“Kjo është fitorja politike dhe diplomatike e Kosovës”, ja kur ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën

Politika

“Kjo është fitorja politike dhe diplomatike e Kosovës”, ja kur ndodh liberalizimi i vizave për Kosovën

Nga: G.B Më: 11 shtator 2020 Në ora: 14:51
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Bruksel, ku ka kërkuar që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

Kjo është një çështje që diskutohet prej vitesh dhe ka premtime, por që liberalizimi ende nuk ka ndodhur.

Por, sa ka shpresa që liberalizimi të ndodhë gjatë qeverisjes së Hotit?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se vizita e Hotit në Amerikë dhe Bruksel janë vizita të Kosovës, kërkesat e të cilës ka gjasa të realizohen.

“Çështja e Kosovës më në fund hyri në agjendat e zyrave dhe zyrtarëve më të lartë evropianë dhe të SHBA-ve, gjë që është një sukses historik për Kosovën dhe të ardhmen e saj më të mirë, nëse shqiptarëve të Kosovës nuk u hyjnë iriqët në tru dhe u verbohet mendja, siç po shihet se, ka shumë të këtillë! Vizita e Avdullah Hotit në Amerikë dhe tash në Bruksel, në fakt janë vizita të Kosovës, kërkesat e së cilës siç mund të shohim po mirëkuptohen dhe gjasat janë që edhe të realizohen”, është shprehur ai.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj thotë se Kosova për herë të parë ka një kryeministër që i përfaqëson me dinjitet të lartë interesat e Kosovës dhe se ai nuk kërkoi mëshirë por dha arsyetimin se Kosova e meriton liberalizimin e vizave.

“Kosova për herë të parë e ka një kryeministër funksional, të urtë, të ditur, të arsyeshëm, me edukatë të mirëfilltë politike dhe sens diplomatik, i cili po i përfaqëson me dinjitet të lartë interesat e Kosovës! Vetëm qorrat ose ata që shtihen se janë të tillë, mund ta mohojnë angazhimin shumë konstruktiv të kryeministrit Hoti, që nuk kërkoi mëshirë, por ishte decidiv në arsyetimin se Kosova e meriton liberalizimin e vizave”, ka vlerësuar analisti.

Sipas Zogajt, liberalizimi do të ndodhë në momentin që BE të bindet se pjesa dërmuese e shtetasve të Kosovës janë të angazhuar për shtet ligjor, duke shtuar se liberalizimi nuk duhet kërkuar në qeverisjen Hoti por në vetëqeverisjen demokratike të popullit të Kosovës.

“Kjo është fitorja politike dhe diplomatike e Kosovës, që e bën të sigurt se, liberalizimi i vizave do të ndodh, në momentin e parë kur, BE-ja të bindet se pjesa dërmuese e kosovarëve janë sinqerisht të angazhuar për shtet ligjor, duke qenë praktikisht aktivë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që vazhdon ta mbajë të kapur shtetin! Prandaj, liberalizimin e vizave nuk duhet kërkuar te qeverisja e Avdullah Hotit, por të vetëqeverisja demokratike e popullit të Kosovës, që është kushti i kryesor i liberalizimit! Nëse ka vullnet për unitet politik, liberalizimi ndodh shumë shpejt”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat