Ramush Haradinajt i vjen paralajmërimi i fortë, përmendet Thaçi dhe Gjykata Speciale

Politika

Ramush Haradinajt i vjen paralajmërimi i fortë, përmendet Thaçi dhe Gjykata Speciale

Nga: P.R Më: 14 gusht 2020 Në ora: 19:32
Ramush Haradinaj dhe Hashim Thaçi

Ani pse Hashim Thaçit do t’i skadojë mandati i Presidentit në muajin shkurt, në rast se nuk ka ndonjë zhvillim nga Gjykata Speciale, Ramush Haradinajn nuk e ka penguar që ta shpall haptas kandidaturën për postin e presidentit.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të AAK-së, Haradinaj tregoi se është i gatshëm që të fillojë bisedimet me partitë politike, duke synuar që të zgjidhet president.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, shkroi Haradinaj.

Por kundër Ramush Haradinaj ka dalë edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“Është krejt e pakuptimtë ambicia e Ramush Haradinajt për postin e presidentit të vendit, duke llogaritur në konfirmimin e aktakuzës për presidentin aktual Thaçi nga Gjykata Speciale do të jetë zhgënjyese për Haradinajn, për faktin se edhe vet ky mundet të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale”, shprehet analisti Haziri.

Sipas Hazirit, ka shumë faktor që e bëjnë të pamundur që Haradinaj të zgjidhet si president i vendit.

“E para Haradinaj nuk gëzon kurrfarë reputacioni ndërkombëtar që të jetë një burrshtetas i pranuar dhe i respektuar në arenën ndërkombëtar për shkak të kaluarës së tij, dhe jo vetëm asaj politike, nuk është një njeri që do të mund të përfaqësonte unitetin qytetar dhe politik në vend, mungesa e fuqisë politike, pasi vije nga një parti rajonale siç është AAK-ja, prirja e tij profesionale e politike le shumë për të dëshiruar dhe faktor të tjerë që në fund të fundit zgjedhja e tij për president nuk do ti bënte nder vendit e as nuk do të kontribuonte në ngritjen e imazhit të rrënuar ndërkombëtar të vendit”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosovës i duhet një president që gëzon autoritet te qytetarët e vendit, gjë të cilën, sipas Hazirit nuk e ka Haradinaj.

“Kosova nuk ka nevojë për një president të tillë, sikur z, Haradinaj, e as sikur z. Thaçi që tashmë është në fund të mandatit, të cilët janë lehtë ta atakueshëm dhe të shantazhuar jo vetëm nga media ndërkombëtare, por edhe nga kundërshtarët e shtetit të Kosovës, e që paraqesin problem edhe në raport me bashkëpunimin me partnerët tanë ndërkombëtar. Kosovës në kohë aspak të favorshme dhe siç e thamë me një imazh që lë shumë për të dëshiruar në arenën ndërkombëtar, i duhet një president që gëzon autoritet te qytetarët e vendit, i përgatitur profesionalisht, me kredibilitet moral dhe politik, dikush që do të mund ta përçonte mençurinë dhe urtësinë e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, që është shumë e nevojshme tani për vendin tonë qoftë për ta kthyer besimin e qytetarëve të institucioni i presidentit, por edhe ta fitonte respektin për vendin edhe në rrafshin ndërkombëtar”, thekon Haziri.

“Kosova duhet të çlirohet përfundimisht nga njerëzit me të kaluara të dyshimta të cilët duke qenë bartës të institucioneve më të larta të vendit, kanë bërë që Kosova në rrafshin ndërkombëtar të shihet si një shtet jo funksional, për të mos thënë I dështuar. Andaj Haradinaj është mirë që të heqë dorë nga kjo ambicie dhe të pushoi së shatntazhuari partnerin e madh në koalicion LDK-në, pasi zgjedhja e tij si president, ka shumë gjasa që të mbetët vetëm edhe një ëndërr e tij e paralizuar”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat