Skenari, pse xhandarmëria serbe hyri në Kosovë

Politika

Skenari, pse xhandarmëria serbe hyri në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 gusht 2020 Në ora: 09:03
Foto nga hyrja e xhandarmërisë serbe në Karaçevë

Nuk është hera e parë që xhandarmëria serbe shkel në tokën e Kosovës.

Pas hyrjes së xhandarmërisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës ditë më parë në Karaçevë reagimet e qytetarëve dhe profileve të ndryshme të fushave të politikës kanë qenë të shumta.

Analistët politik vlerësojnë se reagimet e institucioneve tona nuk ishin të fuqishme.

Sipas tyre, për këtë veprimtari paraprakisht nuk janë informuar as institucionet e Kosovës, dhe as Ministria e Mbrojtjes.

Bytyçi: Shkelja në territorin shqiptar të xhandarëve serbë ishte pjesë e skenarit për tjetërsimin e territorit të saj

Profesor dr. Enver Bytyçi ka thënë se nuk është hera e parë që xhandarmëria e Serbisë provokon dhe shkel në territorin e Kosovës.

Image
Enver Bytyçi

“Ashtu si herët e tjera edhe kësaj radhe KFOR-i u përpoq që të ulë tensionin, duke e justifikuar këtë ngjarje me arsye të paarsyeshme. Dhe kjo është detyra e KFOR-it, te qetësojë situatat acaruese të ruajë qetësinë në Kosovë. Por nuk më pëlqeu komunikata e KFOR-it në të cilën përmendet kufiri e ndërkohë ritheksohej më tej termi kufiri administrativ. Edhe kur Kosova ishte nën administrimin e OKB-së, kufiri i saj zyrtarisht njihej si kufi e jo si vijë administrative. Kjo nuk është shenjë e mirë. Së dyti, tashmë është e ditur se Kosova kërcënohet ende si në kohën e Milosheviçit nga ana e Serbisë”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, ndaj dhe reagimet e politikës e sidomos të qytetarëve në këtë rast ishin të arsyeshme.

“Në perceptimin dhe konceptin tim Serbia përbën rrezik kryesor për Kosovën në disa aspekte: Në aspektin e sigurisë territoriale, në çështjet e sigurisë politike, ekonomike, të harmonisë etnike e fetare, pra në te gjitha sferat e jetës. Do ta quaja normale që Beogradi të mos e njohë Kosovën, por kurrë nuk mund të quhet normalitet kur Serbia dhe shërbimet e saj blejnë politikanë, gazetarë, njerëz me autoritet në Kosovë e madje edhe në Shqipëri, me qëllim që t’i angazhojë ata në programet dhe projektet antishqiptare. Nuk është normale të bllokojë përpjekjet e Kosovës për zhvillimin e prosperitetin e saj ose për integrime euro-atlantike. Shkurt, Kosova mbetet e rrezikuar sa kohë që në Beograd bëhen përpjekje për të realizuar projektet serbe të asgjësimit të shqiptarëve si qenie humane ose për të pushtuar territore të saj”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai konsideron se shkelja në territorin shqiptar të xhandarëve serbë ishte pjesë e skenarit për tjetërsimin e territorit të saj.

”Mesazhi ishte i qartë: “Ju shqiptarët dhe banorët e tjerë të Kosovës nuk mund ta konsideroni këtë territor si tuajin, nuk mund të jeni zot në shtëpitë tuaja”! Kjo filozofi anti-shqiptare në Kosovë ka ekzistuar historikisht, deri te Milosheviçi dhe po adaptohet nga qeveria aktuale e Aleksandër Vuqiç. Kjo situatë duhet të ndryshojë. Partitë politike reaguan fort. Haradinaj shkoi në terren. Çun Laçi e ironizoi shkuarjen e Haradinajt në territorin ku shkelën xhandarët serbë. Banorët thonë se e kanë marrë vetë ata në dorë ruajtjen e territorit nga diversionistët serbë. Reaguan fort sidomos politikanët e Partisë Demokratike, por edhe ata të Vetëvendosjes. Të moderuar në reagim u treguan përfaqësuesit e qeverisë. Nëse i analizojmë të gjitha këto reagime më rezulton se: 1. Partitë opozitare duket se mezi presin të ndodhin ngjarje të tilla për të shit pak patriotizëm. Sidomos PDK shfaqet gjithnjë e tillë në opozitë, ndërkohë që kur është në pushtet bashkëpunon pa kushte me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, Listën Srpska”, ka thënë profesor Bytyci.

Mes tjerash profesori Bytyçi ka thënë se edhe kjo qeveri është në këmbë me votën e Listës Srpska.

“Në kushte të tilla, kur e “fut ujkun në vathë” nuk është fer që të shesësh patriotizëm. Përfaqësuesit e qeverisë së paku nuk e bënë këtë. Ndërsa për reagimet e Vetëvendosjes nuk vlen ky arsyetim, sepse në qeverisjen e saj nuk pati kohë të japë shembuj bashkëpunimi me Listën Srpska ose me Beogradin. 2. Kam përshtypjen se provokimi i hyrjes së ushtarëve serbë në territorin e Kosovës ishte një provokim. Bëj pyetjen vetes, pse nuk provokojnë në territorin e Veriut të vendit, ku është stacionuar KFOR-i, por gjejnë xhepa në pjesë të tjera të territorit, aty ku nuk ballafaqohen me KFOR-in?! Nga ana tjetër në projektet e Beogradit të mirënjohura nga Hashimi, Edi e Batoni, pjesa lindore e Gjilanit, ose Anamorava, siç thuhet, bën pjesë në atë që deri tani u konsideruar si mundësi për shkëmbim territoresh”, ka thënë profesor Bytyçi.

Sipas tij, kjo do të thotë se provokacioni ka një prapavijë të caktuar.

“Së paku duhet marrë si sinjal për të dhënë mesazhin se “Aktorët e ndarjes së Kosovës nuk kanë heq dorë nga ai projekt”! 3. Së treti, mendoj se Beogradi po llogarit gjithashtu të ketë sukses në atmosferën politike të Kosovës, të cilën përpara se ta shkelë në territor e ka përçarë pikë e pesë! Kjo falë shërbimeve të paimagjinueshme që ia kanë bërë Vuqiçit presidenti në ikje i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë! Pra, para se ta shkelin xhandarët serbë tokën e Kosovës e kanë shkelë me çizme serb disa shqiptarë në drejtimin e shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Zogaj: Reagimet e institucioneve tona nuk ishin të fuqishme

Ndërsa analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se që nga përfundimi i bombardimeve të NATO-s dhe momenti i përzënies së forcave ushtarake serbe nga Kosova, dihet se siguria e vendit është absolutisht në kompetencën e KFOR-it.

Image
Skender Zogaj

“Këtë e dinë edhe zogjtë e malit, prandaj, të gjitha variantet e tjera të diskutimit, janë kalkulime injorantësh ose të koluareve me pretendime përfitimesh politike që synojnë t'i arrijnë duke dezinformuar dhe spekuluar me publikun! Shembull eklatant është edhe rasti i patrullimit të sinkronizuar të forcave të KFOR-it me xhandarmerinë serbe, që u realizua më 7 gusht, në Karaçevë. Ngjarja nuk ishte aspak e këndshme, por nuk mendoj se kishte efekte trishtuese, derisa ka qenë organizim i KFOR-it dhe, siç dihet, nuk ka pasur asnjë lloj provokimi konkret të banorëve apo të pasurisë së tyre”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, reagimet e institucioneve tona nuk ishin të fuqishme, sepse, nuk kishte asnjë arsye për hallakatje, mirëpo ishte rasti të shprehej pakënaqësia pse, për këtë veprimtari paraprakisht nuk janë informuar institucionet e Kosovës, apo vetëm Ministria e Mbrojtjes, dhe gjithçka do të ishte në rregull.

“Rastet e këtilla kanë ndodhur dhe kanë për të ndodhur prap, saherë që t'i konsiderojë të nevojshme KFOR-i, që e ka kompetencën e plotë të sigurisë së Kosovës! E që të mos ndodh kështu, Kosova duhet sa më parë të eliminojë krimin dhe korrupsionin, të funksionalizojë shtetin ligjor që NATO të bindet se, kompetenca e KFOR-it për sigurinë mund t'i besohet Kosovës. Atëherë xhandarmeria serbe e din se nuk duhet as mendja ti shkojë për me hy në Karaçevë”, ka thënë analisti politik Skender Zogaj.

Berisha: KFOR është dashur t’i njoftonte institucionet e Kosovës

Ushtaraku Hisen Berisha ka thënë se institucionet e Kosovës nuk po flasin me gjuhën e shtetit.

Image
Hisen Berisha

Sipas tij, janë dy ditë pas dhe gjërat kanë filluar të kthjellen. Institucionet e Kosovës ende nuk po dinë apo s’po duan të dinë, apo nuk kanë mësuar të flasin me gjuhën e shtetit.

“Kjo hyrje ne Kosovë është recidiviste, nuk është hera e parë që policët, kanë hyrë në Karaçevë, po kjo njësi dhe ka hequr flamurin. Nuk është diçka që ka ndodhur sot por reagimi i inat i Kosovës nuk është komfor Kushtetutës dhe gjuhës që përdor shteti. Kompetencat e KFOR-it tashmë dihen, por problemi është se kemi tre natyra të reagimeve brenda vendit. Qëndrimi zyrtar i KFOR, qëndrimi zyrtar të institucioneve qeveritare që është i kamufluar pas qëndrimit të KFOR-it dhe qëndrimet emocionale të grupeve të caktuara që nuk kursehen të përfitojnë edhe në fatkeqësi”.

Ai ka thënë se KFOR është dashur t’i njoftonte institucionet e Kosovës për patrullimin e përbashkët me xhandarët.

“Njoftimi i KFOR ka qenë deklarimi “se kemi marrëveshje me forcat e Serbisë për patrullime të sinkronizuar. KFOR e ka kryer këtë patrullim. Realiteti në terren i filmuar dhe i deklaruar po del se nuk ka pasë patrullim të përbashkët. Por unë dua t’i besoj KFOR. Për një patrullim të tillë është dashur të informohen institucionet qeveritare të Kosovës. Është dashur për çdo veprim ushtarak që të informohen edhe qytetarët. Qytetarët nuk është dashur të shqetësohen. Çka sikur të ndodhte diçka, kur dihet se ka luftëtarë në atë zonë, që do të mund t’i pushkatonte ata 11 ushtarë serbë. Do të kishim një incident të përmasave ndërkombëtare. Do të mund të ndodhte diçka edhe më e keqe. Pastaj do të vinte në pyetje veprimi i intensifikuar i KFOR, problemi është te mos informimi i institucioneve të Kosovës dhe dalja me deklaratë të kamufluar,” ka thënë ushtaraku Hisen Berisha.

Halimi: Xhandarmëria serbe provokim

Kurse Armend Halimi nga Instituti për Studime te Sigurisë ISS, ka thënë se sado që kalimi në territorin e Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe janë te papranueshme dhe provokim, ato më tepër ngjallin irritim, sesa frikë tek qytetarët e Republikës së Kosovës.

Image
Armend Halimi

“Këtë e konsideroj për dy arsye: dihet botërisht se me rastin e tentimit të agresionit serb për aneksim apo çfarëdo forme të dhunës ndaj territorit të Kosovës, ata do të ndeshën me forcën euroatlantike, njeherit me të fuqishme në planet, siç është NATO. Kjo është edhe e garantuar me Rezolutën 1244, dhe njeherit krahas tyre, tashmë të konsoliduar edhe forcat e sigurisë së Republikës së Kosovës, mjaftueshëm për ti dalur në ballë një provokimi të tillë. Në fakt këtë realitet e din edhe vete shteti serb, gjë që mund të hedhim poshtë teorinë për përpjekje për sulm ndaj territorit të Kosovës nga Serbia”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, lënia nën mjegull e kësaj ngjarje, jep arsye e teori të ndryshme.

“Ishte jo bindës dhe kundërthënës sqarimi nga ana e KFOR-it, gjë që lë mundësinë e ndonjë skenari të fshehtë politik, me bekimin pra politik, jo një hap krye në vete nga shteti serb. Por, për të eliminuar shqetësimet e qytetarëve, nëse KFOR-i nuk vepron mbi bazën e përgjegjësisë që ka për sigurinë e territorit të vendit. Kosova tani më ka të drejtën të kërkoj jetësimin e forcës së saj ushtarake në gjithë territorin e Kosovës, komfor misionit të ushtrisë së FSK-së, si dhe rritjen e patrullimeve të policisë kufitare. Ndryshe, përsëritja e skenarëve të tilla, siç edhe u pa ngjallë për veç shqetësimit edhe revoltën qytetare, gjë që mund të eskalojë edhe me mbrojtje vetanake qytetare”, ka thënë Armend Halimi nga Instituti për Studime te Sigurisë ISS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat