Burimi serb i teorisë se “Kosova është si Palestina”!

Politika

Burimi serb i teorisë se “Kosova është si Palestina”!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 7 gusht 2020 Në ora: 20:21
Skënder Hyseni

Më 28 qershor të vitit 2018 kam shkruar komentin me titull "Thaçi si Ivica Daçiç, por Kosova nuk është Palestinë", sepse atë kohë presidenti i Kosovës kërcënoi kundërshtarët e ndarjes së vendit se "Nëse nuk gjejmë zgjidhje të shpejtë me Serbinë, atëherë Kosova do të kthehet në një Palestinë". Disa ditë para Thaçit këtë deklaratë e kishte bërë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, me një konotacion të tillë referues e krahasues se "Ajo çfarë përbën Palestina për Izraelin, përbën Kosova për Serbinë". Pra rikthehej teoria e shpikur serbe se "Kosova është shpirti i Serbisë dhe djepi i shtetit serb"!

Se Kosova nuk është as shpirti, as djepi i Serbisë, këtë e argumenton me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme akademiku britanik, Noel Malcolm, në veprën e tij "Kosova-një histori e shkurtër", në të cilën provon se shteti serb është krijuar në shekullin XII në Rashkë dhe jo në Kosovë dhe se patriarkana serbe ka lind diku afër Kragujevacit dhe jo në Pejë! Këtë teori konspirative e shtrembërim të qëllimshëm të historisë e demanton gjithashtu historiani i shquar gjerman, Profesor Holm Sundhaussen, në librin e tij për Historinë e Serbisë, botuar gjermanisht në vitin 2007.

Por më bën përshtypje fakti pse udhëheqësit e Kosovës janë të gatshëm të promovojnë tezat serbe për Kosovën kur e krahasojnë atë më Palestinën?! Këtë gjë bëri këto ditë gjithashtu u ashtuquajturi koordinator i dialogut Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni, një politikan që mbahet për ekspert në diplomaci. Ai, njësoj si turori i tij, Thaçi, kërcënoi mesa duket Avdullah Hotin, se nëse ky nuk do të pranojë një zgjidhje të shpejtë, çfarë e kërkon Serbia, atëherë "Kosova do të bëhet një Palestinë"! Ishte një deklaratë pikë për pikë si ajo e presidentit të vendit në fund të qershorit 2018! Dhe është me interes të shpjegohet pse dhe si është e mundur të përsëriten kaq identikisht konceptet e thëniet e tilla.

Sikur deklarimet të mbeteshin në eter, kjo nuk do të ishte aq e rrezikshme për Kosovën. Por të dy politikanët, Hashim Thaçi dje dhe Skënder Hyseni sot, luajnë të njëjtën rol praktik, për të mundësuar nënshkrimin me domosdo të një marrëveshje të dobishme për Serbinë dhe të dëmshme për Kosovën. Për pasojë deklarata e sipërpërmendur është dhe mbetet formulim I akademisë dhe politikës në Beograd.

Se deklarata "Nëse nuk zgjidhet shpejt konflikti me Serbinë, Kosova shndërrohet në Palestinë" është e burimit serb, e provon fakti se të njëjtën deklaratë e bëjnë politikanët e Beogradit. Por nuk e kemi parë, dëgjuar ose lexuar në asnjë rast në prononcimet e diplomatëve dhe politikanëve evropianë dhe amerikanë. Nëse do ishte e vërtetë ajo që thotë Hyseni e Thaçi për Kosovën-Palestinë, atëherë nuk do të nguronin ta thonin ndërmjetësuesit e Brukselit dhe Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi. Ky krahasim, ngado që ta analizosh, nuk rezulton i saktë. Mjafton fakti se Palestina i përket Lindjes së Mesme dhe Kosova i përket Evropës, që ta hedhësh kategorisht poshtë një mendësi si kjo. Por në asnjë rrethanë nuk mund të promovohet teza serbe për Kosovën e vënë në modelin e konfliktit Palestinë-Izrael!

Pse atëherë presidenti i Kosovës dhe koordinatori i dialogut thonë të pavërteta? Sepse punohet me skenarë të Serbisë! Kjo është e dhimbshme, por e vërtetë! Është e papranueshme, por e pranishme! Është antishqiptare dhe anti-Kosovë, për pasojë proserbe dhe proruse.

Politikanët e Kosovës duhet të bashkohen kundër kësaj maskarade serbiane! Politikanët e Kosovës duhet t'i shohin me dyshim edhe politikanët më të lartë të vendit, kur ata në mënyrë të përsëritur, d.m.th të qëllimshme provokojnë Kosovën dhe shqiptarët!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat