Vjen akuza e rëndë ndaj Hashim Thaçit, përmendet SHIK-u dhe Fatos Klosi: Do të dënohet për...

Politika

Vjen akuza e rëndë ndaj Hashim Thaçit, përmendet SHIK-u dhe Fatos Klosi: Do të dënohet për...

Nga: P.R Më: 13 gusht 2020 Në ora: 19:22
Fatos Klosi dhe Hashim Thaçi

Më 24 gusht të këtij viti, bëhen plotë gjashtë muaj që kur Prokurori i Specializuar i Hagës ka dorëzuar aktakuzat e para tek gjyqtari i Procedurës Paraprake, dhe sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara, brenda kësaj periudhe kohore i takon gjyqtarit të vendos nëse e nëse e konfirmon apo nëse e hedh poshtë një aktakuzë.

Edhe pse janë publikuar zyrtarisht propozim aktakuzat nga Gjykata Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish kreut të SHIK-ut, tash kryetar i PDK-së, Kadri Veseli, ende ato nuk janë konfirmuar nga gjyqtari përkatës.

Se a do të konfirmohen ato, dhe çfarë do të ndodhë me Thaçin e Veselin, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i njohur, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

 

“Kur Hashim Thaçi u paraqit në Gjykatën Speciale në Hagë tha një të vërtetë: "Ky është çmimi I lirisë që duhet ta paguaj"! Iu drejtua djalit të tij, familjes dhe qytetarëve të Kosovës me këto fjalë në rolin e viktimës së një luftëtari për liri të Kosovës!!! Por në fakt ai, si gjithnjë manipuloi me lirinë. Kosova e ka mësuar tashmë se lirinë Hashim Thaçi e përdori për të grabit pasuritë e Kosovës, për të pasuruar veten dhe njerëzit e tij të familjes, farë e fisit dhe klanit PRONTO, për të luftuar kundërshtarët e tij politikë dhe së paku për të nxit dhunën e vrasjet kundër tyre, për të…. bërë pazare me territoret e Kosovës, duke bashkëpunuar me Alëeksandër Vuçiç dhe Edi Ramën. Liria e Hashim Thaçit fillon pas lufte dhe jo në luftë. Luftën për liri e bënë ata që dhanë jetën, ata që u përdhunuan, ata që mbetën të gjymtuar dhe sot nuk kanë mese të jetojnë, ata që luftuan me idealizëm për lirinë. Jo Hashim Thaçi, i cili përpiqet të bëjë viktimën dhe pasi grabiti gjithçka nga trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, përpiqet të grabisë edhe çmimin e lirisë”, thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, ndaj Hashim Thaçit nuk mungojnë dëshmitarët që pritet t’i dalin përballë në Hagë.

“Megjithatë, këtë lloj propagande bajate unë e konsideroj si përpjekje të presidentit të Kosovës për t'i shpëtuar opinionit publik, por jo edhe ndëshkimit në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë. Pavarësisht faktit se problemi më i madh i kësaj gjykate është gjetja e dëshmitarëve të besueshëm, për Hashim Thaçin personalisht nuk mungojnë as dëshmitarët. Kjo falë "lirisë" së tij për të diskriminuar dhe diferencuar me metodat e Milosheviçit elementin shqiptar në Kosovë, sipas skemës "Ky është me ne dhe ky tjetri është kundër nesh"! Ata që I bëri kundërshtarë sot janë dëshmitarët më të mirë të aktivitetit të Hashim Thaçit. Tani jemi në fazën kur po skadon afati i marrjes së një vendimi gjyqësor për akt-akuzën e prokurorit special ndaj Hashim Thaçit. Deri më 24 gusht duhet që gjyqtari special të ketë marrë një vendim të caktuar. Por a mund ta bëjë publike gjyqtari këtë akt-akuzë, nëse merr vendimin për konfirmimin e saj?! Sigurisht që është në kompetencën e tij. Ndërkaq, derisa është bërë publike akt-akuza e prokurorit special, pritet të bëhet publike edhe akt-akuza e miratuar në gjykatë. Publikimi i akt-akuzës nga prokurori special lidhet me faktin se zoti Thaçi dhe të tjerë në Kosovë përpiqen të asgjësojnë veprimtarinë e kësaj gjykate”, shton Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se Thaçi duke shfrytëzuar autoritetin si president i Republikës ka vijuar ta luajë këtë rol destruktiv në drejtim të kësaj gjykate.

“Në fillim tentoi të rikthejë në vëmendje revokimin e ndryshimeve kushtetuese për shuarjen e Gjykatës Speciale. Më pas nxiti një ligj, me të cilin donte të penalizonte gjithkënd që kritikon UÇK-në dhe drejtuesit e saj, pra për të mbrojtur veten e tij nga sulmet politike dhe civile. Nëse Hashim Thaçi do të kishte dhënë dorëheqjen në shembullin e Haradinajt, do të kishte përfituar vëmendje dhe respekt më të madh nga qytetarët e Kosovës. Ndoshta do të kishte rritur kreditet dhe besimin tek ata. Por fakti që ai po mbrohet me postin që e mban me pazare politike me Isa Mustafën, e ka dobësuar akoma më shumë autoritetin e tij te sytë e qytetarëve të Kosovës e më gjerë”.

“Për këtë arsye mendoj se gjyqtari special do të vendosë dhe do ta komunikojë në publik vendimin e tij për ta marrë Hashim Thaçin si të pandehur për krime lufte. Por unë nuk shoh ndonjë mundësi që të provohet kjo fajësi sa i përket asaj që pretendohet për krime lufte kundër serbëve dhe romëve. Kjo edhe për faktin se Thaçi nuk besoj të ketë qenë aq i pasionuar për eliminimin e serbëve e romëve, të cilët nuk ishin pengesë për të marrë pushtetin në Kosovë”, deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi thotë se Hashim Thaçi krijoi po në mënyrë ilegjitime atë që u quajt SHIK, në modelin e SHIK-ut të Fatos Klosit.

“Nëse i rikthehemi historisë së Kosovës, sidomos gjatë dimrit, pranverës dhe verës së vitit 1999, ne shohim se përpjekjet e Thaçit ishin përqendruar në marrjen e pushtetit që e zotëronte institucionalisht dhe moralisht Rugova. Krijoi qeveri ilegjitime, krijoi prefektura menjëherë pas luftës, të cilat bënë listat e eliminimit të kundërshtarëve politikë, përkrahës të Rugovës. Krijoi po në mënyrë ilegjitime atë që u quajt SHIK, në modelin e SHIK-ut të Fatos Klosit. Krimet duhet të motivohen. Thaçi nuk ishte i motivuar për krime kundër serbëve dhe romëve, ndërsa ishte i motivuar për krime kundër shqiptarëve. Kësaj pike nuk i shpëton ai. Ndaj besoj se Haga po e pret Hashimin dhe Hashimi e di këtë, sepse po bën çmos të ruajë trashëgiminë e tij në institucionet e Kosovës. Edhe sot motivi i tij është pushteti pa praninë fizike të tij, jo mbrojtja ndaj akuzave! Ndërsa Kosova, për rrethanat në të cilat ajo erdhi për shkak të destruktivitetit të presidentit të saj, jo vetëm nuk tronditet, por çlirohet nga një manjak pushteti e pasurie!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat