E akuzuan rëndë Thaçin për vrasjen e kujdestarit të tij, flasin edhe njëherë familja e Haki Imerit

Politika

E akuzuan rëndë Thaçin për vrasjen e kujdestarit të tij, flasin edhe njëherë familja e Haki Imerit

Nga: BS Më: 27 korrik 2020 Në ora: 20:56
Familja Imeri e kishte akuzuar presidentin, Hashim Thaçi si të involvuar në këtë rast, e që në atë kohë ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.

Në përvjetorin e 20 të vrasjes së ish-kryetarit të LDK-së në bashkësinë e Turiçevcit dhe anëtar i Kryesisë së degës së kësaj partie në Skenderaj, Haki Imerit, familja Imeri e kishte akuzuar presidentin, Hashim Thaçi si të involvuar në këtë rast, e që në atë kohë ka qenë kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.

“Shumë herë jemi ballafaquar me pyetjen se kush e vrau Haki Imerin? Përgjigjen për këtë e prisnim nga organet kompetente sepse ato e kishin mandatin të jepnin përgjigje në një pyetje të tillë edhe pse nuk na mungonte njohuria në lidhje me këtë krim të llahtarshëm, i cili është bërë nga SHIK-u, shërbim i cili është krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, të cilën e drejtonte si në aspektin politik edhe të nëntokës, Hashim Thaçi”, kishin shkruar familja Imeri, duke shtuar se meqë këtë vrasje e bën njerëz të SHIK-ut, kjo organizatë ka një strukturë komanduese dhe të njohur.

“Vrasja ndodhi në mandatin e Qeverisë së Përkohshme të Hashim Thaçit, dhe fati jonë i vetëm është që këtë mandat kriminal e kap, mandati i Gjykatës Speciale, dhe shpresojmë në rezultate për të sjellë drejtësinë e anashkaluar, manipuluar dhe mbuluar, që për qëllim e kish te mos të ndriçohej e vërteta, sepse e vërteta u vë pranga krerëve të mafias politike, të cilët së shpejti mund të akuzohen për krime ndaj shqiptarëve nga Dhomat e Specializuara të Prokurorisë me seli në Hagë. Kishin kaluar pothuajse dy dekada nga vrasja dhe kreu i PDK-së Hashim Thaçi nuk na ishte lajmëruar, kurrë, madje as për të shprehur ngushëllime, sepse ishte vrarë edhe mësuesi i tij dhe kujdestari i klasës. Data 2 nëntor 1999 është dita kur është bërë krimi i llahtarshëm ndaj Haki Imerit, dhe me datën 22 nëntor 2016, krimi makabër është konfirmuar nga vet z. Thaçi me ardhjen e tij në shtëpinë tonë për të na treguar se kush ishte urdhërdhënësi dhe kush ishin vrasësit, realisht dëshmojë kundër vetvetes”, kishin deklaruar familja Imeri.

Përveç këtyre akuzave, familja e Haki Imerit kishin bërë të ditur se nga fillimi do të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale për zbulimin e vrasjes së familjarit të tyre.

“Do të bashkëpunojmë me Dhomat e Posaçme dhe shpresojmë që Gjykata Speciale do t’i japë një epilog këtij rasti, por edhe rasteve të tjera të shumta, të cilat drejtësia ndërkombëtare dhe ajo e Kosovës nuk i ndriçuan dhe nuk do t’i ndriçonin kurrë. Këtë luftë speciale nuk do ta fitosh z. Thaçi, edhe pse i ke vënë në shërbim, shpërdorim mekanizmat zyrtarë për qëllime personale, për ta nënshtruar familjen tonë. Tani je një njeri që ke hap hesape edhe më të mëdha, që nga 2016-a e këtej. Provat e 22 nëntorit 2016 nuk do të keqpërdoren do të trajtohen me kujdes te veçantë”, kishin shkruar ndër tjerash në letrëne gjatë të publikuar nga familja Imeri.

Por tashmë kur është propozuar aktakuzë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit nga Gjykata Speciale, në të cilën akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë, familja Imeri thonë se qëndrojnë prapa të gjitha deklaratave të dhëna kohë më parë.

Ata në një prononcim për “Bota Sot”, thonë se presin që Specialja të zbulojë rastin e vrasjes së Haki Imerit, por edhe rastet tjera të vrasjeve politike.

“Ne qëndrojmë prapa te gjitha atyre prononcimeve, deklaratave, dyshimeve të mëhershme ne lidhje me krerët e SHIK-ut dhe te QPK-së. Presim qe Gjykata Speciale të zbardh rastin tonë dhe rastet tjera”, thonë familja e Haki Imerit.

Sipas tyre, të gjitha vrasjet politike më në fund do të marrin një epilog.

“Se a do te konfirmohet aktakuza nuk e dimë,,, por jemi të sigurtë që një proces gjyqësor do të ndodhë dhe vrasjet politike do ta marrin një epilog më në fund”, thonë për fund për “Bota Sot” familjarët e Haki Imerit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat