Strucat e Isës!

Politika

Strucat e Isës!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 gusht 2020 Në ora: 17:24
Isa Mustafa

Kur Isa Mustafa humb “kontrollin”, nuk drejton kritika vetëm për kundërshtarët politikë, por edhe për bashkëpartiakët e tij. Madje, me etiketimin “Struca”, Mustafa i quajti bashkëpunëtorët dhe njerëzit e partisë së tij, por edhe të kabinetit të qeverisë Hoti.

Këtë fjalë e përdori kur këta “struca”, siç e tha Mustafa, nuk reaguan ndaj atyre që kritikuan kryeministrin Hoti kur i infektua me COVID-19, e në “zoom” e kishte futur deputeten e VV-së, Mimoza Kusarin.

Edhe kjo e fundit nuk shpëtoi pa ndonjë etiketim nga i pari i LDK-së, i cili e quajti xhelate znj. Kusari, duke i lëshuar këto deklarata nga shtëpia e tij në Prapashticë.

Por, jo shumë kilometra larg Prapashticës, xhandarmëria serbe hyri në Kosovë ilegalisht, madje edhe në oborrin e një restauranti të një pronari të Kosovës, në të cilin shumë qytetarë vizitojnë e kalojnë kohë me familje.

Por, sërish “strucat e Isës” u treguan “struca”.

Madje ashtu u bë edhe vet Isa Mustafa, i cili asnjë deklaratë nuk e dha për këtë çështje. U pozicionua në radhët e strucave kësaj here. Sepse, në vend të Mimoza Kusarit, qëlluan xhandarmëria serbe. Çudi, ata nuk i quajti as xhelatë e as paedukatë.

Ndonëse iu drejtuar me kanibalizëm politik të gjithë atyre që kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Hoti, njëjtë nuk bëri me ata të veshurit me kamuflazh (xhandarmërinë serbe) që nuk iu duhet kontroll dhe hyjnë ilegalisht në tokën e Kosovës dhe shfaqin kërcënim serioz për banorët e asaj zone, e ky fakt mund të eskalojë edhe në konflikt më të madh, ndoshta edhe ndër-rajonal.

Tani, qeveria Hoti përveç që ka problem me Veriun e Kosovës, po i del problem edhe me “lindjen” e Kosovës, pasi publikisht zyrtarët qeveritar, e gjithashtu edhe vet Hoti u deklaruan se shteti i Kosovës dhe institucionet e sigurisë së Kosovës, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Po të shkoni në Karaçevë, mund të shihni disa kazino në atë pjesë, ndonëse ligji i Kosovës i ndalon lojërat e fatit. Ky është edhe një fakt tjetër se Kosova ka probleme serioze me atë pjesë të territorit atje.

Shpresojmë që strucat do bëhen luanë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat