Rivalitet deri në “përleshje”

Politika

Rivalitet deri në “përleshje”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 10 gusht 2020 Në ora: 07:48
Kuvendi i Kosovës

Ditë më parë është mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës për të miratuar projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19. Edhe pse kjo seancë zgjati me orë të tëra duke debatuar me kundërshtime, ky projektligj në fund u miratua nga Kuvendi.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19. Ishin 77 vota për dhe një kundër, për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Mirëpo, ajo se çfarë mori vëmendje kjo seancë nuk ishte vetëm debatet e ashpra disa orësh mes deputetëve, por evitimi i një përleshje fizike mes deputetëve të LDK-së dhe LVV-së.

Ishte Hajrullah Çeku nga VV i cili kishte një diskutim me deputeten e minoriteteve, Zikrete Aliti, pasi kjo e fundit abstenoi në një votim.

E kjo i pengoi deputetit nga Prizreni, Xhavit Ukaj. Ai kërkoi nga deputetët e VV-së që mos të ushtrojnë presion tek deputetja Aliti, të cilën ai e ka bashkëvendase.

Kështu duke eskaluar në fyerje mes veti, Kuvendi u detyrua të kalojë në një pauzë gjysmë ore pasi që kjo gjendje mund të esaklonte në një përleshje fizike.

Kujtojmë që këto raste tashmë nuk po janë të pakta në Kuvendin tonë, sepse përveç debateve, po fyejnë, kërcënojnë dhe esaklojnë deputetët tanë.

Bytyçi: Krijimi i tensioneve në seancat parlamentare është kulmi i veprimtarisë destruktive antishqiptare

Në lidhje me këtë temë, profesori universitar Enver Bytyçi u shpreh për “Bota sot” që këto incidente po ndodhin mjaftë shpesh, e të njëjtat po njollosin imazhin e partive (LVV dhe LDK).

Por, profesori shprehet që ky konflikt mes dy partive është edhe personal e separatist e që nuk duhet të vazhdojë të ketë këso lloj incidentesh pasi që kësaj i gëzohet Beogradi.

Image
Enver Bytyçi

“Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosja nga pikëpamja programore janë dy parti me tipare krejt të ndryshme. Por incidentet që po ndodhin në seancat parlamentare dëshmojnë se konflikti midis këtyre dy partive është edhe personal dhe separatist. Që do të thotë se në Vetëvendosje dhe LDK janë stacionuar elementë destruktivë, të cilët nuk njollosin vetëm imazhin e partive të tyre, por edhe të vetë Kosovës. Nuk ishte hera parë dita kur ndodhi ky incident kur deputetë të caktuar të këtyre dy partive u përplasën fizikisht. Kjo pati ndodhur kur Xhavit Haliti sulmoi Arben Gashin. Më pas kur Arben Gashi sulmoi një deputet të Vetëvendosjes. Dhe dje kur dy palët u konfrontuan gati fizikisht me njëri-tjetrin. Është e sigurt se Beogradi ngrohet në zjarrin që ndezin shqiptarët në tempullin e demokracisë, parlamentin e tyre. Ata i gëzohen çdo shuplake që një deputet shqiptar ia jep një deputeti tjetër shqiptar. I janë gëzuar kërcënimit që një deputet me mendësi krimineli në LDK ia bëri kryetares së parlamentit. I gëzohen edhe nervozizmit të zonjës Osmani”, u shpreh profesori.

Bytyçi thotë që Kosova nuk duhet të jetë e fokusuar në këto incidente por në çështjet më të rëndësishme siç është tani gjendja aktuale e pandemisë.

Më tej, profesori thotë që Kurti, Osmani dhe Mustafa duhet të kenë durim e të mos bien pre e provokimeve që në mënyrë të ndërsjellët Thaçi po bën, pasi kjo mund të jetë në dëm të Kosovës e në favor të Serbisë.

“Krijimi i tensioneve në seancat parlamentare është kulmi i veprimtarisë destruktive antishqiptare. Kosova nuk e ka luksin që të angazhohet në të tilla vepra anti-demokratike. Çdo akt dhe veprim i tillë është e do të jetë në dëm të interesave të vendit. Nëse do të duhet të gjendet një mundësi për rrënimin e shtetësisë, kjo është pikërisht ajo që Serbia pritet të ndodhë në Kosovë. Prandaj Kosova duhet t'i bëjë zap bijtë e vet të këqinj dhe për këtë i referohem një fjalie të përdorur nga i madhi At Zef Pllumbi. Biri më i keq i Kosovës tani për tani është Hashim Thaçi. Por edhe Isa, Albini, ndoshta dhe Vjosa duhet të bëjnë kujdes që të mos bien pre e intrigës së Hashimit. Durimi, maturia, urtësia janë elementët kyçë që kërkohen në këto kohë të vështira e plot sfida për Kosovën. Prandaj duhen bërë zap edhe njerëzit e këqij e grindavecë brenda partive politike. Por nëse ndodh që ata të nxiten në veprime të tilla, atëherë duhet ta pranojmë se dora e zezë e Serbisë është zgjatur deri te shefat e këtyre partive politike shqiptare në Kosovë”, tha Bytyçi.

Mehmeti: Deputetët që nuk mendojnë për qytetarët mundohen të shihen përmes dhunës në Kuvend

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti, i pyetur nga “Bota sot” në lidhje me këto incidente u shpreh që këta deputetë nuk po respektojnë rregulloren e cila ekziston dhe se po shfaqen shumë të shëmtuar para qytetarëve.

“Rregullorja ekziston për deputetët, faktikisht ajo nuk po zbatohet. Në këtë aspekt duhet theksuar, se duhet dhuna fizike mes deputetëve është shpërfaqje e nivelit të tyre. Deputetë të tillë nuk duhet të marrin votën e qytetarëve, ata janë shfaqur shëmtuar që nuk i bëjnë nder askujt”, u shpreh Mehmeti.

Më tutje, Mehmeti thotë që këto metoda primitive që po shfaqin dhunë në Kuvend janë nga ata deputetë të cilët nuk mendojnë për qytetarët, por për interesa të tyre personale.

“Kosova nuk meriton deputetë të tillë, dhe si të tillë ata duhet ndëshkohen konform rregullores. Deputetët që nuk kanë nivel, nuk ngrisin çështje në interes të qytetarëve, mundohen të dalin në skenë përmes metodave primitive, siç është edhe dhuna”, tha Mehmeti.

Duhanaj: Nuk është që kemi veç politikë të papërgjegjshme por edhe si shoqëri e tërë jemi e politizuar

Image
Leon Duhanaj

Analisti politik Leon Duhanaj, thotë për “Bota sot” që kemi të bëjmë me një degradim të sistemit e që shumë individ që janë deputetë në parti nuk janë të denjë as për punën e kujdestarisë së deleve.

“Në Kuvendin e Kosovës, kemi parë skena nga më të turpshmet dhe akter në çdoherë, çka përjashtim ka qenë VV. Pra, këtu nuk kemi të bëjmë me zhvillime rastësore apo me dështim të kontrollit apo gabime njerëzore. Këtu kemi të bëjmë me një kauzë të degradimit sistematik që e synon dhe përfaqëson VV. Natyrisht që edhe në partitë tjera ka mjaftë individ që nuk janë të denjë as për punën e kujdestarisë se deleve e lëre ma për postin e deputetit”, u shpreh Duhanaj.

Tutje, Duhanaj thotë që përveç me politikë, edhe si shoqëri jemi të politizuar pasi që ata të cilët janë në Kuvend janë votuar nga populli dhe kjo është e dhimbshme për Kosovën.

“Por, kjo është demokracia dhe këta njerëz i ka zgjedhur vetë populli. Pra kanë arritur t'i mobilizojnë të ngjashmit e tyre, e që janë shumë dhe t'i marrin votat e duhura për të prezantuar në Kuvend. Kjo është e dhimbshme por është realitet ynë i Kosovës. Me çrast, nuk është që kemi veç politikë të papërgjegjshme por edhe si shoqëri e tërë jemi e politizuar dhe e kontaminuar skajshmërisht me fjalorë e me shumë dukuri negative”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat