Takimi i 2 shtatorit, analisti tregon se pa kë nuk mund të arrihet marrëveshja

Politika

Takimi i 2 shtatorit, analisti tregon se pa kë nuk mund të arrihet marrëveshja

Nga: G.B Më: 14 gusht 2020 Në ora: 14:46
Richard Grenell

Takimi i planifikuar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, për dialogun Kosovë Serbi, kishte dështuar për shkak të aktakuzës nga Specialja për presidentin Thaçi dhe liderin e PDK-së, Kadri Veseli.

E tani, ambasadori Richard Grenell ka njoftuar se takimi i radhës do të mbahet me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në mes të përfaqësuesve të të dyja vendeve.

Por, çfarë mund të pritet nga ky takim?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se pa Amerikën nuk mund të bëhet asnjë hap në dialog dhe se ata që e quajnë Amerikën Amelika, do të zhgënjehen.

“Kam besuar dhe besoj se pa Amerikën, pa lejen e miratimin e saj nuk bëhet asnjë hap para në dialogun Kosovë - Serbi veç ndonjë kronike rutinë mediatike. Të gjithë enveristet, evropianistët, ata që i thonë Amerikës Amelika, ata që mendojnë se mund të ketë zhvillime pozitive për Kosovën pa ndërhyrje, ndikim e diktim amerikan, do të mbeten të zhgënjyer e të dështuar. Kosova shtet siç është sot është investim amerikan, projekt amerikan, ëndërr shqiptare e bërë realitet nga Amerika”, është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, Kosova është histori e jashtëzakonshme suksesi, pavarësisht se e kanë shëmtuar e dëmtuar Kosovën qeveritarët e modelit enverist të Tiranës e komandantët analfabetë, duke shtuar se ata që iu gëzuan aktakuzës ndaj Thaçit, duhet ta dinë se Amerika nuk dështon.

“Sado që e kanë shëmtuar e dëmtuar Kosovën qeveritarët e modelit enverist të Tiranës, komandantët analfabetë funksionale e grykës të pangopur, prapë Kosova është histori e jashtëzakonshme suksesi, është shtet funksional që thith vazhdimisht vëmendje e kujdes nga nivelet e larta të botës. Ata që duartrokitën dështimin e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë për shkak të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, duhet të mësohen se Amerika nuk dështon. Amerika e realizon në çdo rrethanë misionin e saj. Dhe i bind të gjithë me hir ose pahir se Amerika është fuqia udhëheqëse për çdo gjë, por veçanërisht për Kosovën është oksigjeni, është A dhe ZH e gjithë çështjes së Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Shahu thotë se nuk e di se çfarë mund të ndodhë në takimin e 2 shtatorit, por që pa Amerikën nuk mund të ketë marrëveshje shqiptaro-serbe.

“Unë nuk e di çfarë mund të ndodhë në takimin e 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, por di se pa Amerikën nuk mund të ndodhë asgjë, pa Amerikën nuk mund të ketë dialog të vërtetë dhe aq me pak marrëveshje shqiptaro serbe. Sepse askush nuk mund të jetë garant i garantuar i ndonjë marrëveshje para Amerikës”, ka deklaruar Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat