Tomë Gashi flet për takimin e nesërm në SHBA, tregon kush duhet t’i bëjë trysni Serbisë që ta njohë Kosovën

Politika

Tomë Gashi flet për takimin e nesërm në SHBA, tregon kush duhet t’i bëjë trysni Serbisë që ta njohë Kosovën

Nga: G.B Më: 3 shtator 2020 Në ora: 14:54
Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq

Nesër në Shtëpinë e Bardhë do të mbahet takimi në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim pritet të nënshkruhen marrëveshje ekonomike.

Lidhur me këtë takim, për gazetën “Bota sot”, avokati Tomë Gashi ka thënë se delegacioni do të duhej të ishte i shtetit të Kosovës dhe jo partiak i koalicionit të qeverisë, ku janë bërë bashkë për ta përfaqësuar Kosovën në Washington, ata që e rrëzuan Albin Kurtin.

“Delegacioni i Kosovës në Washington do të duhej të ishte delegacion i shtetit të Kosovës por në esencë është delegacion partiak i koalicionit të qeverisë, të cilët e vodhën, e keqpërdoren deri në maksimum votën e qytetarëve të Kosovës të datës 6 tetor 2019 në zgjedhjet të cilat i fitoi LVV. Ata që u bënë bashkë për ta rrëzuar qeverinë e shpresës, qeverinë e Albin Kurtit sot janë duke e përfaqësuar Kosovën në Washington dhe e kanë si mallkim të qytetarëve të Kosovës sindromin se nuk i besojnë as vetvetes dhe as njëri-tjetrit”, është shprehur ai.

Gashi thotë se këto negociata mund ta dëmtojnë Kosovën nëse shkojnë keq, duke shtuar se nuk do të duhej të mbahej fshehtë se çka do të diskutohet dhe nëse janë çështje të ekonomisë, do të duhej të kishte ekspertë të ekonomisë në delegacion.

Image
Tomë Gashi

“Për këtë arsye secila parti ka dashur që ta kontrollojë tjetrin sepse nuk i beson dhe ka dërguar përfaqësues të vet në këto negociata, të cilat nëse shkojnë në rrugë të gabuar mund ta dëmtojnë Kosovën për një periudhë të gjatë kohore, ashtu siç Kosova u dëmtua shumë për thuajse 10 vite, negocimi me Serbinë pas shpalljes së pavarësisë. Sido që të jetë tanimë përfaqësuesit e Kosovës janë në Washington dhe nuk di pse do të duhej që gjithçka të jetë fshehtë dhe nëse kemi të bëjmë me negociata për çështje ekonomike, atëherë pse në delegacionin e Kosovës nuk janë ekspertët e ekonomisë por të gjithë janë përfaqësues politik”, ka thënë avokati.

Sipas tij, Serbia nuk do ta njeh Kosovën as në SHBA e as në Bruksel, pa trysni të madhe nga SHBA dhe se Serbia nuk mund ta njohë Kosovën derisa e mbanë pjesë të Kushtetutës së saj dhe nuk e heq.

“Sigurisht që Serbia nuk do ta njoh Kosovën në këto negociata as në  Washington e as në Bruksel pa trysni të madhe ndërkombëtare të prirë nga ShBA. SHBA nuk ka bërë trysni të mjaftueshme që ta detyrojë Serbinë që ta heq nga Kushtetuta e vet Kosovën kinse si pjesë integrale e Kushtetutës së tyre. Derisa Serbia e mbanë Kosovën si pjesë në Kushtetutën e vet, atëherë si mund ta njoh të pavarur Kosovën të cilën e konsideron pjesë të territorit të vete”, ka vlerësuar Tomë Gashi.

Ai shton se edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje, Serbia mund ta konsiderojë Kosovën sërish si autonomi, për çka ne nuk duam dhe nuk do të jemi kurrë, pasi kjo ka përfunduar në vitin 1999.

“Edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje e tipit Mini Shengen mos po i bie që Serbia prapë ta konsiderojë Kosovën si autonomi, sepse nëse kjo marrëveshje ka ngjashmëri me Shenzenin mes Kinës dhe Hong Kongut, Hong Kongu është pjesë e shtetit të Kinës me autonomi të veçantë dhe ne nuk duam dhe kurrë nuk do të jemi autonomi e Serbisë. Kjo gjë ka përfunduar jo me 12 qershor 1999 por edhe më herët, kur filloi lufta në Kosovë dhe posaçërisht me 24 mars 1999 kur SHBA dhe NATO e bombarduan Serbinë për të na ruajtur nga gjenocidi i shtetit më barbar në Evropë-Serbisë”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për “Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat