Për hyrjen e PDK-së në qeveri po bëhet një pazar i ndyrë, aq sa Isa kryeministër, e Hashimi president

Politika

Për hyrjen e PDK-së në qeveri po bëhet një pazar i ndyrë, aq sa Isa kryeministër, e Hashimi president

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 10 gusht 2020 Në ora: 20:32
Ilustrim

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti të udhëhequr nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, aktualisht Kosova po qeveriset nga Lidhja Demokratike e Kosovës në një koalicion të përbashkët me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

Kështu, Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur në opozitë bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, derisa po flitet se kjo e fundit mund t’i bashkohet koalicionit qeverisës.

Deputetja e PDK-së: Nuk është diskutuar brenda partisë që ne të hyjmë në qeveri

Image
Ariana Musliu Shoshi- Deputete e PDK-se

Ndonëse po flitet për një mundësi të tillë, deputetja e kësaj partie, Ariana Musliu Shoshi ka thënë për “Bota sot” se ende nuk ka asgjë zyrtare nga kjo, duke thënë se asnjëherë brenda partisë nuk është diskutuar hyrja e PDK-së në koalicionin qeverisës.

“Sinqerisht nuk është diskutuar as edhe një herë në organet e partisë. Kështu që zyrtarisht nuk ka asgjë. E nuk ka mundësi me u vendos e as me bë koalicion pa vendos Këshilli drejtues dhe kryesia e partisë. Në asnjërën nga këto organe përfshi edhe grupin parlamentar asnjëherë nuk është diskutuar dhe as nuk ka qenë temë”, thekson deputetja e PDK-së.

Pas zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, ku fituese e zgjedhjeve doli LVV-ja, më shumë si fitore e saj u pa kalimi i PDK-së në opozitë, duke sjellë kështu ndryshime në qeverisje. Por, nëse PDK-ja hynë sërish në qeveri, ky ndryshim nuk do të jetë aq i madh, pasi një qeveri të ngjashme LDK-PDK ka qenë edhe më parë në pushtet.

Basha: Tradhtia e LDK-së u dëshmua edhe njëherë

Image
Dimal Basha- Deputet i LVV-se

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në një përgjigje për “Bota sot” thotë se nëse PDK-ja hynë në qeveri, tradhtia e LDK-së po dëshmohet edhe njëherë.

Sipas tij, vetëm përmes zgjedhjeve do të mund të ketë një ndryshim të ri.

“Nuk po besoj se do shumë koment. Tradhtia e LDK-së ndaj elektoratit u dëshmua edhe njëherë. Kurse derisa po flasim për të njëjtin brum, atëherë edhe buka nuk mundet me dal më e mirë. Si pasojë e këtij brumi, Kosova sot është shteti më i varfër, më i paarsimuar dhe më i korruptuar në Evropë dhe prandaj as ne as qytetarët nuk presin ndryshim prej njerëzve të njëjtë. Ndryshimi vie vetëm përmes zgjedhjeve, përndryshe do të kemi sistem shëndetësor të kolapsuar dhe atë financiar të të falimentuar”, vlerëson deputeti Basha.

Gazeta ka kontaktuar deputetë të LDK-së nëse me hyrjen e PDK-së në qeveri do të ketë ndryshime, mirëpo ata nuk e kanë komentuar këtë ҫështje.

Zeqiraj: Për hyrjen e PDK-së në qeveri po bëhet një pazar i ndyrë

Image
Idriz Zeqiraj- Publicist

Ndërkaq publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj thotë se prej tri dekadash ka qenë në strukturën drejtuese të LDK-së në Mërgatë, ku ka përcjellë vëmendshëm rrjedhën politike të kësaj partie.

Sipas tij, pas shuarjes të Presidentit Rugova, u vërejtën devijimet e para, klanet brenda LDK-së.

“Pas Kuvendit të VII-të Zgjedhor, klani, tashmë, i konsoliduar, hodhi idenë e "një LDK-je të re"! Statuti i ndryshuar, ishte në shërbim të kryetarit Isa Mustafa dhe klanit të tij, rast të dyshuar për konspiracione e pazare të pista me PDK-në. Përjashtimi i debatit brenda partiake, eliminimi i konkurrencës dhe zëvendësimi i votimit të fshehtë, me aklamacionin komunist, i degradoi zgjedhjet partiake, deri në degjenerim të plotë. Dhe, kjo filloi nga lart-poshtë, pra, nga qendra në bazë. "Zgjedhja" e kryetarit të partisë, me 50+1% qysh në kandidim, kulmoi mashtrimin e turpshëm. Personalisht, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani; të zëdhënësit të kësaj Dege; të kryetarit të Nëndegës të Landit të Bavarisë; të delegatit në tri Kuvendet e fundit "Zgjedhore" të LDK-së, më saktë, maskaradës zgjedhore  si dhe të gazetarit profesionist, kam denoncuar të gjitha këto prapësira të klanit, brenda Kryesisë Qendrore të LDK-së” vlerëson Zeqiraj.

Ai më tutje komenton veprimet e LDK-së dhe kryetarit të saj Isa Mustafa, pas shkarkimit të Vjosa Osmanit, siҫ e quan ai anëtaren më të votuar brenda LDK-së, nxënësen më besnike e fisnike të Presidentit Ibrahim Rugova.

“Por, denoncimi publik i Vjosa Osmanit, duke qenë Nënkryetare e LDK-së, se "strukturat drejtuese të partisë, prej shumë vitesh, nuk janë provuar me votën demokratike të anëtarësisë të LDK-së, por, as të popullit të Kosovës, pra, nuk kanë legjimitet për udhëheqje", ngjalli zemratën e kryetarit Mustafa dhe të klanit të tij.  Andaj, reaguan tërbueshëm, duke e shkarkuar nga Kryesia anëtaren më të votuar brenda LDK-së, më të devotshme, nxënëse besnike e fisnike e Presidentit Rugova, Vjosa Osmanin. Ishte një ndëshkim tipik komunist, i egër, inatçor dhe skajmërisht i turpshëm” vlerëson ai.

Publicisti Zeqiraj thotë se koalicioni PAN, sipas tij është një aleancë e partive-banda, të bashkuar me qëllime mbrojtëse nga drejtësia, për mëkatet gjatë dhe pas luftës, që kishte mbushur kupën, ishte bërë e neveritshme për shqiptarët, madje, të kudondodhur.

“Aleanca e re VV-LDK u mirëprit me entuziazëm, se, më në fund, ndryshimi i shumëpritur po vjen. Por, stërzgjatja e ndarjes të ministrive, futja si pykë e pozitës të presidentit, gjë që nuk ishte parashikuar në marrëveshjen fillestare, ngjalli dyshime bazike. Kushti Isa-president, e dështonte premtimin për ndryshim të këtij koalicioni të bujshëm dhe simpatik, andaj, ishte i papranueshëm jo vetëm për VV-në, por, edhe për anëtarësinë e LDK-së dhe popullin e Kosovës. "Lindja e vështirë" e koalicionit VV-LDK, filtrimet konspirative, por, edhe të hapura, me PAN-in, lëndëzuan dyshimin e bazuar se LDK-ja, e shantazhuar nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj, do ta prish "koalicionin e shpresës të shqiptarëve për ndryshimin". Dhe, ashtu ndodhi”, thekson ai.

Zeqiraj thotë se me hyrjen e PDK-së në koalicionin qeverisës, është kthim prapa tek qeveritë e mëparshme, pra tek PAN-i.

“Bëra një parantezë, për të parë metamorfozën e një LDK-je, dikur krenare, parimore, shtetformuese e konsoliduese e Kosovës, tani, e "hallakatur", kalkuluese e padinjitetshme dhe zvarranike PAN-it, për interesa personale e grupore të klanit Mustafa. E gjithë kjo, tërësisht, në dëm të LDK-së dhe të Kosovës. Koalicioni i LDK-së me AAK-në dhe Nisma, janë trampolinë, për ta arritur koalicionin e preferuar nga klani Mustafa me PDK-në, alias PAN-in. Me hyrjen e PDK-së në koalicionin aktual qeverisës, realisht, është kthim tek qeverisjet paraprake, tek PAN-i. Qysh tani LDK-ja ka hequr, të paktën, 6 pikat kryesore programore, që i kishte premtuar popullit të Kosovës, në fushatën e fundit zgjedhore. Asnjë ndryshim nuk mund të pritet. Pikërisht, tani, me PDK-në brenda, nuk mund të fitojë dhe, aq më pak, të thirret në asfarë legjitimiteti. Sepse e paligjshmja, nuk sjell asnjë legjitimitet”, vlerëson ai.

Ai ka komentuar tutje edhe zgjedhjen e një presidenti të ri, që sipas tij është një pazar i ndyrë, nga i cili po vuan Kosova dhe populli i saj.

“Përfolja për zgjedhjen e presidentit, nga një parti e tretë, është një pazar po aq i ndyrë, sa Isa-kryeministër, Hashimi-president. Rrjedhojat fatale të pazarit në fjalë, vazhdon t`i vuajë Kosova dhe populli i saj. Andaj, është koha për zgjim popullor, për t`u dhënë fund pazarllëqeve të tipit "Zajednica", "Demarkacioni", Hashimi-president dhe pisllëqeve tjera kundra-Kosovë! Koordinatori për dialog, është pjellë e Hashimit, klanit Mustafa dhe jo i kryeministrit Hoti. Kthimi i "trojkës të zezë": Hashimi-Isa-Skënderi, është një ogur i keq për Kosovën. Të gjitha shqetësimet e Albinit, për ndarjen e Kosovës, i konfirmuan Bolton dhe Trump. Prandaj, rikthimi i trinomit të cituar, është një provokim, sa i rrezikshëm, aq edhe i poshtër për shqiptarët”, thekson analisti Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat