Prishet “rehatia” e qeverisë Hoti

Politika

Prishet “rehatia” e qeverisë Hoti

Nga: Albulena Muji Më: 8 gusht 2020 Në ora: 08:30
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti është “lëkundur”, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka filluar procedurat për rrëzimin e saj.

Këtë e kanë bërë të ditur, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së Rexhep Selimi , dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga VV-ja Arbërie Nagavci përmes një konference për media, ku ftuan partitë e tjera politikë që të mbështesin nismën e tyre për rrëzimin e Qeverisë.

Por, a mund të arrihet rrëzimi i Qeverisë, pasi duhen gjithsej 61 vota?

Për këtë, analistët politik shprehen se kjo varet nga Partia Demokratike e Kosovës, si dhe nga koalicioni qeverisës.

Mehmeti: Gjithçka varet nga PDK

Njohësi i çështjeve politikë, Faton Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Vetëvendosje duke e ditur përçarjet ndërmjet koalicionit e ka iniciuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë.

“Besoj se jo më kot VV ka iniciuar mocionin ndaj qeverisë Hotit, pikërisht duke ditur përçarjet që janë shpeshtuar kohët e fundit. Këtë përçarje po mundohet ta shfrytëzoj VV duke tensionuar edhe më shumë gjakrat brenda partnerëve të koalicionit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Për më tepër, Mehmeti është shprehur se mocioni i nisur nga VV-ja varet nga PDK-ja, por beson se ai do të kaloj dhe se qeveria do të bie shumë shpejt.

“Megjithatë, besoj se krejt varet nga PDK nëse do ta mbështes mocionin apo jo, nëse PDK mbështet mocionin besoj se do i kenë numrat e mjaftueshme, edhe brenda koalicionit që të qojnë Dullën në shtëpi. Nëse nuk bie qeveria me këtë mocion, natyrisht se Hoti e koalicion pak a shumë brishtësinë që ka në qeveri. Personalisht po pres qëndrimin e PDK, e cila duhet të votoj pro mocionit, pasi është parti opozitare. Tashmë Hotit po i lëkundet seriozisht karrige e të parti të qeverisë, me LDK që pritet të pësoj debakël në zgjedhjet që do të mbahen në shtator, nëse kalon mocioni. Unë, besoj se mocioni do të kaloj, dhe qeveria do të bie shumë shpejt”, ka deklaruar Mehmeti për “Bota sot” .

Duhanaj: Qeveria bie kur  e humbet sensin e bashkëpunimit

Ndërkaq, analisti politikë, Leon Duhanaj, është shprehur për “Bota sot” se ka kritikuar Vetëvendosjen për nisjen e procedurave për mocion ndaj Qeverisë Hoti.

“Dëshmia me e mirë se VV, nuk bën asnjë përjashtim për mirë, përkundrazi ata tejkalojnë edhe kufijtë e arsyes për hirë të interesit politik, është pikërisht nisma për mocion që e betonon hipokrizinë të cilën përfaqësojnë ata. Në kohen e qeverisjes së tyre, nuk bënë asgjë me shumë se uzurpimit të bordeve të agjensive dhe konferencave për media. Çdo kritikë ndaj tyre e vajtonin, se si po kritikohen në kohë pandemie. Tani po e shpërfaqin interesin dhe qëllimin kryesorë, pra atë elektoral. Kjo nuk do të thotë që nuk është legjitime sepse kjo është me se normale. Por, do duhet të shërbente që të mos përkraheshin kauzat e rreme  moraliste të tyre”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Po ashtu, ai thekson se Qeveria e Kosovës nuk mund të bie nga opozita, por vetëm në atë rast kur subjektet në koalicion qeverisës, ndërprerjen bashkëpunimin e tyre.

“Natyrisht që çdo qeveri mund të bie, por, asnjëherë nga opozita. Qeveria bie kur  e humbet sensin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit qeveritarë.  Pra nëse subjektet në koalicion qeverisës, ndërprerjen bashkëpunimin e tyre, apo nuk gjejnë gjuhë dhe formë të përbashkët qeverisëse, atëherë, në mënyrë të natyrshme e humbin fuqinë e votës, e që në këtë rast edhe ashtu është e brishtë. Është çdoherë me mirë rënia e qeverisë, se sa mosfunksionimi i saj në praktikë”, ka përfunduar Duhanaj për “Bota sot”.

Ndryshe, kohëve të fundit ka filluar një “përçarje” ndërmjet koalicioni Qeverisës, pasi që kryeministri Hoti është kritikuar nga zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat