LDK-ja lë në harresë vrasjet e pasluftës

Politika

LDK-ja lë në harresë vrasjet e pasluftës

Elona Bajgora  Nga Elona Bajgora Më 5 gusht 2020 Në ora: 17:41
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë e heshtur për vrasjet e pasluftës.

Për vrasjet anëtarëve të LDK-së, kryesisht dëgjojmë në përvjetor apo edhe gjatë fushatave elektorale kur përplasen kundërshtarët politikë nga “krahu i paqes” dhe “ krahu i luftës”, si dhe kur jepen premtime se ato do zbardhen.

Edhe pse asnjë vrasje nuk është zbuluar deri më tani nga organet e hetuesisë, LDK këto vrasje ia atribuojnë SHIK-ut.

Shpresat për zbardhjen e vrasjeve politike tashmë kanë mbetur vetëm te Gjykata Speciale, ku edhe vajza e Xhemajl Mustafës, Berianë Mustafa, e cila e ka edhe vëllain ministër në qeverinë Hoti, thotë t’i ketë “fshirë moti duart prej bashkëpartiakëve të Xhemajl Mustafës”.

Rreth kësaj çështje “Bota Sot”, ka biseduar me ish aktivistin e LDK-së, Shaip Shalën, i cili ka thënë se LDK nuk ka bërë asgjë për zbardhjen e këtyre vrasjeve.

Shala: Nga frika nuk ka guxuar askush të lëviz në këtë drejtim

Shala ka thënë se LDK-ja nuk i ka bërë as pesë hapa për të zbardhur vrasjet e pasluftës, të cilat disa janë edhe në pikë të ditës.

“Më duket se edhe Besian Mustafa është djali i të ndjerit Xhemajlit. Derisa vajza po kërkon drejtësi, Besiani është funksionar i LDK-së. Këtu është paradoksi, ta quajmë edhe familjar. Përndryshe, jemi dëshmitar që as pesë hapa LDK-ja nuk ka bërë për zbardhjen e asnjë vrasjeje të pasluftës, bile edhe ca në pikë të ditës”, ka thënë Shala.

Tutje, ish aktivisti i LDK-së ka thënë se mendon që këto vrasje nuk janë zbuluar për shkak të frikës dhe mendon që vetëm Gjykata Speciale do t’ia dal të zbuloj.

“Mendoj se nga frika nuk ka guxuar askush të lëviz në këtë drejtim e unë besoj që Gjykata Speciale më në fund do ia dal”, ka përfunduar Shala.

Zogaj: Bashkëpartiakët e Xhemës është dashur të bëjnë shumë më tepër

Image
Skender Zogaj

Analist politik, Skender Zogaj, ka thënë për “Bota Sot” se deklarata e vajzës së Xhemajl Mustafës është e pranueshme.

Zogaj ka vazhduar duke thënë se Berianë Mustafa është me vaj në buzë deri sa të zbardhet vrasja e prindit të saj dhe që duhet mirëkuptohet reagimi i saj sepse LDK është dashur të bëjë shumë më tepër.

“Sa i përket deklaratës se vajzës së Xhemajl Mustafës, është e pranueshme, sepse ajo është me vaj në buzë derisa të mos zbardhet vrasjes së prindit të saj. Prandaj reagimi duhet të mirëkuptohet sepse bashkëpartiakët e Xhemës është dashur të bëjnë shumë më tepër”, është shprehur Zogaj.

Mehmeti: Deklarata e vajzës së Xhemajl Mustafës është shuplakë për zgjim pas heshjtës së gjatë

Image
Faton Mehmeti

Rreth kësaj çështje ka folur edhe analisti politik Faton Mehmeti, i cili ka thënë se deklarata e vajzës së Xhemajl Mustafës është shuplakë për zgjim pas heshtjes së gjatë.

Gjithashtu, ai është shprehur se përkundër që tani LDK është në qeveri, s’ka bërë asgjë për të zbardhur këto vrasje dhe të tjerat.

“Deklarata e vajzës së Xhemajl Mustafës është shuplakë për zgjim pas heshtjes së gjatë , përkundër që tani LDK është në qeveri dhe s’ka bërë asgjë për të zbardhur këto vrasje. Faktikisht, LDK ka ardhur në pushtet duke përdorur këto vrasjet të pasluftës, të cilat ende mbetën enigmë”, tha ai.

Tutje, Mehmeti ka thënë se LDK-ja i shfrytëzon ato vrasje vetëm për poena politike. Ai ka thënë se Kosova ka nevojë për një hetim, grup hetimore brenda MPB-së, duke arritur kështu të bëj hapin e parë për të zbardhur të gjitha krimet e pasluftës.

Ndërsa sa i përket deklaratës së vajzës së Xhemajl Mustafës, ai e ka quajtur shuplakë për LDK-në dhe ka thënë se ajo kërkon veprim konkret.

“LDK si duket, këto vrasje vetëm për poena politikë i ka shfrytëzuar, duke mos bërë asgjë për të zbardhur këto vrasje. Kosova ka nevojë për një hetim, grup hetimore brenda MPB, duke arritur kështu të bëj hapin e parë për të zbardhur të gjitha krimet e pasluftës. LDK, ka marrë shuplakë nga vajza e Xhemës, e cila më nuk po duron hipokrizinë. Vajza e Xhemës kërkon veprim konkret. LDK duhet të reagojë, ndryshe reagimet e familjarëve s’do ndalen”, ka përfunduar Mehmeti.

Kujtojmë se këto vrasje kishin filluar me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, më 21 shtator të vitit 1998, në Tiranë, më 11 janar 1999 në Prishtinë ishte vrarë Enver Maloku, gazetar dhe anëtar i LDK-së. Më 23 nëntor 2001 u vra bashkëpunëtori shumë i afërt i Presidentit Rugova, gazetari dhe publicisti Xhemajl Mustafa, më 24 prill 2001 vritet Ismet Rraci, kryetar i Komunës së Klinës e i Degës së LDK-së në Klinë, derisa po kthehej nga puna.

Në një atentat në tetorin e 2001-s, ishte vrarë gazetari Bekim Kastrati, truproja e presidentit Rugova, Besim Dajaku, ndërsa ishte plagosur ish-deputeti Gani Geci, më 17 janar 2002, ishte vrarë edhe deputeti Smajl Hajdaraj, më 27 tetor 2002 vritet Ukë Bytyçi kryetar i komunës së Therandës dhe i degës së LDK-së në këtë komunë, më 4 janar 2003 vritet në Pejë kolonel Tahir Zemaj, ish-komandant i FARK-ut në rajonin e Dukagjinit.

Një vrasje tjetër që kishte tronditur opinionin në Kosovën e pasluftës është ajo e komandant Drinit. Drini ishte vrarë para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë.

Lista e vrasjeve të pasluftës është më e gjatë se kaq.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat