Kërkohet dorëheqja e Qeverisë Hoti, ja kush ia shuan shpresat Vetëvendosjes dhe...

Politika

Kërkohet dorëheqja e Qeverisë Hoti, ja kush ia shuan shpresat Vetëvendosjes dhe...

Nga: P.R Më: 30 korrik 2020 Në ora: 21:42
Avdullah Hoti

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Por pavarësisht kësaj, Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon të kërkojë dorëheqjen e qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të reja.

Një gjë të tillë, Vetëvendosje e ka kërkuar përmes nënkryetares së Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Arberie Nagavci.

“Mora fjalën në Kuvend për të adresuar zërin e padëgjuar të mijëra pacientëve, qytetarëve dhe punonjësve shëndetësorë. Deputetët e pushtetit u përpoqën të bënin zhurmë e t'i rrihnin tavolinat. Ashtu që të mos dëgjohej që kjo qeveri po na dërgon në katastrofë humanitare dhe duhet të dorëhiqet sa më parë për shkak të papërgjegjësisë së shkaktuar. Duhet të shkojmë në zgjedhje, të kthejmë ata që dinë t'i bëjnë ballë kësaj situate, si Kurti, Vitia e Bislimi. Askush nuk ua ka borxh këtë gjendje”, tha Nagavci.

Po ashtu zgjedhje të reja ka kërkuar edhe analisti Blerim Vela.

“Qeveria e "dialogut", aka qeveria e Thaçit, duhet të ofrojë dorëheqje menjëherë që të parandalohet katastrofa shëndetësore dhe ekonomike nga #Covid19. Qeveria e 3 qershorit nuk gëzon legjitimitet publik dhe nuk përbëhet nga profesionist kredibil të fushës. Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duhet të formohet qeveri teknike ose qeveri politike, me mbështetje të më shumë se 80 deputetëve në Kuvend. Shumica e tillë siguron miratimin me kohë të ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me menaxhimin e pandemisë”, ka shkruar analisti Vela.

E lidhur me kërkesat e vazhdueshme të Vetëvendosjes, për “Bota Sot” ka folur analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

 

“Është normale që LVV-ja të kërkoj dorëheqjen e qeverisë Hoti dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme, pasi ata vlerësojnë se është momentum i tyre, por nuk shohë asnjë arsyeje që të bije qeveria Hoti dhe të shkohet me një qeveri teknike, sidomos tani kur vendit i duhet qeveri legjitime me kushtetutshmëri të plotë për t’u marrë me menagjimin e situatës së rënd me pandeminë Covid-19, rimëkëmbjen ekonomike, por edhe të marrë përgjegjësi për proceset nëpër të cilat po kalon vendi siç është dialogu Kosovë-Serbi, por edhe procese e sfida të tjera që ka vendi përpara”, thotë Haziri për “Bota Sot”.

Sipas tij, nuk ka asnjë gjasë për një qeveri teknike.

“Andaj gjasat për të pasur një qeveri teknike janë shumë të vogla edhe për faktin se skena politike është skajshmërisht e polarizuar dhe kjo qeveri teknike më shumë do të ishte një qeveri grindavece ne mes partive politike që do të participonin në të, se sa efektive”, shton Haziri.

Për fund, ai ka thënë se qeveria Hoti është e përgatitur për të qeverisur me vendin.

“Mendoj se qeveria Hoti është e përgatitur për ta qeverisur vendin si në aspektin profesional poashtu edhe në atë politik në përputhje me kushtetutën e vendit dhe nuk ka asnjë arsyeje që mos të vazhdoj punën kjo qeveri, me mandat të plotë”, përfundon për “Bota Sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat