Flasin nga Qeveria gjermane për “Bota sot”, tregojnë çka po ndodh me liberalizimin e vizave - Bota Sot
Flasin nga Qeveria gjermane për “Bota sot”, tregojnë çka po ndodh me liberalizimin e vizave

Politika

Flasin nga Qeveria gjermane për “Bota sot”, tregojnë çka po ndodh me liberalizimin e vizave

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 gusht 2020 Në ora: 20:52
Kancelarja gjermane Angela Merkel

Gjermania do të vazhdojë të mbështetë Kosovën në rrugën e saj drejt arritjes së liberalizimit të vizave. Kjo është konfirmuar nga Qeveria gjermane në një përgjigje ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun, ka thënë se Gjermania vlerëson përpjekjet e bëra nga Kosova në vitet e kaluara për të përmbushur kriteret, duke veçuar “rekordin e forcuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Por, ata nuk kanë dashur të komentojnë, nëse Kosova do të arrijë të fitojë liberalizimin e vizave, gjatë mandatit presidencial të Gjermanisë në BE.

“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk japim asnjë informacion mbi përmbajtjen e diskutimeve konfidenciale. Në raportin e tij të 18 korrikut 2018, Komisioni Evropian deklaroi se Kosova përmbush kriteret e pazgjidhura të përcaktuara në Udhërrëfyesin e Komisionit për Liberalizimin e Vizave. Gjermania vlerëson përpjekjet e bëra nga Kosova në vitet e kaluara për të përmbushur kriteret, veçanërisht rekordin e forcuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane për “Bota sot”.

Por, ata kanë thënë se propozimi i Komisionit Evropian i majit 2016 për heqjen e kërkesës për viza për qytetarët e Kosovës, duhet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian.

Poashtu, bëhet e ditur se tashmë janë zhvilluar bisedimet e nivelit të ekspertëve të Ministrisë Federale të Brendshme gjermane me përfaqësuesit e Kosovës.

“Propozimi i Komisionit i 4 majit 2016 për heqjen e kërkesës për viza për qytetarët e Kosovës, duhet të miratohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Gjermania mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt arritjes së liberalizimit të vizave. Për këtë qëllim, bisedimet e nivelit të ekspertëve tashmë janë zhvilluar me përfaqësuesit e Kosovës dhe Ministrinë Federale të Brendshme gjermane ku u diskutua çdo çështje që mbetet e hapur”, kanë thënë nga Qeveria e drejtuar nga kancelarja Angela Merkel për “Bota sot”.

Gjermania ka marrë presidencën e BE-së që nga 1 korriku 2020 dhe do ta mbajë atë për gjashtë muaj./BS

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat