Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së ka këtë prapavijë!

Politika

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së ka këtë prapavijë!

M.H Nga M.H Më 15 gusht 2020 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Ditë më parë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk i kanë dhënë mbështetje Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, pasi nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Ky ligj nuk u votua nga deputetet, nga 68 deputetë të pranishëm në seancë, vetëm 36 morën pjesë në votim, ku 35 prej tyre votuan pro, një kundër dhe asnjë abstenim.

Në lidhje me këtë temë analisti politik, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” u shpreh që nuk mund të miratohet një ligj I tillë pa ndonjë kriter pasiqë njejtë kanë vepruar edhe me ligjin e vetarënve mirëpo që ndodhi një gabim I pafalshëm.

“Projekt-ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, i propozuar nga deputetët e PDK-së, nuk është një çështje dhe një temë aq e thjeshtë, siç kanë menduar ndoshta propozuesit e partisë në fjalë, ngase kur bëhet fjalë për vlerat e luftës sonë çlirimtare si dhe ato të ushtrisë e cila ka luftuar për lirinë e popullit të vetë që të çlirohet nga robëria e gjatë dhe e egër serbo-sllave, atëherë ato vlera duhet të studiohen dhe analizohen mirë, madje për një kohë bukur të gjatë dhe në mënyrë të gjithanshme nga forume dhe institucione përkatëse shkencore, historike dhe politike, e jo në mënyrë shkel e shko që ato vlera të zbresin thjeshtë në nivel juridik, apo në një ligji të mangët i cili nuk e shpreh realitetin e atyre vlerave! Pra, së pari do duhej të përcaktoheshin normat dhe kriteret që e përkufizojnë në mënyrë të sakët, se çfarë nënkuptohet me vlerat e luftës si dhe cilat janë ato veprime dhe suksese të ushtrisë (të cilës do ushtri) që hyjnë në grupin e vlerave të luftës, e jo të ndodh gabimi i pafalshëm, siç ndodhi me ligjin për veteranët e luftës, me të cilin fare nuk janë përcaktuar ashtu siç duhet kriteret, se kush mund të quhet dhe trajtohet si veteran i luftës, cilat kushte duhet plotësuar, etj., sepse siç dihet me këtë ligj është manipuluar hapur duke iu dhënë statusin e veteranit mbi 60 mijë njerëzve, ndërsa dihet se në frontin e luftës nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë”, u shpreh Elezaj.

Tutue Elezaj parashtron një pyetje se pse pikërisht tani po kërkohet një gjë e tillë nga PDK-ja, pikërisht në kohën kur Thaçi dhe Veseli qenë të ftuar në Gjykatën Speciale.

Image
Rexhep Elezaj

“Andaj, shtrohet pyetja e pashmangshme, se pse duhet të mbrohen me ligj vlerat e UÇK-së, kur dihet se ajo doli nga gjiri i popullit, si forcë e shenjtë dhe luftarake për çlirimin e atdheut, prandaj si e tillë edhe nuk ka nevojë të mbrohet me ligj. Sepse, UÇK-ja dhe vlerat e luftës përgjithmonë do mbeten nën mbrojtjen e popullit, të historianëve dhe të institucioneve shkencore, etj., e që në fakt ky shpirt dhe kjo ndjenjë ndaj saj është forcë mbrojtëse për të shumë e fuqishme se sa çfarëdo ligji qoftë ! Kështu që, propozimi i projekt-ligjit me të cilin PDK-ja pretendon që të mbrohen vlerat e UÇK-së, pa nxjerrjen e ligjit me të cilin së pari është dashur të përcaktohen normat se cilat janë dhe çka mund të përfshihet në vlerat e luftës çlirimtare, e që nismën e propozuesit të këtij projet-ligji, sado që të ketë qenë pozitive, e ka venë në dyshim, sepse ajo ka ardhur në kohën kur ndaj H. Thaçit dhe K. Veselit, dy ish udhëheqësve të UÇK-së, Gjykata speciale ka ngritur aktakuzë të rënd, duke lënë të nënkuptohet se mbrojtja e vlerave të UÇK-së me automatizëm do i mbron edhe ish udhëheqësit e saj nga akuzat në fjalë, gjë që është naive që këto dy gjëra të ndërlidhen me njëra tjetrën”, shtoi Elezaj.

Duke vazhduar më tej analisti thotë që vlerat e UÇK-së të mbrohen me ligj është e panevojshe më sakt është keqpërdorim për qëllime politike, madje nga vetë krerët e shtetit.

“Prandaj, duke qenë se projekt-ligji në fjalë nuk kishte kaluar fare në debat publik gjithandej Kosovës, se lidhur me materien dhe përmbajtjen e tij nuk e kishte dhënë mendimin e saj as ASHAK-ja, por as institucionet tjera shkencore, etj., ka qenë iluzore të pritet që ky projekt-ligj do kalonte me aq “Non-shalancë” tek të gjitha grupet parlamentare, të cilat me shumë të drejt votuan kundër aprovimit të këtij ligji të cekët për nga përmbajtja si dhe në esencë i panevojshëm që vlerat e UÇK-së të mbrohen me ligj, gjegjësisht të keqpërdorën për qëllime politike, siç ka ndodhur shpeshherë në 20 vitet e pas luftës sonë çlirimtare, kur shumë ligje, dekrete dhe norma juridike janë shkelur dhe keqpërdorur në mënyrë bizare, madje nga vetë krerët e shtetit si dhe qeveritarët e pandërgjegjshëm dhe të korruptuar”, theksoi Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat