“Spektakli” i Haradinajt për president!

Politika

“Spektakli” i Haradinajt për president!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 15 gusht 2020 Në ora: 08:29
Ramush Haradinaj

Veprimet e Këshillit të Përgjithshëm të AAK- së për nominimin e Haradinajt për president të Kosovës, janë të parakohshme e të qëllimshëm vetëm për të shtuar edhe më shumë problemet politike në Kosovë. 

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, ku sipas tyre, pas ambicieve të mëdha të politikanëve për postin e Presidentit, skena politike me siguri që do të përçahet përsëri. 

Sipas tyre, president i Kosovës duhet të jetë dikush që nuk është i kapur nga asnjë fije shërbimesh sekrete. 

Shahu: Presidenti duhet të jetë intelektual, e jo nga ata me diploma e grada të blera nëpër kioska universitete 

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “ Bota sot” se, fillimisht do të duhej të bënte dorëheqjen një orë e më parë presidenti në detyrë Thaçi i cili tash po rri në post si në ferra si në një zyrë të huaj, ku ndodhet gabimisht.  

Image
Rexhep Shahu

 “Si të ikë Thaçi, presidentin e Kosovës e mendoj te jete intelektual i modelit Rugova. Nuk e mendoj president të Kosovës asnjë eksponent të njohur të politikës aktuale të sotme, dhe nuk e mendoj president të Kosovës asnjë njeri që nuk është intelektual para të cilit heqin kapelën prej autoritetit të dijeve. Po ashtu nuk e shoh asnjë  president asnjë komandant as të vërtetë as luftës as komandant të rrejshëm të pasluftës”, ka thënë analisti politik Shahu. 

Sipas tij, president i Kosovës duhet të jetë dikush që nuk është i kapur nga asnjë fije shërbimesh sekrete.  

“President i Kosovës duhet të jetë pa dosje në Beograd dhe trim, një njeri që nuk i jargavitet Serbisë as Turqisë. President i Kosovës duhet të jetë një intelektual qe nuk e toleron instalimin e komunizmit dhe enverizmit në Kosove, një njeri që nuk toleron as lejon që në Kosovë të ndërtohen xhamia me shume se shkolla dhe nuk lejon që Kosova të konkurrojë askund për lartësi minaresh. Shkurt presidenti të jetë intelektual, e jo nga ata me diploma tituj e grada të blera, nëpër kioska universitete. 

Mehazi: Qëllimi politik primar i sotëm është dialogu me Serbinë e jo i kryetarit të shtetit 

Ndërsa njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se AAK-ja këto kërkesa të parakohshme i bën sa për të dekoncentruar e zbehur edhe me qeverinë e Hotit së bashku me Hysenin ndaj dialogut me Serbinë. 

Sipas tij, qëllimi politik primar i sotëm është dialogu me Serbinë e jo i kryetarit të shtetit. 

Image
Sulejman Mehazi

“Koha për presidentin e ri të Kosovës është e largët deri në prill, përballë dialogut të tanishëm me Serbinë. Nominimi i Haradinajt nga AAK-ja e tij për president është vetëm spektakël politik e asgjë më shumë. AAK-ja bëhet sikur është partia e parë politike e jo e katërta sipas deputetëve, behet sikur i ka maksimum 81 deputetë e minimum 61 deputetë për t'u bërë Haradinaj kryetar i Republikës së Kosovës:, ka thënë profesor Mehazi. 

Ai konsideron se partinë e AAK-së mund ta krahasojmë më partinë e BDI-së të Ali Ahmetit, ku ky i fundit me numrin e 15 deputetëve kërkon kryeministrin shqiptar në RMV. 

"President i Kosovës mund të behet vetëm ajo parti që mund të sigurojë 81 deputetë, apo pas turit të tretë 61 deputetë, për ndryshe kurrë Haradinaj nuk mund të bëhet president me 13 deputetët e AAK-së. Për popullatën e Kosovës më së miri do të ishte që presidente e Republikës së Kosovës të behet gruaja e autoritetshme dhe e hekurt Vjosa Osmani", është shprehur njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi. 

Elezaj: Kosova ka një qeveri të dobët dhe të pa aftë, e cila është jashtë funksional 

Ndërsa analisti politik Rexhep Elezaj, ka thënë se skena politike në Kosovë, asnjëherë nuk ka qenë më e përçarë se që është tani, por ky është realiteti i hidhur i gjendjes politike në Kosovë. 

Image
Rexhep Elezaj

“Duke e marrë parasysh se pandemia me Covid-19 tani më ka dalur nga kontrolli, çdo ditë kemi mbi 10-12 vdekje në 24 orë si dhe mbi 250 qytetarë të infektuar nga korona-virusi, ekonomia ka rënë për toke. E them këtë pasi nuk prodhohet pothuajse asgjë që i sjellë profite buxhetit të shtetit dhe përmirësimit të standardit jetësorë, papunësia është rritur mbi 50%-ind, varfëria ekstreme ka shkuar mbi 20%-ind, kanë falimentuar me qindra firma private, rrogat dhe ndihmat sociale janë në nivel mizerabël. Madje  as ato nuk iu paguhen njerëzve me kohë, një numër i madh i qytetarëve jeton sot për nesër me nga një euro në ditë, dhe kështu me radhë..!? Ndërsa, në anën tjetër të barrikadës plangmarrëse, oligarkët e pa shpirt dhe politikanët e sëmurë nga lakmia për pushtet, bëjnë garë rreth postit të presidentit, se cila parti do ta grabis atë kullë të “fildishtë” për të hy në historinë e Kosovës si “fitues” politik, por jo me votën e popullit”, ka thënë Elezaj. 

Sipas tij, Kosova ka një qeveri tepër të dobët dhe të pa aftë me zgjidh cilindo problem, e cila në fakt është jashtë funksionale. 

 “Në Kosovë gjysma e qytetarëve janë infektuar me virusin korona, mbase e cila po mbahet me zor në pushtet, meqë partneret e koalicionit qeverisës nuk koordinohen për asgjë njëri me tjetrin. Madje, nuk dakordohen as lidhur me dialogun me Serbinë, siç ishte rasti kur LDK-ja emëroi koordinatorin për bisedime, Skender Hysenin, pa i pyetur fare dy partnerët e koalicionit, AAK-në dhe NISMA. Kështu që pa asnjë dyshim, vendin e kanë sjellë para kolapsit politik, ekonomik dhe shëndetësor. Dhe, për të qenë turpi dhe imoraliteti i qeverisë “Hoti” edhe më i madh, ende pa dhënë dorëheqje Hashim Thaçi nga posti i presidentit, veç kanë filluar kalkulimet për marrjen e këtij posti, siç doli mbrëmë AAK-ja me propozimin e saj, që për atë post e propozoi liderin e saj, Ramush Haradinaj, duke e ngarkuar skenën politike edhe ashtu të përçarë dhe të acaruar, duke shpërfaqur në opinion ambiciet lakmitare për këtë pozitë të lartë shtetërore”, ka thënë analisti Elezaj.  

Ai ka theksuar se në vend që të gjitha subjektet partiake të angazhoheshin bashkërisht për shpëtimin e popullatës nga pandemia vdekjeprurëse Covid-19 ata luftojnë për karrige. 

 “Se kush do bëhet president i ardhshëm i Kosovës, në këtë pyetje askush nuk mund të jap tani përgjigje të sakët, por rruga e vetme dhe më e mira për Kosovën do të ishte zgjedhja e presidentit në mënyrë të drejtpërdrejt nga votat e popullit, dhe jo më përmes votave në Kuvend. Pasi praktika e deri tanishme ka treguar se mënyra e zgjedhjes së presidentit të Kosovës me votat në Kuvend, ka qenë gabimi më i madh që e kanë bërë hartuesit e Kushtetutës së vendit tonë. Përveç se ky post ishte mollë sherri dhe “teren” për lojëra të ndyta politike midis partive parlamentare, Kosovës në 25 vitet e fundit ky sistem zgjedhor nuk i dha asnjëherë një president të mirëfilltë me profilin dhe sjelljet e të cilit do mburrej populli ynë, por edhe çdo shqiptar në diasporë”, ka thënë analisti politik Rexhep Elezaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat