Çfarë tregon takimi Hyseni-Palmer në Washington? Kjo është dëshmia e përçarjes së koalicionit....

Politika

Çfarë tregon takimi Hyseni-Palmer në Washington? Kjo është dëshmia e përçarjes së koalicionit....

Nga: P.R Më: 3 gusht 2020 Në ora: 22:35
Skender Hyseni dhe Matthew Palmer

Gjatë ditë së sotme, koordinatori për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni, është takuar me Matthew Palmer, Emisar Special amerikan për Ballkanin Perëndimor.

E detajet e këtij takimi i ka zbuluar koordinatori për dialog, Skënder Hyseni.

“Pasi e njoftova për rrjedhën e deritashme të dialogut në Bruksel, me Zotin Palmer bëmë një bisedë të hapur dhe shterruese me qellim të koordinimit me synimin që dialogu të marrë një dinamikë të re duke shtruar, pa u vonuar dhe pa zvarritje, për diskutim dhe akordim çështjen kryesore, marrëveshjen gjithëperfshirëse për njohje reciproke dhe normalizim midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Duke konstatuar dhe theksuar se krahas BE-së, roli I SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendsueshëm, me përunjësi i kërkova Zotit Palmer praninë e përhershme aktive të SHBA-së në tryezën e bisedimeve në Bruksel. Pasi theksoi se SHBA çmojnë angazhimin konstruktiv të Qeverisë dhe të gjitha institucioneve Republikës së Kosovës në këtë process, Zoti Palmer theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin dialogun në Bruksel duke shtuar se Amerika do të jet me Ju përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Pas takimit me Matheë Palmer, poashtu zhvillova nje bisedë të gjatë me z. Ryan Tully, Drejtor i Lartë dhe znj Amanda R. Ahlers, Drejtore për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. Biseda poashtu kishte në fokus dialogun e rinisur në Bruksel por edhe zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Hyseni.

E lidhur me takimin e Hysenit me Palmer, nga partnerët që janë në koalicion me Hotin, AAK dhe Nisma kamë thënë që nuk kanë qenë të njoftuar.

Kurse sipas analistit politik, Nexhati Haziri, takimi në Washington dëshmon edhe njëherë përkushtimin e SHBA-së ndaj çështjes së Kosovës.

Image
Nexhati Haziri

“Takimi i koordinatorit për dialog, Skënder Hyseni me zëvendës Asistent-Sekretarin e Shtetit për Evropë dhe Euroazi në Departamentin e Shtetit Amerikan, Matthew Palmer, i cili është edhe emisar Special për Ballkanin Perëndimor, është një hap i rëndësishëm dhe kjo tregon se Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj partneritetin e saj me SHBA-të edhe në procesin e dialogut me Serbinë, dhe përfshirja e SHBA-ve dhe mbështetja e tyre për këtë proces është garantues i suksesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritjes eventuale të ndonjë marrëveshje”, ka thënë Haziri për “Bota Sot”.

E lidhur me atë së AAK dhe NISMA thonë së nuk kanë qenë të njoftuar, Haziri thotë se kjo tregon përçarjet që ekzistojnë brenda koalicionit qeverisës.

“Tani mos koordinimi edhe me partnerët e koalicionit AAK dhe NISMA, të cilat edhe kanë bërë vërejtjet e tyre, tregon se nuk ka një strategji të përbashkët të partnerëve të koalicionit sa i përket dialogut me Serbinë dhe natyrisht kjo shkakton telashe në funksionimin e koalicionit qeveritar që mund të lexohet edhe si një përçarje ne mes partnerëve të koalicionit e cila duhet të evitohet në këtë situatë nëpër të cilën po kalon vendi, dhe kjo kërkon më shumë transparencë dhe koordinim e mirëkuptim në mes partnerëve të koalicionit për shmangur çfarëdo luhatje të qeverisë së kryeministrit Hoti”, thekson më tej Haziri.

Për fund, Haziri thekson së nga Qeveria kërkohet veprime me përgjegjshmëri e lartë politike e kombëtare.

“Unë besoj se partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës janë të vetëdijshme për përgjegjësitë që I kanë para qytetarëve të vendit në këtë kohë pandemie, por edhe për proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, sidomos në dialogun me Serbinë, andaj nga këto kërkohet veprime me përgjegjshmëri e lartë politike, kombëtare dhe institucionale, që Kosova t’i kthehet normaliteti I funksionimit shtetëror por edhe në fusha të tjera sic është kjo me pandeminë, rimëkëmbja ekonomike, sociale e të tjera”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota Sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat