Gjykata Speciale “feston” pesë vjetorin, me presidentin Thaçi të intervistuar

Politika

Gjykata Speciale “feston” pesë vjetorin, me presidentin Thaçi të intervistuar

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 7 gusht 2020 Në ora: 08:32
Hashim Thaçi ne Hage

Kanë kaluar pesë vite nga votimi i Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës dhe se fundmi ajo ngriti aktakuzë ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi.

Thaçi edhe përkundër të gjithave, nuk ka dhënë dorëheqje, madje as pas marrjes në pyetje për tri ditë më radhë, derisa vetëm ka thënë se do të pres konfirmimin e ngritjes së aktakuzës.

Gjatë këtyre pesë viteve, e sidomos në dy vitet e fundit, Gjykata Speciale ftoi për intervistim dëshmitar, e madje edhe të dyshuar, për t’i marrë në pyetje për kohën e luftës në Kosovës. Shumica e të ftuarve kanë qenë pjesëmarrës të UÇK-së, e ky fakt po e bën këtë Gjykatë raciste.

Gashi: Thaçi është dashur të jap dorëheqje menjëherë

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se ndryshimi i kushtetutës për t’i hapur rrugë votimit të ligjit për Gjykatën Speciale ishte vendim katastrofal.

Image
Tomë Gashi

Gashi ka thënë se shkaku i këtij ndryshimi, Kosovës iu ndalën shumë njohje.

“Ndryshimi i kushtetutës së Republikës së Kosovës për ti hapur rrugë votimit të ligjit për gjykatën speciale  ishte vendim katastrofal dhe faktikisht i ndali thuaj se të gjitha njohjet e shtetit të Kosovës dhe është vendim shumë i dëmshëm për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, për shqiptarët e Kosovës në veçanti dhe posaçërisht për ish pjesëtarët e UÇK-së”, ka thënë Gashi për “Bota sot”.

Avokati ka shtuar se ata që e votuan Gjykatën Speciale do t’i gjykojnë vetëm shqiptarët.

Gjithashtu, ka thënë se i kanë amnistuar krimet serbe në Kosovë dhe avokati beson që Hashim Thaçi në vitin 2015 po të kishte vetëm paramendim që mund të akuzohet edhe vetë, nuk do ta votonte këtë gjykatë, siç e quan ai, raciste.

“Ata që votuan Gjykatën Speciale që do t’i gjykoj vetëm shqiptarët, faktikisht i amnistuan krimet serbe në Kosovë. Unë besoj që Hashim Thaçi në atë kohë/ më 2015/ do të kishte vetëm indicije që mundë të akuzohet edhe vetë në atë gjykatë nuk do ta votonte këtë gjykatë raciste e leje më që do të bënte presion në deputetët e PDK-së që të votojnë këtë gjykatë”, është prononcuar avokati.

Tutje, Gashi ka shtuar se aktakuza për Thaçin, e gjeti atë në pozitën e kryetarit të shtetit dhe përveç që është vetë i akuzuar i bën dëme të mëdha edhe Kosovës. Sipas avokatit, Thaçi është dashur të jap dorëheqje të menjëhershme, edhe pse me ligj nuk obligohet.

“Tani Thaçin aktakuza e ngritur e gjeti në pozitën e kryetarit të shtetit dhe përpos që është akuzuar ai vet në  Gjykata Speciale, aktakuza e dëmtojë mase Kosovën si shtet te ri. Thaçi është dashur të jap dorëheqje menjëherë posa e mori vesh se aktakuza kundër tij është ngritur por ai nuk e bëri këtë për arsye të panjohura, edhe pse me ligj nuk kishte obligim që të jap dorëheqje”, ka thënë Gashi për “Bota Sot”.

Gjithashtu, Gashi thotë se Thaçi ka kohë rekorde për marrje në pyetje pasi që ai u intervistua në Hagë për 4 ditë. Avokati ka shtuar se po u konfirmua aktakuza rasti do të shkojë në gjykim dhe nga gjykata askush që ka pak dije juridike nuk mundë të pres asgjë të mirë as për vete dhe as për Kosovën.

“Presidenti Thaçi është marr në pyetje nga prokurori special në Hagë për 4 dit dhe deri më tani Hashim Thaçi mundë të mbaj rekordin kohorë të marrjes në pyetje nga prokuroria speciale në Hagë, pasi u morë në pyetje fiks 4 ditë dhe atë secilën ditë përafërsisht nga 7 orë. Tani më dihet që Thaçi nuk do të jep dorëheqje deri në kohën e konfirmimit të aktakuzës që shpresojmë që mos të ndodhë pa marrë parasysh preferencat politike dhe personale për të si Hashim Thaçi sepse po u konfirmua aktakuza rasti do të shkoj në gjykim dhe  nga gjykata askush qe ka pak dije juridike nuk mundë të pres asgjë të mirë as për vete dhe as për Kosovën. Sepse do të gjykohet ish kryetari i Kosovës për krime të luftës gjë që edhe si ish kryetar shteti, aktakuza ndaj tij e dëmton shtetin - republikën tonë”, ka përfunduar avokati Gashi.

Thaçi i cili vet kishte “investuar” shumë në këtë gjykatë dhe votimin e saj në Kuvendin e Kosovës, nuk kishte menduar se pikërisht pas pesë viteve nga themelimi i Gjykatës do të shkonte vetë në të dhe si i akuzuar për krime lufte.

Kërkesat e shumta që Hashim Thaçi të paraqitet para Gjykatës Speciale si një politikan e jo si një president i vendit, nuk i merr parasysh duke thënë se ai beson në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe përkundër asaj që ai ka qenë i pari që ka bindur deputetët e PDK-së të votojnë ketë Gjykatë që sot pikërisht po vepron kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Millaku: Thaçi do të jap dorëheqje, me apo pa dëshirën e tij

Drita Millaku nga Vetëvendosje, ajo e cila edhe kishte paralajmëruar se shumë shpejt Thaçi do të shkoj në Gjykatën Speciale në kohën kur nuk ishte ngritur aktakuza fare, ka thënë për “Bota Sot” se Hashim Thaçi duhet të jap dorëheqje deshi apo nuk deshi, derisa ka shtuar se në Gjykatën Speciale nuk është dashur të shkoj si president i vendit.

Image
Drita Millaku

“Dorëheqja do të ndodhë deshi apo nuk deshi Thaçi. Ne vendin tonë është bërë praktikë e keqe nuk ka dorëheqje dhe nuk presim dorëheqje edhe pse nuk është dashtë të shkoj si president i vendit. Por e kemi ditë që një gjë e tillë nuk do të ndodhë me dëshirë. Është për të ardh keq se në çfarë gjendje e kanë sjellë vendin. Nuk presim qasje tjetër përveç këto qe i kemi parë për 20 vite besoj janë të qarta” ka thënë Drita Millaku për “Bota Sot”.

Shahu: Thaçit nuk i ka hije posti i presidentit, përderisa është në gjykim

Njohësi i çështjeve politike Rexhep Shahu ka thënë për “Bota sot” se presidenti Thaçi nuk ka besuar se mund të thirret nga Gjykata Speciale, sepse ai mendoi se po e bën investimin e tij në ngritjen e gjykatës. Por ja që u thirr për shkak të një mali opinionesh kundër tij dhe të disa akuzave ndaj tij.

Image
Rexhep Shahu

“Tani kur flasim për dorëheqje jemi në fushën e moralit pasi në fushën e ligjit, askush nuk është fajtor pa e shpallë gjykata fajtor me vendim të formës së prerë. Si individ Thaçi është fajtor vetëm pasi ta dënojë gjykata me vendim përfundimtar dhe pasi vendimi të marrë formën e prerë. Ndërsa si president Thaçi moti duhej të kishte shkuar në shtëpi, nuk duhej ta lejonte të përgojohej asnjë orë institucioni i presidentit të republikës” ka thënë Shahu.

Sipas tij, Presidenti para se gjithash është figurë morale.

“Vetëm për një akuzë të lehtë shtypi për plagjiaturë të një paragrafi dha dorëheqje presidenti gjerman vite më parë. Ndërsa Thaçi e konsideron presidencën si kullë mbrojtëse me frengji. Edhe njëqind vjet më ndenjt president Thaçi nuk i ka hije tani e tutje për aq kohë sa është në gjykim”, shtoi ai.

Elezaj: Pesë vite kohë për Specialen për t’i mbledhur faktet

Kurse sipas analistit politik Rexhep Elezaj, Gjykatës Speciale pa tjetër se iu kanë dashur pesë vite kohë për tubimin dhe përpunimin e fakteve dhe të dhënave materialeve në teren, të domosdoshme për fillimin e punën e saj.

Image
Rexhep Elezaj

“Se kësaj gjykate iu kanë dashur 5 vite kohë, këtë e dëshmon numri i mbi 260 të ftuarve në biseda informative në Kosovë dhe Hagë, disa në cilësinë e të akuzuarve të mundshëm dhe disa tjerë në cilësinë e dëshmitarëve, një procedurë kjo e domosdoshme në punën e çdo gjykate, që së pari t’i mbledh faktet e pastaj të fillon me procesin e gjykimit të personave të dyshuar, në këtë rast ndaj disa ish komandantëve të UÇK-së të dyshuar se kanë bërë vepra të ndaluara me ligjet e luftës si dhe “krime” kundër njerëzimit” ka thënë ai.

Elezaj më tutje ka thënë se çdo tentim i shfuqizimit të kësaj Gjykate, do të ishte veprim skandaloz e kontradiktor, njëjtë siç u tentua në vitin 2017.

“Siç e dinë i gjithë opinioni kosovar, GJS për Kosovën me seli në Hagë, është formuar me Ligjin e nxjerr nga Kuvendi i Kosovës (Ligji Nr. 05/L-053 për Dhomat e specializuara - 2015) dhe çdo tentim për shfuqizimin e këtij ligji, siç është vepruar në dhjetor të vitit 2017 me iniciativën e disa liderëve partiak si dhe disa grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, ka qenë veprim skandaloz, kontradiktor dhe shumë i dëmshëm për Kosovën, kur dihet fakti se ka qenë pikërisht H. Thaçi, sa ishte kryeministër i Kosovës, i cili ka bërë presion marramendës mbi disa parti politike dhe grupe parlamentare, që gjithsesi ta votojnë ligjin për formimin e Dhomave speciale për Kosovën, që shkaqet dhe motivet për këtë i dinë ai më së miri, kur me aprovimin e atij ligji në Kuvendin e Kosovës juridikisht kishte marrë fund çdo gjë lidhur me formimin e saj”, theksoi ai.

Elezaj për më tepër ka thënë se dorëheqja e presidentit do të ishte morale.

“Sa i përket dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit pasi që iu bë e qartë se ndaj tij GJS ka ngritur aktakuzë me dyshimin për “vrasje të 100 njerëzve dhe krime kundër njerëzimit”, qoftë edhe pa kaluar faza gjashtëmujore e paraparë për konfirmim ose hudhje poshtë të aktakuzës nga ana e prokurorit special, në secilin vend demokratik në Evropë dhe botë, presidenti i atij vendi do të jepte DORËHEQJE të menjëhershme dhe të parevokueshme, sepse është ana morale e njeriut ajo e cila, qoftë edhe i pafajshëm, të ofron dorëheqje morale para popullit të vet, president i të cilit ka qenë për disa vite” ka thënë analisti.

“Pse Hashim Thaçi nuk dha dorëheqje të menjëhershme, pse ai po vazhdon të qëndrojë në atë post, bile edhe në Hagë shkoi për t’u intervistuar si president e jo si qytetar i thjesht, flet bindshëm për secilin që sado pak merret me politikë, se H. Thaçit, jo vetëm tash si i akuzuar nga GJS të cilën e ka formuar vetë, por atij gjithnjë i ka munguar kultura politike, përgjegjësia morale si dhe respekti ndaj vlerave humane dhe demokratike, dhe këtë imoralitet politik e ka dëshmuar në vazhdimësi qyshkur ka hyrë në politikë, sidomos në kohën kur i ushtronte postet e kryeministrit të Kosovës, por edhe që katër vite postin e presidentit”, ka shtuar tutje ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat