UÇK-ja e vërtetë nuk ka nevojë për ligj për mbrojtjen e vlerave

Politika

UÇK-ja e vërtetë nuk ka nevojë për ligj për mbrojtjen e vlerave

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 gusht 2020 Në ora: 08:46
UÇK

Është hera e dytë që nuk ka kuorum për votim të Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Ky ligj nuk u votua nga deputetët, ku nga 68 të tillë të pranishëm në seancë, vetëm 36 morën pjesë në votim, ku 35 prej tyre votuan pro, një kundër dhe asnjë abstenim.

Por, mospjesëmarrja e 32 deputetëve tjerë në këtë votim, kthen pas këtë projektligj, me mundësinë e rikthimit në votim në ndonjë seancë tjetër.

Të papranueshëm këtë ligj e panë analistët e vendit duke u shprehur që nuk është e arsyeshme të ketë një ligj për mbrojtje të vlerave të UÇK-së.

Loshi: Votimi i Ligjit për “vlera” ka për qëllim ta mbrojë raportin me PDK-në

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Liri Loshi ka reaguar në lidhje me projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, duke u shprehur që ky projektligj i votuar nga Kujtim Shala dhe Arben Gashi kanë për qëllim të i mbrojë interesat e PDK-së.

“Kujtim Shala dhe Arben Gashi votojnë projektligjin për “vlerat e luftës”! Shih çfarë hipokrizie! Ky veprim i tyre më bën të jem i sigurtë se këta dy deputetë e kishin sulmuar me grushta deputetin e VV-së dhe pastaj me cinizëm kanë mohuar veprimin e tyre primitiv. Votimi i Ligjit për “vlera” ka për qëllim ta mbrojë raportin me PDK-në, respektivisht premtimin për votimin e Ligjit, për të cilin duket qartë se pas presionit publik LDK-ja ka ndryshuar qëndrimin, pra nuk do ta votojë atë”, u shpreh Loshi.

Image
Liri Loshi

Më tej, Loshi thotë që Gashi dhe Shala po e bëjnë nga frika e hakmarrjes së PDK-së që mos ta përkrahë mocionin e VV-së për rrëzimin e qeverisë Hoti. Duke përfunduar që ky variant është hipokrizi e njeriut.

“Politika nuk është hipokrizi, por ka politikanë hipokritë, që bëjnë një veprim të kundërt me aspiratat dhe synimet e tyre, si Arben Gashi dhe Kujtim Shala. A po e bëjnë nga frika e hakmarrjes së PDK-së që mos ta përkrahë mocionin e VV-së për rrëzimin e qeverisë Hoti. Sido që të jetë, në çdo variant, hipokrizia nuk është cilësi e intelektualit as e njeriut që ka një kod të etikës dhe moralit”, theksoi Loshi.

Shahu: Vlerat e UÇK-së janë të mbrojtura, janë të shenjta, janë të pacenuara nga asgjë e askush

Në lidhje me mos mbështetjen e këtij projektligji analisti politik, Rexhep Shahu në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që ky ligj është për t’i mbrojtur spekulimet dhe gënjeshtrat pasi që UÇK është gjithmonë e shenjtë dhe e dashur për të gjithë njerëzit.

Image
Rexhep Shahu

“Mendoj se vlerat e UÇK-së janë të mbrojtura, janë të shenjta, janë të pacenuara nga asgjë e askush, janë të dashura nga gjithë njerëzit. Gjithë tentativat për mbrojtje me ligj të veçantë të vlerave te UÇK janë në shërbim të mbrojtjes së spekulimeve e shtirjeve e gënjeshtrave. UÇK e vërtetë është e shenjtë dhe e mbron çdo individ që do lirinë. UÇK e rreme nuk mbrohet as me ligj as me Maliq, nuk e mbron askush, nuk ka ligj as dekret që e mbron sepse mashtrimi e falsifikimi nuk mbrohet dot as me ligjet me drakoniane”, u shpreh Shahu.

Tutje Shahu thotë që ky ligj është për ta vrarë dhe varrosë UÇK-në, sepse sipas tij, kjo tentativë bëhet nga një pakicë frikacake që është e kërcënuar nga veprimtaritë e ndryshme të paligjshme. 

“Tentativat për të nxjerrë e miratuar ligj për mbrojtjen e UÇK bëhet nga një pakice frikacake, që është e kërcënuar nga veprimtaritë e e ndryshe të paligjshme, të pamoralshme e të pandershme. Mund të imponohet kuvendi nga segmente të ndryshme të miratojë ligj të pandershëm për mbrojtje të pa ndershmërisë, por vjen ndonjë kuvend tjetër dhe i shfuqizon këto ligje, pasi është skandal të bësh ligj për mbrojtjen e UÇK 20 vjet pas lufte. Ky ligj është për ta vrarë e varrose UÇK”, theksoi Shahu për “Bota sot”.

Elezaj: UÇK-ja dhe vlerat e luftës përgjithmonë do mbeten nën mbrojtjen e popullit

Në lidhje me këtë temë, analisti politik Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” u shpreh që nuk mund të miratohet një ligj i tillë pa ndonjë kriter pasi që njëjtë kanë vepruar edhe me ligjin e veteranëve mirëpo që ndodhi një gabim i pafalshëm.

Image
Rexhep Elezaj

“Projekt-ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, i propozuar nga deputetët e PDK-së, nuk është një çështje dhe një temë aq e thjeshtë, siç kanë menduar ndoshta propozuesit e partisë në fjalë, ngase kur bëhet fjalë për vlerat e luftës sonë çlirimtare si dhe ato të ushtrisë e cila ka luftuar për lirinë e popullit të vetë që të çlirohet nga robëria e gjatë dhe e egër serbo-sllave, atëherë ato vlera duhet të studiohen dhe analizohen mirë, madje për një kohë bukur të gjatë dhe në mënyrë të gjithanshme nga forume dhe institucione përkatëse shkencore, historike dhe politike, e jo në mënyrë shkel e shko që ato vlera të zbresin thjeshtë në nivel juridik, apo në një ligji të mangët i cili nuk e shpreh realitetin e atyre vlerave! Pra, së pari do duhej të përcaktoheshin normat dhe kriteret që e përkufizojnë në mënyrë të sakët, se çfarë nënkuptohet me vlerat e luftës si dhe cilat janë ato veprime dhe suksese të ushtrisë (të cilës do ushtri) që hyjnë në grupin e vlerave të luftës, e jo të ndodh gabimi i pafalshëm, siç ndodhi me ligjin për veteranët e luftës, me të cilin fare nuk janë përcaktuar ashtu siç duhet kriteret, se kush mund të quhet dhe trajtohet si veteran i luftës, cilat kushte duhet plotësuar, etj., sepse siç dihet me këtë ligj është manipuluar hapur duke iu dhënë statusin e veteranit mbi 60 mijë njerëzve, ndërsa dihet se në frontin e luftës nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë”, u shpreh Elezaj.

Tutje Elezaj parashtron një pyetje se pse pikërisht tani po kërkohet një gjë e tillë nga PDK-ja, pikërisht në kohën kur Thaçi dhe Veseli qenë të ftuar në Gjykatën Speciale.

 “Andaj, shtrohet pyetja e pashmangshme, se pse duhet të mbrohen me ligj vlerat e UÇK-së, kur dihet se ajo doli nga gjiri i popullit, si forcë e shenjtë dhe luftarake për çlirimin e atdheut, prandaj si e tillë edhe nuk ka nevojë të mbrohet me ligj. Sepse, UÇK-ja dhe vlerat e luftës përgjithmonë do mbeten nën mbrojtjen e popullit, të historianëve dhe të institucioneve shkencore, etj., e që në fakt ky shpirt dhe kjo ndjenjë ndaj saj është forcë mbrojtëse për të shumë e fuqishme se sa çfarëdo ligji qoftë ! Kështu që, propozimi i projekt-ligjit me të cilin PDK-ja pretendon që të mbrohen vlerat e UÇK-së, pa nxjerrjen e ligjit me të cilin së pari është dashur të përcaktohen normat se cilat janë dhe çka mund të përfshihet në vlerat e luftës çlirimtare, e që nismën e propozuesit të këtij projet-ligji, sado që të ketë qenë pozitive, e ka venë në dyshim, sepse ajo ka ardhur në kohën kur ndaj H. Thaçit dhe K. Veselit, dy ish udhëheqësve të UÇK-së, Gjykata speciale ka ngritur aktakuzë të rënd, duke lënë të nënkuptohet se mbrojtja e vlerave të UÇK-së me automatizëm do i mbron edhe ish udhëheqësit e saj nga akuzat në fjalë, gjë që është naive që këto dy gjëra të ndërlidhen me njëra tjetrën”, shtoi Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat