“Zhvillime dramatike dhe tronditje për Kosovën”, çfarë po paralajmëron Haziri?!

Politika

“Zhvillime dramatike dhe tronditje për Kosovën”, çfarë po paralajmëron Haziri?!

Nga: P.R Më: 11 gusht 2020 Në ora: 19:37
Lutfi Haziri

Lutfi Haziri, nënkryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, ka paralajmëruar se java e ardhshme do të jetë vendimtare për Qeverinë e Kosovës.

“Priten zhvillime të rëndësishme nga dhomat e Specializuara”, ka deklaruar Haziri për mediat në Kosovë.

Se do të ketë zhvillime dramatike në Kosovë, paralajmëron edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

“Pajtohem me z. Lutfi Haziri sa i përket paralajmërimeve se do të ketë zhvillime interesante gjatë kësaj jave, por edhe në vazhdimësi kur flitet për gjykatën Speciale dhe propozim aktakuzat që mund të publikohen nga Prokuroria e Gjykatës Speciale, të cilat padyshim se do të kenë impakt në skenën politike kosovare duke përfshirë edhe vet Qeverinë Hoti, por jo aq sa edhe do ta determinojnë fatin e saj”, shprehet analisti Haziri për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

 

Sipas tij, mund të ketë edhe një zgjerim të koalicionit qeverisës.

“Paralajmërimi i nënkryetarit të LDK-së, z. Lutfi Haziri ka të bëjë me rikonfigurimin e forcave politike brenda qeverisë Hoti, që do të thotë se mund të kemi një zgjerim të koalicionit aktual me përfshirjen edhe të PDK-së, si rezultat apo nevojë e zhvillimeve politike që kanë të bëjnë edhe me Gjykatën Speciale por edhe me vazhdimin e dialogut me Serbinë”, thekson më tej Haziri.

Madje ai ka paralajmëruar edhe se mund të ketë një ‘tronditje’ në skenën politike në Kosovë.

“Por gjithsesi nga këto zhvillime do të ketë një “tronditje” të Kosovës, pasi bëhet fjalë për propozim aktakuza që do iu publikohen njerëzve që kanë peshë politike në Kosovë e që dikur po ashtu kanë pasur peshën e tyre në hierarkinë e UÇK-së gjatë periudhës së luftës, e që po ashtu do të ngrisë pakënaqësi te organizata e dala nga lufta e UÇK-së që do të provojnë edhe me protesta dhe forma të tjera të paralajmëruara nga ta për ta kundërshtuar procesin e drejtësisë të Gjykatës Speciale”, deklaron Haziri

“Ajo çka është pozitive dhe unë do të apeloja tek qytetarët e vendit që vëmendja e tyre të jetë në kujdesin e shtuar për ta ruajtur shëndetin e tyre për shkak të prezencës së pandemisë Covid-19, dhe mos të jenë pjesë e asnjë kundërshtimi që ka të bëjë me Gjykatën Speciale dhe punën e saj, pasi vënia e drejtësisë, zbardhja e krimeve të bëra nga kush do qoftë është në shërbim të Kosovës dhe perspektivës tonë si një shoqëri normale, ku sundon rendi dhe ligji me ambicie për integrime euro-atlantike”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat