Nga NATO për “Bota Sot” flasin lidhur me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Politika

Nga NATO për “Bota Sot” flasin lidhur me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Nefail MALIQI Nga Nefail MALIQI Më 9 gusht 2020 Në ora: 21:21
KFOR

Të premten e fundit në vendbanimet shqiptare në Karaçevë (zone kufitare me Serbinë) janë parë forca të xhandarmërisë serbe që kanë hyrë në territorin e Kosovës, çka ka shkaktuar panik dhe frikë tek qytetarët.

Njëkohësisht ka pasur reagime të shumta edhe nga autoritetet e Kosovës si dhe liderë të partive politike në rajon. Gjurmëve të këtij lajmi rreth prezencës së forcave serbe në territorin e Kosovës që pasuan një sër reagimesh, “Bota sot” ka kontaktuar me zyrtarët e NATO-së në Bruksel.

Lidhur me hyrjen e xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, z. Mario Renna, zyrtar nga selia e NATO-së në Bruksel është përgjigjur për “Bota sot”, në të cilën fillimisht thuhet se "më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës."

Sipas këtij njoftimi nga selia e NATO-s, duke ju referuar KFOR-it ne Prishtinë, ata thonë se që nga viti 2008 patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për t’u siguruar që nuk ka aksidente.

"Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative. KFOR-i bashkëpunon me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në të gjithë Kosovën, dhe me Forcat e Armatosura Serbe në Vijën Administrative Kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vija Kufitare Administrative shtrihet rreth 250 kilometra dhe nuk është e shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta." thuhet në përgjigjen e NATO-s për “Bota sot”.

Në vazhdim duke folur për aktivitetet dhe misionin e NATO-s në Kosovë, në përgjigje thuhet se KFOR-i dhe xhandarmëria serbe sinkronizojnë patrullimet në bazë të vijës administrative.

"Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe lëvizin përgjatë Vijës Kufitare Administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment, elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë. KFOR-i do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët për të forcuar bashkëpunimin si me Organizatat e Sigurisë së Kosovës ashtu edhe me Forcat e Armatosura Serbe në përputhje me mandatin e tij për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.." thuhet në njoftimin e NATO-s dërguar sot gazetës “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat