Marrëveshje pa njohje!

Politika

Marrëveshje pa njohje!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 shtator 2020 Në ora: 20:00
Pamje nga takimi në Uashington

Më 4 shtator, është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington, marrëveshje kjo e cila përmban 12 pika. Marrëveshja u nënshkruar nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja fokus të saj ka bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke vazhduar edhe në infrastrukturë, mini-shengenin rajonal ku Kosova pranon që të bëhet pjesë, njohja e diplomave, Beogradi do të ndalojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës, por edhe shumë çështje të tjera janë pjesë e marrëveshjes që duhet të zbatohet nga të dyja palët.

Temë e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë ishin dhe zhvendosja e ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jeruzalem si dhe njohja e reciproke mes Izraelit dhe Kosovës.

Kryeministri Hoti pas takimit u shpreh që kjo marrëveshje është një hap i madh drejtë normalizimit të marrëdhënieve të Kosovës duke vazhduar që shumë shpejtë do të kemi edhe njohje nga shteti i Serbisë.

Mirëpo njohësit e çështje politike të vendit shprehën skeptik që do të ketë njohje reciproke në takimet e radhës sepse Serbia do të vazhdojë të shtojë kërkesat që do të jenë në favor të tyre e aspak të Kosovës.

Basha: Nuk ka marrëveshje ekonomike, kjo është një farzë që po iu shitet qytetarëve

Deputeti nga radhët i VV-së, Dimal Basha në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që kjo marrëveshje nuk është në favor të Kosovës por në favor të Serbisë duke përfshirë këtu edhe minishengenin.

Image
Dimal Basha

“Nuk ka pas asnjë marrëveshje ekonomike, kjo është një frazë që po iu shitet qytetarëve, të cilët tanimë janë mësuar me mashtrimet e tyre. Nuk është marrëveshje ekonomike në favor të Kosovës dakordimi për autostrada e hekurudha që i japin Serbisë dalje në Adriatik. Këto edhe nëse janë investime, shkojnë në favor të Serbisë, asnjëherë Kosovës. Tjetra, minishengeni shkon gjithashtu në favorizim të politikave ekonomike të Serbisë, që edhe vet këta që e nënshkruan e kanë thënë, por që ja prapë tradhtojnë edhe vetën”, u shpreh Basha.

Tutje, deputeti shprehet që asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk janë ndonjë marrëveshje ekonomike dhe se mjerimi vie që Kosova ka pasur 33 marrëveshje, shumica të këqija, dhe tani një Kryeministër jolegjitim.

“As ndarja e Ujemanit nuk mendoj se është ndonjë marrëveshje ekonomike, e aq me pak kur dihet se është ndërtuar me mjete të Kosovës. Edhe mosnjohja e kufinjëve shtetëror, ku edhe pas shpalljes së Pavarësisë ende ju referohen si vija administrative, nuk është avancim ekonomik. Prandaj, kjo mund të quhet gjithçka tjetër, përveç marrëveshje ekonomike. Për fund, mjerimi vie që Kosova ka pasur 33 marrëveshje, shumica të këqija, dhe tani një Kryeministër jolegjitim e ilegal i shtoi edhe një dëm tjetër, që do ta pësojmë me gjenerata të tëra”,përfundoi Basha për “Bota sot”.

Bytyçi: Kosova ka humbur shumë nga ajo marrëveshje

Profesori universitar, Enver Bytyçi, i kontaktuar nga “Bota sot”, u shpreh që kjo marrëveshje kthehu kohën kur Thaçi dhe Daçiq nënshkruan marrëveshjen “gjithëpërfshirëse” në vitin 2013, duke treguar shpërfilljet që Serbia pati nga pikat e kësaj marrëveshje dhe krahasuar me marrëveshjen e Uashingtonit.

Image
Enver Bytyçi

“Marrëveshja e Uashingtonit për mendimin tim nuk i dha rrugë zgjidhjes së konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Përkundrazi, presidenti serb me obstruksionet e veta, e ktheu procesin pas në kohë, në pikën zero, të 19 prilli i vitit 2013, kur Thaçi dhe Daçiç nënshkruan marrëveshjen e ashtuquajtur "gjithëpërfshirësë". Psh në marrëveshje përmendet Merdarja si pikë kufitare, kur në marrëveshjen e vitit 2013 ishin përmendur gjatë pika kufitare dhe doganore, të cilat u shpërfillën nga ana e Serbisë, sepse i konsideron si pika të kufirit administrativ të saj. Psh në marrëveshjet e mëparshme përmendet ekskluzivisht gjetja e mbetjeve mortore të shqiptarëve të masakruar e të zhdukur, në marrëveshjen e Uashingtonit kjo pikë barasvlerësohet me kthimin e serbëve në Kosovë. Pikat e marrëveshjes për shengen dhe zhvillimin ekonomik janë pika të diskutueshme”, theksoi profesori.

Bytyçi thotë më tej që Kosova duhet të shkojë në bisedime me Serbinë vetëm me kërkesën se Serbia ta njoh Kosovën dhe çdo kërkesa tjetër të shtetit të Serbisë të mos e pranojnë.

“Në momentin që pranoi heqjen e pikës dhjetë për obligim të Serbisë për njohjen e shtetit të Kosovës, delegacioni shqiptar ka hapur rrugën për kompromise të tjera të quajtura të dhimbshme në dialogun me Serbinë. Sepse njohja do të kushtëzohet me disa lëshime tjera. Nëse do mbahej obligimi i Serbisë për njohje, atëherë Kosova mund të konsiderohej si e fituar, sepse do t'I thoshte vazhdimisht delegacionit serb se "Ju jeni angazhuar për këtë dhe duhet ta mbani fjalën dhe detyrimin e marrëveshjes"! Por kjo nuk ndodhi për fajin e Abdullah Hotit dhe Skënder Hysen Agës! E kam thënë edhe mbrëmë në një intervistë televizive në Tiranë. Kosova dhe qeveria e saj, Kosova dhe institucionet e saj, duhet të heqin dorë nga dialogu. Edhe nëse formalisht shkojnë në bisedime, duhet të shkojnë vetëm me kërkesën për njohje dhe të injorojnë çdo kurth tjetër të Serbisë për Zajednicën a marrëveshje tjera. Sapo të ulen në tavolinë, duhet të bëjnë të qartë se do të bisedojnë për njohjen. Serbia do të refuzojë dhe do të largohet. Le të largohet”, u shpreh profesori.

Në fund, Bytyçi thotë që Kosova duhet të përqendrohet në njohjen nga Vatikani, sepse kjo njohje do të sjell njohje nga pesë vendet anëtarë të Be-së e kështu duke e dërguar Kosovën në integrim në BE dhe NATO.

“Vëmendja duhet përqendruar në një pikë të vetme: Vatikani. Kisha Katolike në Kosovë duhet ta transferojë selinë e vet në Vatikan. Ministri I Jashtëm I Kosovës duhet që dy-tri ditë në javë të qëndrojë në Vatikan, derisa të arrihet njohja. Kryeministri I Kosovës duhet çdo muaj të jetë në Vatikan, po ashtu. Nëse e bëjmë Vatikanin ta njohë Kosovën, atëherë Kosovën e ka bekuar Zoti dhe nuk ka çfarë t'I bëjë Serbia, as Rusia. Njohja nga Vatikani sjell njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së. Njohja nga këto vende, do të thotë njohje edhe nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Dhe kjo do të çojë automatikisht në integrimin e Kosovës në BE e në NATO”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.

Kelmendi: Pas 100 vjetëve ndoshta do të kemi njohje reciproke

Njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim për “Bota sot”, u shpreh që nga kjo marrëveshje nuk do të ketë njohje reciproke. Duke vazhduar më tej, ai thotë që ka edhe shumë çështje që do të paraqiten nga shteti serb dhe megjithatë prapë se prapë nuk do të kemi njohje të shtetit të Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Nuk mund të thuhet se nuk do të njeh kurrë. Pas 100 vjetëve ndoshta do të kemi njohje reciproke. Por, ajo që duhet theksuar është fakti se kjo marrëveshje në Uashington nuk ka vetëm karakter ekonomik. Ajo ka bazë politike, madje e tërë marrëveshja është e drejtuar në fushën politike. Këtu duhet përmendur Minishengenin, Liqenin e Ujmanit, rrugët, energjia elektrike, gjetja e të zhdukurëve etj. Pra, kemi një marrëveshje ku shteti i Kosovës fare nuk fiton. E përsërisë nuk fiton asgjë. Ajo është marrëveshje ku Kosova ka dalur në treg dhe këtej janë bërë marrëveshjet. Çka do të bëhet? Sipas kësaj që kemi priten që në të ardhmen, nëse fiton Trump, të shtrohet çështja territorit. Këtu mendohet në ndërrimin të territorit, duke e futur Kosovën me ndarje. Një çështje tjetër është organizimi i Asociacionit me pushtet juridik, ekonomik dhe ekzekutiv. Mendohet se ka edhe shumë çështje që do të paraqiten nga shteti serb dhe megjithatë prapë se prapë nuk do të kemi njohje të shtetit të Kosovës, në qoftëse mbetet diçka nga shteti. Ashtu si ka filluar me marrëveshjen në Uashington, edhe dy të tilla dhe, shteti i Kosovës përfundon se ekzistuari”, u shpreh Kelmendi.

Kelmendi tutje thotë që me këso marrëveshje përfundon shteti ynë.

“Kah po shkon Republika e Kosovës? Nga marrëveshja e bërë në Uashingon nuk ka më fare nevojë që të kemi njohje të shtetit tonë, sikundër po paraqitet tash nga Qeveria dhe TV në Kosovë. Me këso marrëveshjeve përfundon shteti i ynë. Pse? Duhet theksuar fakti se kjo marrëveshje në Uashington nuk ka vetëm karakter ekonomik, ndonëse në këtë anë është krijuar një vartësi totale nga Serbia. Por, ajo ka baza të fortë edhe politike. Madje e tërë marrëveshja është e drejtuar në fushën politike, ekzekutive dhe financiare. Këtu duhet përmendur Minishengenin, Liqenin e Ujmanit, rrugët, energjia elektrike, hekurudhën etj. Pra, kemi një marrëveshje ku shteti i Kosovës fare nuk fiton. Duket se ka edhe shumë çështje që do të paraqiten nga shteti serb dhe megjithatë prap se prap nuk do të kemi njohje të shtetit të Kosovës, nëqoftëse mbetet diçka nga shteti i ynë. Ashtu si ka filluar me marrëveshjen në Uashington, edhe dy të tilla dhe, shteti i Kosovës përfundon se ekzistuari. Nuk ka Republikë”, theksoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat