Vuçiq do të pranoj marrëveshjen finale, pasi këto janë përfitimet e tij nga Kosova

Politika

Vuçiq do të pranoj marrëveshjen finale, pasi këto janë përfitimet e tij nga Kosova

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 12 shtator 2020 Në ora: 08:42
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA

Një marrëveshje ekonomike është nënshkruar para pak ditësh në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Presidentit të Amerikës, Donald Trump.

Ndonëse u quajtë si një marrëveshje historike, nga disa ky takim u tha se ishte në dëm të Kosovës. Me këtë marrëveshje, opozita thotë se Kosova ka humbur Ujmanin.

Takimi ka vazhduar edhe në Bruksel ndërmjet të dyja palëve, megjithatë ende nuk ka diqka konkrete. Ndonëse Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti po deklaron se këto takime po shkojnë drejtë njohjes reciproke, Serbia vazhdimisht po e bën të qartë qëndrimin e tyre kundër njohjes së Kosovës.

Njohësit e ҫështjeve politike, thotë se deklarimet e zyrtarëve të Kosovës dhe atyre serbë, për njohje ose jo, janë të pavërteta, të dyja palët po mashtrojnë qytetarët e vetë.

Bytyçi: Hoti po e përdorë retorikën e Thaçit

Kështu, profesori universitar, Enver Bytyҫi thotë se me deklarimin e  përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajҫak se për herë të parë të dyja palët u pajtuan për të biseduar për një marrëveshje përfundimtare, do të thotë se deri më tani takimet për njohje ose një marrveshje finale kanë qenë të pavërteta.

“Përfundimi i një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë gjithnjë është trajtuar me optika të ndryshme nga Prishtina dhe Beogradi. Në Beograd ekziston retorika se “Nuk do të ketë marrëveshje finale”, e artikuluar kjo me premtimin e liderëve serbë para opinionit të tyre se “Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga ana e Serbisë”. Në Prishtinë për Hashim Thaçin Serbia e ka njohur Kosovën që më 19 prill 2013, kur ai nënshkroi marrëveshjen e Zajednicës me Ivica Daçiçin. Dhe nuk ka pushuar asnjëherë së thëni që “shkoj në takime për marrëveshjen finale”! Fatkeqësisht edhe kryeministri Hoti po përdor të njëjtën retorikë. Por unë nuk i besoj asnjërës palë. Të dyja rrejnë qytetarët, i manipulojnë ata, duke e ditur fort mirë se çfarë duan. Të dy palët mashtrojnë, janë të pasinqertë, nuk duan t’u flasin zgjedhësve të tyre të vërtetën. Deri tani e vërteta ka qenë më afër retorikës së Vuçiç, sesa të Thaçit dhe thaçistëve. Tani ka filluar të ekuilibrohet kjo e vërtetë. Lajçak deklaroi dje se për herë të parë palët u pajtuan të flasin për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë se udhëheqësit e deri sotëm jo vetëm kanë gënjyer për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por nuk paskan guxuar të flasin për të”, vlerëson profesor Bytyҫi.

Image
Enver Bytyҫi

“Dialogu ka për qëllim njohjen e Kosovës nga Serbia”

I pyetur nëse ka gjasa të përfundojë dialogu me një marrëveshje të tillë për njohje reciproke, profesor Bytyҫi thotë se në parim dialogu Kosovë-Serbi është ndërtuar për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb në Ballkan dhe fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet midis tyre e në rajon.

“Dialogu ka për qëllim njohjen e Kosovës nga Serbia. Në diskutim dhe në pyetje deri tani ka qenë kostoja e kësaj njohjeje, sepse Serbia e injektoi kudo konceptin se “Nuk mundet që njëra palë të fitojë gjithçka dhe pala tjetër asgjë”. Ky koncept nuk u kundërshtua nga kreu i grupit negociator të Kosovës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Përkundrazi, ai u komplekësua nga kjo dhe ra dakord që t’u japë serbëve “diçka”! Çfarë ishte ajo diçka. Ishte veriu i Kosovës, pasuritë e Kosovës, territori i Kosovës. Asgjë nga kjo nuk ishte pronë dhe pasuri e Hashim Thaçit.  Dhe më e bukura është se dje doli e kërkoi që ata që kanë folur për harta e thika, të kërkojnë falje. Madje i quajti mashtrues. Kjo ishte një rrenë e madhe mbi të gjitha rrenat e tjera të Hashimit. Kur Hashimi ishte në negociata me Vuçiçin, e patën çuar hartën në tavolinën e Boltonit dhe të dy këta, presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës në duet kishin përgatit gërshërët për përurimin e hartës së re, për ndarjen e Kosovës. Këtë të vërtetë nuk e luan as Hashimi, as topi, as Zoti. Me rrena mbi rrena, presidenti në ikje e nën akuzë i Kosovës nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe tradhtisë që u përpoq t’ia bëjë vendit të vet”, vlerëson ai.

“Presidenti serb do të pranojë një marrëveshje përfundimtare”

Ai thotë tutje se presidenti serb do të pranonte një marrëveshje përfundimtare, pasi në vend të konfliktit do të zgjedhte integrimin në Bashkimin Evropian. Sipas tij, përfitimet e Serbisë nga Kosova janë diҫka tjetër.

“Por le të kthehemi te shanset. Unë besoj se presidenti serb do të pranojë një marrëveshje përfundimtare, sepse në vend të konfliktit me Kosovën duket se ka zgjedhur integrimin në Bashkimin Europian. Por ai po kërkon të nxjerrë sa më shumë favore,  sa më shumë përfitime për vendin e tij. Investimet e mëdha të Europës dhe Amerikës në Serbi janë një gjë. Përfitimet nga Kosova janë diçka tjetër. Thuhet se po kërkon që në këmbim të Kosovës të përfitojë Malin e Zi, duke e rikthyer atë në një federatë të re. Po të ndodhi kjo ende pa u njohur Kosova në OKB, atëherë Serbia dhe Rusia do t’i rikthehen rezolutës 1244, në të cilën thuhet se statusi i Kosovës të zgjidhet në kuadër të Federatës Jugosllave, duke e menduar si republikë të kësaj federate, që atëherë ekzistonte midis Serbisë dhe Malit të Zi. Pavarësia e Malit të Zi solli edhe pavarësinë e Kosovës, sepse federata u shpërbë dhe për pasojë ky rekomandim i rezolutës 1244 u zhvleftësua. Tani duket se në Beograd po luftohet që në Mal të Zi të bëhet një referendum i ri për t’u rikthyer në federatë me Serbinë, ndaj dhe Vuçiç kërkon për këtë mirëkuptimin e Perendimit”, thekson ai.

Tutje profesor Bytyҫi thotë se ndonëse mund të ketë një marrëveshje finale në pranverën e ardhshme, mirëpo pala e Kosovës nuk duhet të pranoj të flasë për ҫështje anësore.

“Ndonëse duket se do ketë një marrëveshje finale, ndoshta nga pranvera e ardhshme, e shoh si të rrezikshme zhvillimin e situatës në Mal të Zi. Prandaj dhe politika e diplomacia shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë duhet të bëjnë kujdes. Për mua delegacioni shqiptar i Kosovës në bisedimet me Serbinë nuk duhet të pranojë të flasë më për çeshtje anësore. Duhet të këmbëngulë në çdo takim për njohjen nga Serbia. Edhe nëse serbët flasin për Zajednicë a diçka tjetër, shqiptarët në bisedime duhet të flasin vetëm për njohjen dhe të mos pranojnë të bien në kurthin e diskutimeve për “patentat”, bie fjala”, vlerëson profesor Bytyҫi.

Zeqiraj: Avdullah Hoti na kujton Hashim Thaçin

Ndërkaq, publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, thotë se rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi, pas një pauzimi të gjatë, është një ogur i mirë. Angazhimi i drejtëpërdrejtë i SHBA, shton shpresën për një zgjidhje fatlume dhe pa zvarritje të mëtejme.

Image
Idriz Zeqiraj

“Por, kjo shpresë zvetnohet, kur ambasadori Grenell e redukton se "arritja kryesore e marrëveshjeve në Shtëpinë e Bardhë, ishte njohja e Kosovës nga Izraeli! Premtimet e zhvillimit ekonomik, janë ambicioze. Infrastruktura rrugore, sidomos ajo hekurudhore, në relacionin Beograd-Prishtinë-Durrës, nëse kjo do të ndërlidhej me Evropën Perëndimore, si dikur linja "Akropolis", do të ishte sukses domëthënës. E themi këtë, sepse tej gjysma e popullsisë të shqiptarëve ballkanikë punojnë dhe jetojnë në shtetet Perëndimore. Një lidhje e tillë hekurudhore, do të lehtësonte qarkullimin e miliona njerëzve, duke kursyer mund, kohë dhe miliarda lekë në vit. Megjithatë, skepticizmi për marrëveshjet në SHBA dhe vazhdimi i dialogut në Bruksel nuk mungon. Sepse disa nga marrëveshjet janë shumë përgjithësuese, deri në dyshime se Kosova do të jetë fituese, pa humbur asgjë”, vlerëson Zeqiraj.

Zeqiraj thotë tutje se fjalori i Kryeministrit Avdullah Hoti është i njëjtë me atë të Presidentit Hashim Thaҫi që për një dekadë ka premtuar liberalizimin e vizave dhe njohjen e shtetit të Kosovës.

“Ajo që bie në sy dhe ngjallë dyshimin e bazuar, është fjalori klishe, kopjim imitues i kryeministri Avdullah Hoti, i cili na kujton Hashim Thaçin, në premtimet mashtruese e boshe, që bëri ai, prej një dekade radhazi, duke e bartur zvarrë e rrejshëm, nga viti në vit, liberalizimin e vizave dhe bërjen "fakt të kryer" të njohjes të shtetit të Kosovës nga Serbia! Hoti u premtoi shqiptarëve se "po shkojmë në Vashington, për marrëveshjen finale të njohjes reciproke", por, kjo nuk ndodhi! Të njëjtën gjë e përsëriti edhe para udhëtimit në Bruksel. Megjithatë, atje jo vetëm nuk u bë fjalë për njohje, përkundrazi, Serbia rivuri në tavolinën e bisedimeve çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe çështjen e pronave në Kosovë. Ndërkohë që të dyja këto çështje, tashmë, konsiderohen të tejkaluara, me zgjidhjen ligjore që ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Dhe, pavarësisht kësaj, kryeministri Hoti, me optimizëm garantues, deklaron se "po shkojmë drejt draftimit final të marrëveshjes për njohjen reciproke!?", vlerëson publicisti Zeqiraj.

Ai thotë tutje se është i habitshëm fakti se kryeministri Hoti, për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ftoi në ndihmë dy bashkëpunëtorët e shumë përfolur, për pazare të pista me Serbinë, Editë Tahirin dhe Skënder Hysenin.

“Gjasat për një marrëveshje të njohjes reciproke Serbi-Kosovë, mund t`i bëjë realitet një "Hollbrook bullduzher" amerikan”

“Dhe, kjo u lexua si dështim i parathënë, madje, i dyshimtë e konspirativ. Shqiptarët u lehtësuan, pakëz, nga ankthi i ndarjes të Kosovës, me shmangien e Hashimit nga procesi i dialogut. Ai "doli nga dera, por, po hynë nga dritarja", përmes argatëve të tij besnikë! Përzgjedhja e delegacionit për dialogim me Serbinë, nga kryeministri Hoti, është një tjetër parathënie dështuese. Në vend të specialistëve kompetentë, për çështjet që bisedohet me palën serbe, angazhon amatorë, thjesht, për ta balancuar përfaqësimin partiak. Skajmërisht e turpshme! Dialogu thjeshtëzohet, sikur të ishte çështje partiake dhe jo shtetërore”, thotë ai.

Zeqiraj thotë se gjasat e një marrëveshje të shpejtë dhe të pranueshme, deri në njohjen reciproke, i vështirësojnë hapja e bisedimeve të panevojshme politike dhe nënshkrimet e disa marrëveshjeve, afro një dekadë më parë, nga zyrtarë të lartë të Kosovës, të imponuara me shantazhim me dosje kriminale nga Serbia.

“Së fundi, gjasat për një marrëveshje të njohjes reciproke Serbi-Kosovë, mund t`i bëjë realitet një "Hollbrook bullduzher" amerikan, por, me dronë e madhe të kompromisit lëndues, përjetësisht të dhimbshëm për kombin tonë. Megjithatë, uroj që kjo të mos ndodhë! Përndryshe, brezat nuk do të na falin, se ne, paraardhësit e tyre, u pajtuam të sundohemi ndër vite, cinikisht e poshtërsisht, nga njerëz të inkriminuar shumëfish, për rrjedhojë, rrast të shantazhuar”, vlerëson Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat