Çfarë do të ndodhë me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë? Analisti tregon pse Grenell dëshiron të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Politika

Çfarë do të ndodhë me 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë? Analisti tregon pse Grenell dëshiron të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

Nga: G.B Më: 15 gusht 2020 Në ora: 21:11
Donald Trump dhe Richard Grenell

2 shtatori do të mbledhë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori Richard Grenell, përmes një postimi në Twitter, duke mos dhënë më shumë detaje.

Por, çfarë mund të presë Kosova nga një takim i tillë dhe sa ka shanse që së shpejti të kemi një marrëveshje në mes të dyja vendeve?

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se takimi i 2 shtatorit tregon kujdesin e amerikanëve ndaj Kosovës dhe se administrata Trump e di se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

"Besoj se takimi i thirrur me 2 shtator në Washington nga i dërguari special i presidentit D. Trump për bisedimet Kosovë Serbi, z. R. Grenell, para së gjithash, shpreh edhe njëherë kujdesin e miqve tanë amerikan ndaj Kosovës si dhe raporteve tona me Serbinë, ngase administrata amerikane e ka të qartë, se në Ballkanin perëndimor, por edhe më gjerë në Evropë, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm pa normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse takimi i cili duhej të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë midis dy presidentëve, Thaçit dhe Vuçiçit, dështoi për shkak të publikimit të Deklaratës në media të prokurorit special të Gjykatës së Hagës, në të cilën u bë e ditur se Gjykata speciale qysh me 24 prill kishte ngritur aktakuzë ndaj H. Thaçit dhe K. Veselit, për “krime ndaj njerëzimit”, caktimi i takimit të ri me 2 shtator nga ana e z. Grenell, duhet parë si mjaft inkurajues, kur dihet fakti se pa pjesëmarrjen e miqve tanë amerikan në bisedimet Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë marrëveshje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë", është shprehur ai.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, askush nuk mund ta dijë se çfarë do bisedohet, përpos temave ekonomike.

"Ndërsa, se cila do jetë agjenda e këtij takimi, mendoj se askush nuk mund ta dinë paraprakisht se çfarë do bisedohet, përveç temave ekonomike të cilave vetë z. Grenell, qëkur gjendet në këtë mision, iu ka dhënë përparësi ndaj çështjeve politike, sepse ai bashkë me presidentin D. Trump, janë të bindur se normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, së pari duhet të ndodhë në fushën e marrëdhënieve ekonomike, gjë që këtë e dëshmojnë dy marrëveshjet e nënshkruara në prani të z. R. Grenell në fushën e transportit hekurudhor, atij rrugorë dhe ajror. Madje, për këtë ishte kërkesë dhe kusht kryesor ndaj palës shqiptare nga ana e z. R. Grenell, që për vazhdimin e dialogut të ndërprerë midis Prishtinës dhe Beogradit, duhet të hiqej tarifa 100% e vendosur ndaj Serbisë nga ish kryeministri R. Haradinaj si dhe e masat e reciprocitetit të vendosura nga ish kryeministri A. Kurti, qëndrim ky që flet se amerikanët edhe më tej do insistojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë, para se të arrihet marrëveshja finale", ka vlerësuar Rexhep Elezaj.

Ai shton se spekulimet për një marrëveshje në këtë takim janë spekulime.

"Unë mendoj se spekulimet e dëgjuara ditëve të fundit në opinion, se në takimin e 2 shtatorit do ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes finale midis A. Vuçiçit dhe A. Hotit, janë të paqëndrueshme për shumë arsye, kur dihet fakti se një akt i tillë nuk mund të ndodhë pa mbajtjen e negociatave politike, jo vetëm në nivelin më të lartë shtetëror, por edhe në nivel ekspertësh të fushave të ndryshme, e që siç dihet janë një mori çështjesh të hapura për palën tonë, për të cilat duhet të arrihet pajtimi paraprak para nënshkrimit të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi", ka theksuar ai.

Elezaj shprehet i sigurt se Grenell dëshiron të arrihet ndonjë marrëveshje që ta paraqes si skses gjatë fushatës zgjedhore.

"Jam shumë i sigurt, se z. R. Grenell dëshiron me çdo kusht, që midis Prishtinës dhe Beogradit të arrihet ndonjë marrëveshje, të cilën ai do mund ta paraqes gjatë fushatës zgjedhore si sukses të administratës së presidentit D. Trump, dhe kjo vetëm sa do t’i forconte edhe më shumë marrëdhëniet miqësore me miqtë tanë amerikan..", ka deklaruar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat