U realizua plani serb për ta ndarë Mitrovicën në heshtje?!

Politika

U realizua plani serb për ta ndarë Mitrovicën në heshtje?!

Nga: Drilon Rrahmani Më: 3 shtator 2020 Në ora: 10:34
Ura e Ibrit, Mitrovicë

Në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve më 30 gusht, qeveria serbe dha çelësat për 58 shtëpi të reja, të cilat u hapen po atë ditë për banorët serb në Veri të vendit, shkruan “Bota sot”.

Në atë lagje e cila quhet “Lugina e Diellit”, pritet të vendosen rreth 1000 serb, teksa projekti është tërësish i financuar nga Serbia.

Ky projekt kishte filluar para 5 viteve, i cili u përcoll me shumë zhurmë, pasi ai u nis pa ndonjë leje nga qeveria e Kosovës.

Image
“Lugina e Diellit”

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit kishte inspektuar vetëm një herë këtë vend, dhe atë në vitin 2016.

Meqë ky inspektorat nuk ishte përfillur për dhënien e dokumenteve nga Komuna e Zveçanit dhe Drejtoria për Urbanizëm në këtë Komunë, ishte kërkuar ndërprerja e punimeve.

Mosndalimi i punimeve kishte bërë që Ministria e Mjedisit ta çonte lëndën për kundërvajtje në Gjykatën Themelore të Mitrovicës.

Por, në fakt, ministria nuk e kishte paditur Komunën e Zveçanit, por kishte bërë vetëm kërkesë për kundërvajtje në Themeloren e Mitrovicës.

Tali: Rezultat i negociatave Thaçi-Vuçiq

Image
Driton Tali

Ish këshilltari politik i kryeministrit Kurti, Driton Tali në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se “Lugina e Diellit” është një projekt politik për t'i shërbyer Vuçiçit dhe kastës tij.

Ai thotë se ndonëse Serbia po boshatiset, disa serbë po iu mundësohet të jetojnë në Kosovë, saktësisht në Veri të vendit.

“‘Lugina e Diellit’ është një projekt politik për t'i shërbyer Vuçiçit dhe kastës tij. Ndonëse ky projekt i pasqyron besnikërisht "negociatat mes Kosovës dhe Serbisë" që në të shumtën u bënë për interesa të karrierës politike të Vuçiçit por besa edhe të Thaçit. Thënë të drejtën negociatat edhe tashti po zhvillohen në atë frymë. Unë këto lloj projekte nuk i shoh se janë në interes të Serbisë për faktin se sipas statistikave serbe, Serbinë e braktisin rreth 100 mijë serbë ne vit. Pothuajse e tërë Serbia jugore (nga Nishi e deri te kufijtë me Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë) është e boshatisur. Dhe shih ti ju ka "mbetë eksik" Leposaviqin ta popullojnë?!”, tha Tali.

Teksa ka folur për gjendjen ekonomike të keqe të serbëve të cilët kanë ardhur të jetojnë në atë lagje, Tali ka thënë se kjo është rezultat i interesave Thaçi-Vuçiq.

“Andaj zgjidhje më e mirë e Serbisë është që ta njeh Kosovën sa më parë (pra të "çlirohet nga Kosova") dhe të merret me problemet e qytetarëve të saj, se sa me karrierat e disa grupeve politike. Ata serbë që kane ardhur aty për të banuar nuk duhet t'i akuzojmë sepse kemi të bëjmë me njerëz me gjendje të keqe ekonomike andaj edhe kanë ardhur. Sigurisht për një kohë të kufizuar derisa nuk ju përmirësohet gjendja ekonomike ose të gjejnë ndonjë zgjidhje tjetër, ashtu siç bënë shumë serbë tjerë deri tani. Për ta shkurtuar këtë mesele, kjo pra është si rezultat i negociatave që janë bërë tashti, ku kanë dominuar interesat e politikanëve (Thaçi e Vuçiç) e jo për interesat e dy shteteve (Kosovë e Serbi)”, theksoi ai.

Tërnava: Lajm shqetësues

Image
Hajrullah Tërnava

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, duke folur për “Bota sot” lidhur me këtë temë, ka thënë se ky lajm është shqetësues dhe është tentim i Serbisë për t’i bindur serbët se Kosova është ende pjesë e tyre.

“Ndërtimi i 58 shtëpive të reja në lagjen e cila quhet “Lugina e Diellit” në Veri të Mitrovicës se Kosovës, është një lajm shqetësues politik për banorët tonë dhe për vete Kosovën. Shqetësues është ky lajm sepse edhe informacioni si i tillë e krijon hutin e llojit, sepse kemi shume pak të dhëna lidhur se procedurës të ndërtimit te tyre, nuk e dimë se si dhe në çfarë rrethana janë ndërtuar ato, nëse i ka ndërtuar Serbia ato shtëpi, me çfarë rrethana dhe kritere i kanë ndërtuar dhe a kanë kërkuar leje për ndërtim për ato shtëpi nga organet kompetente kosovare si dhe pronë e kujt ishte ai vend i ndërtimit (shtetëror apo privat), dhe cili ishte kriteri i ndarjes së atyre shtëpive, si dhe a duhej të ishin banorë të Kosovës ata banues, apo ndodhë që shtëpitë iu kanë nda edhe ndonjë serbit të shpërngulur nga Kroacia apo Bosnja. Nëse ka banorë të ri nga territore të ndryshme të ish Jugosllavisë në ato shtëpi, do të thotë se Serbia edhe më tutje po mundohet me e popullue atë territor kosovar me serbë edhe nga tjerat vise që ta ruaj baraspeshën e përqindjes serbe me tjerat popullata që jetojnë në Kosovë, sikur dikur që vepronte Mbretëroja serbe, dhe me këtë po donë me i bindë banorët e Serbisë se jo vetëm që Kosova është në hartën serbe formalisht, por doje me i bindë se ky realitet ekziston edhe në vepër si në këtë rast”, tha Tërnava.

Ai ka vënë në pyetje tërësinë territoriale të Kosovës, nëse kjo lagje që tash banohet nga serbët, nuk ka pasur leje nga institucionet e Republikës së Kosovës.

“Nëse këto shtëpi janë ndërtuar nga kontributi i Serbisë pa u pyetur institucionet e Kosovës, apo pa marr kurrfarë leje nga ato institucione, a mund të flasim tani për tërësinë territoriale të Kosovës. Funksionarët e Kosovës gjithnjë mundohen me e bind popullin se ajo pjesë e Veriut është e kontrolluar nga Kosova, dhe e mbikëqyrur në tërësi nga institucionet vendore, dhe nuk dallon nga tjerat pjesë të Kosovës, që spo del të jetë ashtu, tani jemi në dilema kujt t’i besohet, mirë kishte me qenë për tërë opinionin kosovar të sqarohen këto dilema që i kemi si të panjohura dhe të pastrohet kjo huti njëherë e përgjithmonë. Nëse Veriu po ndërtohet nga ana serbe për popullatën serbe, çfarë po ndodhë tash e mbi 20 vite nga ato pjesë të Veriut, që populli shqiptarë janë të përzanur me dhunë nga pasuritë e tyre si shtëpitë, banesat, lokalet e ndryshme, patundshmëritë e tyre, a duhet të zgjate kjo amulli për popullatën shqiptare, që tani e sa vetëm nga ana e Jugut mund t’i vështrojnë shtëpitë dhe pasuritë e tyre që i kane lënë në pjesën tjetër të veriut, dhe nga dhuna dhe vrasjet që iu janë bërë nga serbët atëherë, që tash e mbas luftës ata më nuk munden me i vizitue ato pjesë dhe pasuritë e tyre, e që nga ajo kohë janë duke jetuar në ato prona njerëz serb në pronat e tyre e as që ju paguhet qira apo kompensim tjetër si dëmshpërblim për ta, kurse vetë me familjarët e tyre po ata jetojnë me qira apo ndonjë zgjedhje të detyrueshme që e kanë bërë të përkohshme”, u shpreh Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat