Pasi Vuçiq kërkoi nga Erdogan që t’i bëjë presion Thaçit dhe Hotit, e zbulon profesori i njohur: Ky është qëllimi i kreut të Serbisë – por ja çfarë e pret!

Politika

Pasi Vuçiq kërkoi nga Erdogan që t’i bëjë presion Thaçit dhe Hotit, e zbulon profesori i njohur: Ky është qëllimi i kreut të Serbisë – por ja çfarë e pret!

Nga: N. H Më: 8 shtator 2020 Në ora: 22:47
Pamje nga takimi në Uashington

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë ka deklaruar se do të donte të shihte se çfarë do t’i thotë presidenti turk presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit e kryeministrit Avdullah Hoti nëse e hapin ambasadën në Jerusalem.

Në konstatimin se Turqia nuk është e kënaqur as me Serbinë që po e zhvendosë ambasadën në Jerusalem, Vuçiqi tha se të gjithë janë nga pak të pakënaqur.

“Ka shumë që janë të pakënaqur për gjëra të ndryshme, të shohim… të shohim se çfarë do të bëjë Izraeli, a do ta njohë Kosovën… Për këtë arsye Serbia nuk ka dashur ta nënshkruajë atë dokument, por e ka pasur dokumentin e vet”, tha Vuçiqi.

E, lidhur me këtë deklaratë të Vuçiq, për gazetën “Bota sot”, ka folur profesori i njohur.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Evropës Juglindore, dhe studiuesi i njohur ndërkombëtar, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, në një prononcim për gaztën “Bota sot”, ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës nga njëra anë, dhe SHBA-ve nga ana tjetër, e ve në vështirësi shumë më tepër presidentin serb, sesa kryeministrin ose presidentin e Kosovës.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Deklarata e Vuçiq duket se synon t’i thotë opinionit serb se kjo marrëveshje i krijon probleme Kosovës, por jo edhe Serbisë. E vërteta është se Serbia është në vështirësi të jashtëzakonshme nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje. Kosova do të ketë vështirësitë e saj, por kurrë nuk është njësoj sikur të hapësh për herë të parë ambasadë me Izraelin dhe këtë ambasadë ta çosh në Jerusalem, siç bën Kosova dhe të transferosh një ambasadë ekzistuese nga një qytet në një tjetër. Gjithkush që ka minimumin e logjikës e kupton se Kosova ka nevojë për njohje dhe njohja shpesh herë kushtëzohet. Gjithkush e di se Kosova është e detyruar të bëjë kompromise të tjera për të arritur njohjen e shtetësisë së saj. Nga ana tjetër, historia e shqiptarëve, e Kosovës dhe e Shqipërisë me hebrenjtë është histori unike, për shkak të mbrojtjes së tyre nga ana e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka thënë Bytyçi.

Ai shprehet se mbetet për t’u parë se si do t’i përgjigjet Aleksandër Vuçiq Kremlinit dhe Vladimir Putin, pasi kjo për shkak se i pari i Serbisë ka pranuar që aleatin e Putin, Hesbollahun, ta konsiderojë organizatë terroriste.

“Nuk ka ndodhur me ndonjë popull dhe vend tjetër në Evropë ose në botë, që të marrë në mbrojtje hebrenjtë, siç i morën shqiptarët e të mos dorëzojnë asnjë hebre te autoritetet pushtuese italiane dhe gjermane. Kjo lidhje specifike e bën legjitim lëshimin që u bë nga Kosova për vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem. Në fakt ne duhet të shohim si do t’i përgjigjet Aleksandër Vuçiq Kremlinit dhe Vladimir Putin, sepse e pamë se si reagoi ministria e Jashtme e Rusisë kundër tij. Kjo për shkak se Vuçiq ka pranuar që aleatin e Putin, Hesbollahun, ta konsiderojë organizatë terroriste, duke pranuar njëkohësisht t’i kundërvihet aleatit më të madh të Rusisë, Iranit. Ne do të duhet të shohim se si presidenti i Serbisë do t’i përgjigjet Kinës, të cilën para pak muajsh e quante të vetmin partner të besueshëm në planet, madje duke e quajtur presidentin kinez vëlla”, shprehet me tej profesori i njohur.

Sipas profesorit Bytyçi pas kësaj marrëveshje problemet më të mëdha do t’i ketë Beogradi, dhe ka shumë mundësi që presidenti i Serbisë të mos i zbatojë klauzolat anti-ruse, anti-kineze, anti-myslimane e anti-arabe.

“Çfarë do t’i thotë ai presidentit kinez për angazhimin e tij kundër G5-ës. Aleksandër Vuçiq do të duhet t’i japë përgjigje vetë presidentit turk, Erdogan, i cili ka investuar miliarda në Serbi, po ashtu vendeve myslimane dhe arabe, me të cilat është mburrur se ‘disa prej tyre akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës’. Pra nuk është Prishtina ajo që ka e do të ketë probleme të mëdha me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington. Dhe se ai nuk dëshiron t’i përmbahet marrëveshjes, këtë e dëshmoi fakti se i kërkoi kryeministrit izraelit që të mos e njohë Kosovën dhe pavarësinë e shtetësinë e saj”, ka deklaruar ai.

Bytyçi krejt në fund ka theksuar se Turqia është aleat i natyrshëm i Kosovës, dhe se shprehet i bindur se këto marrëdhënie do të shkojnë përpara në një kohë afatshkurtër.

“A është e kënaqur Turqia me këtë marrëveshje për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem? Sigurisht që ajo është e pakënaqur. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan njihet tashmë si avokat i çështjes palestineze. Ai është i vetmi lider turk që ka denoncuar krimet e Izraelit në Palestinë. Por ai e di se Kosova nuk e ka fuqinë e Turqisë, që të mbajë mbi supe përgjegjësi të tilla, të cilat i mban vetë Erdogan. Nga ana tjetër besoj se Turqia dhe diplomacia e saj në këtë pakënaqësi do të reagojnë. Por nuk besoj se reagimi i Ankarasë do të shoqërohet me sanksione”.

“Turqia është aleat i natyrshëm i Kosovës. Ka investuar për shtetësinë dhe sigurinë e saj. Ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në aksionet e NATO-s kundër ushtrisë dhe policisë serbe në vitin 1999. Ka mbështetur procesin e shndërrimit të FSK -së në Forca të Armatosura. Të gjitha këto nuk mund të fshihen për shkak të një kompromisi si ky i Kosovës me Izraelin. Edhe nëse për një farë kohe do të ketë ftohje në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë, jam i bindur se këto marrëdhënie do të shkojnë përpara në një kohë afatshkurtër”, ka theksuar krejt në fund, prof.dr. Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat