Kush tentoi t’i frikësoj dëshmitarët me publikimin e “Dosjeve” të Gjykatës Speciale?

Politika

Kush tentoi t’i frikësoj dëshmitarët me publikimin e “Dosjeve” të Gjykatës Speciale?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 12 shtator 2020 Në ora: 19:21
Pamje nga momenti kur një person hyn në zyret e OVL të UÇK-së.

Mbi 4 mijë “dosje” të Gjykatës Speciale nga një person i maskuar dhe me kapelë janë dorëzuar në zyrat e OVL-UÇK-së.

Këto dosje dëshmi të dëshmitarëve kanë trazuar çdo dëshmitar por edhe secilin qytetarë të Kosovës.

Si është e mundur që këto dosje të merren nga Specialja dhe të dorëzohen në zyrat e organizatave të dala nga lufta?

Njohësit e çështjeve politike e juridike këtë e vlerësojnë se është vështirë për të besuar së në këtë organizatë ka diçka të tillë, e nëse ka sipas tyre është çështje penale, që kërkon hetime dhe masa ndëshkuese.

Ata vlerësojnë se këto "dosje" shtojnë presionin, dhe rrisin pasigurinë për dëshmitarët dhe familjaret e tyre. 

Po ashtu sipas tyre, ky është skandal edhe për vet Gjykatën Speciale, se si kanë arritur të dalin nga zyrtarët e saj këto "dosje" të cilat duhet të jenë sekrete, të siguruara mirë, dhe të mbrojtura.

Mehmeti: Ky është skandal

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “Bota sot” se pikërisht janë dëshmitarët ata që frikësohen, dhe ndjehen të pasigurt me publikimin e "Dosjeve" të cilat janë të porositura nga ndonjë prej personave që janë të akuzuar pikërisht nga Gjykata Speciale. 

Sipas tij, këto "dosje" shtojnë presionin, dhe rrisin pasigurinë për dëshmitarët dhe familjaret e tyre. 

“Ky është skandal edhe për vet Gjykatën Speciale, se si kanë arritur të dalin nga zyrtarët e saj këto "dosje" të cilat duhet të jenë sekrete, të siguruara mirë, dhe të mbrojtura. Faktikisht, duhet theksuar se pas kësaj qëndrojnë njerëz të fuqishëm, të cilët ndjehen të rrezikuara, dhe e tëra është skenar i përgatitur. Ky është skandal për Gjykatën Speciale, dhe pasiguri për dëshmitarët. Mendoj, se pas kësaj edhe mund të tërhiqen shumë dëshmitarë, pasi nuk kanë siguri as për veten he as për familjarët e tyre. Ky edhe është qëllimi i atyre që e kanë orkestruar tërë këtë ngjarje”, është shprehur analisti politik Faton Mehmeti.

Kelemendi: S’ka shqiptar të rritur që nuk ka dosje në Serbi

Image
Muhamet Kelmendi

Njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi ka thënë se ndaj çdo shqiptari në Kosovë ka dosje në Serbi, e në shtetet tjera.

Sipas tij, tash e dy decenie mblidhen të dhëna jo reale nga shteti serb, për të paraqitur kombin tonë kriminal, fundamentalist dhe terroristë. 

“Nuk ka njeri të rritur që nuk ka ndonjë dosje në Serbi dhe në shtetet tjera, që gjenden në Kosovë ose jashtë, e që nuk hapin lloj-lloj dosje kundër shqiptarëve. Ka edhe të shpifura se edhe nga anëtaret e UÇK-së dhe nga organizata e saj të dalur nga lufta, janë element që kanë dhënë gjoja fakte dhe mbi to janë krijuar dosjet e ndryshme prej nga Gjykata Speciale në Hagë po vepron. Megjithatë është vështirë të dihet se një çështje e tillë ka ndodhur brenda në organizatën e UÇK-së apo vetëm është improvizim. Nuk dihet se kush është dëshmitarë i mbrojtur në Dene Hag! Pra, kemi paqartësi, megjithatë duhet thënë se nëse në zyrën e UÇK-së ka dosje të mbledhura gjoja për krime, është një çështje që do analiza të thella mbi atë veprimtari. Kjo për faktin se pse u mblodhën dhe u krijuan ato dosje? Nga kush u ndërtuan dhe kujt po i shërbejnë”, ka thënë profesor Kelmendi.

Sipas tij, në këtë anë është vështirë për të besuar së në këtë organizatë ka diçka të tillë, e nëse ka është çështje penale, që kërkon hetime dhe masa ndëshkuese. 

“Nëse ato dosje në këtë organizatë janë ndërtuar atëherë gjendet ndonjë njeri që për mjete financiare mund ti shesë ato. A është kështu, ende nuk mund ta dimë por megjithatë ka elemente që kanë dhënë informata, por jo në ato pikëpamje që mendohet tash. Informata dhe dosje kanë krijuar shumë mekanizma ndërkombëtar dhe të vendit. Sigurisht ka dosje UNMIK-u, EULEX-i, NATO, SHBA-ja, Franca, RF e Gjermanisë, e shumë shtete tjera. Por dosje me plotë gënjeshtra dhe kundër çdo shqiptari, dihet se i ka Serbia. Ajo ka krijuar dosje të tilla dhe të njëjtat i ka shpërndarë në çdo anë të botës. Këtu duhet përmendur edhe shtetin Rus, Greqinë dhe Turqinë, si shumë të interesuara për këtë. Me siguri dosje ka edhe në Malin e Zi e në Maqedoni. Pra, kemi dosje e dosje, me plotë të pavërteta dhe gënjeshtra. E ato janë tash në Gjykatën Speciale, dhe mbi to po veprohet nga kjo Gjykatë në Dene Hagë. Priten edhe shume veprime tjera, kryesisht jo reale, e që tërësisht janë kundër lirive dhe te drejtave qytetare. Në Kosove kemi shkelje të mëdha të këtyre të drejtave njerëzore dhe kjo shihet nga kapjet dhe burgosjet e shqiptareve që i bën shteti kriminal serb, dhe ato janë mjaftë të rënda”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Muhamet Kelmendi.

Smaka: Dëshmitarët nuk janë mbrojtur në Kosovë

Image
Riza Smaka

Kurse njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka konsideron se në procedura penale veçanërisht, administrimi i provave është segment bazik për verifikimin e saktë dhe të plotë të fakteve esenciale për cilësimin juridik të tyre dhe për aplikimin adekuat të provizionit juridik - penal. 

Sipas tij, një nga instrumentet për verifikimin e provave janë dëshmitarët okularë, të rastit kritik.

“Dëshmitaret potencial kudo në shtetet e së drejtës mbrohen me ligj dhe mjete e metoda zyrtare. Jo likuidimi fizik por edhe frikësimi apo shantazhimi i dëshmitarit të procedurës penale, është akt i inkriminuar dhe sanksionohet penalisht. Në vendin tonë deri tani dëshmitarët në procedura penale nuk janë të mbrojtur efektivisht as meritorisht. Madje në jo pak raste dëshmitarë potencial janë privuar nga jeta, e jo pak të tjerë janë intimiduar, frikësuar, kanosur seriozisht. Në kulme politike të tillë pak kush do të denjësohen për të dëshmuar veçanërisht në çështje penale të kualifikuara. Së andejmi disa herë nga institucione ndërkombëtare janë adresuar kritika serioze në atë drejtim. Rjedhimisht edhe insuficienca e sundimit të ligjit të aplikuar dhe e shtetit të së drejtës në vendin tonë”, ka thënë profesor Smaka.

Ai tutje ka shtuar se mbetet të miratohet Ligji për Mbrojtjen e Dëshmitarit në Procedura Penale i sanksionuar rigorozisht kundër intimiduesëve të dëshmitarëve në çështjet penale. 

“Po ashtu do kërkohej që edhe ai akt ligjor të implementohej me kob sekuencë e konsistencë. Në vendin tonë ligji në fuqi gjithnjë aplikohet dobët madje edhe sipas sistemit selektive! Ligji në fuqi përderisa nuk aplikohet plotësisht e pa përjashtime protektive rezulton inegzistent. Nuk ka shtet pa akte ligjore që aplikohen. Ndaj kur oponentët dhe kundërshtarët tanë theksojnë se "Kosova nuk është shtet..." rezulton se kanë shkas”, ka thënë profesor Riza Smaka.

Burjani: Kjo çështje duhet zbuluar

Image
Blerim Burjani

Kurse njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani ka thënë se kjo çështje është e organeve të rendit, EULEX-it dhe mekanizmave të Prokurorisë Speciale.

“Mendoj se kjo është e pamundur se si janë gjet këto dosje që duhet të jetë objekt hetimi. Pra ka shumë çudira këtu por kjo është plotësisht punë e organeve të rendit se kush qëndron papa kësaj çështje, pasi kjo punë është temë për Gjykatën Speciale. Kjo ngjarje mund të ndikoj në drejtësi dhe në procedurë në të gjitha stadet që  zhvillohen. Pra duhet të dihet kjo temë edhe pse në këtë shtet nuk dihet kurrë asgjë, pasi ndodhin ngjarje dhe harrohen  dhe më pas gjithçka nisë prej fillimi. Pra kjo çështje është për organet e rendit për të zbuluar akterët e saj”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani.  

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat