këtij krahu, janë inekzistente, ngase janë identike në frymë dhe veprim, dhe shfaqja e “dallimeve” nga liderët e tyre, ishte vetëm marketing politik dhe asgjë më shumë se kaq. Edhe thirrjet e z.Haradinaj e Limaj drejtuar PDK-së për hyrje në Qeverinë Hoti, janë simptome të një ndërgjegjësimi dhe “nuhatje” të rrezikut të eliminimit nga konkurrenca në skenën politike të vendit, sidomos pas aktivizimit serioz të Gjykatës Speciale me aktakuzat, traget i së cilës është pikërisht “Krahu i Luftës”, nga i cili nuk kanë imunitet AAK dhe NISMA, por as LVV-ja e z.Kurti, e cila brenda vetës ka mjaftë potencial për Dhomat e Specializuara të Kosovës, potencial ky i “dhuruar” nga SHIK-u i Kadrisë dhe i Hashimit”, ka shtuar analisti.

Mirëpo, Bajraj me tej nënvizon se thirrjen PDK-së, për hyrje në Qeveri, duhet t’ia bëjë partia e Isa Mustafës, dhe se deri me tani, nuk ka shenja dobësie dhe dobësimi të kabinetit Hoti.

“Përkundër lansimit mediatik të tezave nga “analistë” të cilët duan t’a mbajnë në tension Qeverinë Hoti me gjëja brishtësinë e koalicionit për shkak të numrave dhe kursit “kritik” nga partneret e koalicionit, kur dihet se “Krahu i Luftës” nuk ka interes dhe as vullnet të dalë para votuesit në kë të fazë komplekse të proceseve politike dhe ato me Gjykatën Speciale. Rrëzim i Qeverisë Hoti nga partneret, vetëvrasje politike”, u shpreh me tej Bajraj.

Krejt në fund, njohësi i rrethanave politike, nënvizon se dialogun dhe Gjykatën Speciale, nuk përballuan dot PAN-i dhe as LVV-ja, për çfarë kjo e fundit dezertoi duke provokuar vetë-rrëzimin e Qeverisë Kurti e cila derivoi krijimin e shumicës së re parlamentare dhe formimin legjitim dhe legal të Qeverisë së drejtuar nga LDK-ja dhe kryeministri Hoti.

“Në Kosovë dhe rajon, Qeveritë e vendeve respektive, nuk krijohen dhe as mbijetojnë pa koordinim dhe bashkërendim me partneret strategjik të cilët ndihmojnë së paku deri në përmbyllje të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe integrimeve në BE dhe atyre veri-atlantike (NATO). Qeveria Hoti, tani për tani, është e pa alternativë dhe i vetmi solucion i qeverisjes dhe i përballjes me sfidat të cilat i kemi pa vetes si shtet dhe shoqëri, të tjerët kanë dështuar dhe dezertuar qartazi”, tha krejt në fund njohësi i rrethanave politike, Fatmir Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat