Çfarë ndodhi në SHBA - marrëveshje apo pajtim?

Politika

Çfarë ndodhi në SHBA - marrëveshje apo pajtim?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 13 shtator 2020 Në ora: 08:30
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA

Që nga momenti i hedhjes së nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Avduallah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardh ka hy në fuqi pajtimi për ndaljen e fushatës kundër ç‘njohjeve nga Serbia.

Të paktën, kështu thuhet në marrëveshjen e nënshkruar.

“Serbia (Beogradi) do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur. Të gjitha marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar në ShBA.

Por, sa pritet të zbatoj Serbia këtë marrëveshje mbetet të shihet, pasi për vitet të tëra shteti fqinj është kritikuar për mos respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Lidhur me këtë çështje, ekspertët vlerësojnë se Serbia asnjëherë nuk i është përmbajtur marrëveshjet e arritura, por tash me ndërmjetësimin e ShBA-ve, Beogradi është i obliguar që të bëjë një gjë të tillë.

Voca: Në SHBA u nënshkrua për pajtim nuk ngjan me marrëveshje

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se Serbia asnjëherë nuk u është përmbajtur këtyre lloj pajtimesh dhe se ajo do vazhdojë me politikën e saj linçuese ndaj Shtetit të Kosovës.

Image
Mirsad Voca

“Ajo që është arritur në Uashington, i ngjan një lloj pajtimi dhe nuk i ngjan fare ndonjë marrëveshjeje substanciale dhe finale mes dy vendeve ashtu siç pretendohej nga disa grupacione politike që arritën prapë ta kapin pushtetin pa ndonjë legjitimitet demokratik. Është më se e njohur që Serbia asnjëherë nuk u është përmbajtur këtyre lloj pajtimesh apo siç quhet në anglisht «agreements». Patjetër që Serbia do jetë po e njëjta përball Kosovës dhe do vazhdojë me politikën e saj linçuese ndaj Shtetit të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

“Është më se naive të besohet që Serbia do të respektojë çfarëdo pajtimi, sado i paqartë që shfaqet, i nënshkruar në Uashington. Mendoj se asgjë historike nuk është arritur në Uashington dhe kjo u dëshmua edhe nga mos reagimi i mediave amerikane të cilat pothuaj nuk reaguan apo nuk cilësuan diç historike të arritur në Uashington midis Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër nuk mund të ketë marrëveshje me Shtetin serb i cili nuk ka ndryshuar qëndrimin destruktiv ndaj Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën Shtet të pavarur, e që do të ishte kusht esencial për të vazhduar më tutje për një marrëveshje finale midis dy shteteve që njohin njëri tjetrin”, ka theksuar Voca për “Bota sot”.

Ai e ka quajtur delegacionin e Kosovës jolegjitim, ndërkaq shprehte se nuk mund të vejnë kushte sepse është vetëm një lloj delegacioni “kukull”.

“Delegacioni jolegjitim i Kosovës nuk mund të vë kushte sepse është vetëm një lloj delegacioni “kukull” që bën vetëm figurën përfaqësuese mirëpo pa asnjë fuqi negociuese, i ndërtuar dhe i komanduar nga qarqe politike të brendshme dhe të jashtme të cilët janë të fokusuar në interesa personale duke e personifikuar edhe çështjen e shtetndërtimit të Kosovës si vetëm të tyren”, ka thënë Voca.

Në fund, ai ka theksuar se kjo qasje politike nga këta përfaqësues bie thjeshtë në kundërshtim me frymën shtetndërtuese të Kosovës si Shtet të pavarur

“Kjo qasje politike nga këta përfaqësues të Kosovës, jo vetëm që ka gabuar këtë herë mirëpo gabimet e tyre janë po aq të grumbulluara, sa që po orvaten të shpëtojnë veten madje duke e hedhur poshtë idenë e Kosovës si Shtet të pavarur dhe duke i lejuar Serbisë që ta trajtojë Kosovën si të tillë. Kjo qasje politike nga këta përfaqësues bie thjeshtë në kundërshtim me frymën shtetndërtuese të Kosovës si Shtet të pavarur në partneritet me Shtetet fqinje, ashtu siç proklamohej edhe nga vet Presidenti i ndjerë I. Rugova”,  ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Serbia obligohet t’i respektoj marrëveshjet

Ndërkaq, politologu Ejup Berisha, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se Serbia është e obliguar t`i respektojë marrëveshjet për të cilat me vënien e nënshkrimit të saj është bërë subjekt i  tyre.

Image
Ejup Berisha

“Sipas një rregulli juridik që njihet në gjuhën latine si “Pactstuntservanta” apo në shqip e njohur si “marrëveshjet duhet respektuar”, Serbia është e obliguar t`i respektojë marrëveshjet për të cilat me vënien e nënshkrimit të saj është bërë subjekt i tyre. Serbia sipas rregullit latin që e përmenda më lartë nuk është mirë të veproj në kundërshtim me obligimet që i merr si subjekt i marrëveshjeve që i lidhë me palët tjera. Ajo për tu treguar subjekt serioz shtetëror duhet tu përmbahet obligimeve që i merr mbi vete për ti respektuar marrëveshjet. Serbia si duket e hidhëruar nga miratimi i masës që  përmbante  obligim që ajo për futjen e lëndëve të para dhe për futjen e mallrave të caktuara të saj të cilat do të futeshin në territorin e Kosovës të paguaj taksë prej 100 përqind, masë kjo e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj shteti fqinj ndërmori një fushatë të egër dhe agresive diplomatike duke i bindur disa shtete të botës të cilat para disa vitesh e kishin njohur Republikën e Kosovës si shtet që ti tërheqin vendimet përnjohje. Ajo në këtë aktivitet të saj pati sukses dhe i pakësoi 19 njohje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Berisha ka theksuar se nga nënshkrimi i marrëveshjes Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë aksion me të cilin do t`i bindte shtetet e tjera që t`i tërheqin vendimet e tyre për njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Sa i parket aktiviteteve të Serbisë në këtë drejtim nga nënshkrimi i marrëveshjes trepalëshe në SHBA nuk ka ndërmarr asnjë aksion të tillë me të cilin do t`i bindte shtetet e tjera që t`i tërheqin vendimet e tyre përnjohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Serbia nëse ka mundur të veproj si ka dashur vet ku si palë ndërmjetësuese në dialogun Kosovë- Serbi ka qenë Bashkimi Evropian me SHBA të autoritetet shtetërore të Serbisë janë të obliguara të jenë më të kujdesshme më parimore”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Pala serbe është e njohur të vepron sipas kokës së vet

Gjithashtu, Berisha ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka gabuar, por duhet të jetë e kujdesshme dhe me ngulm të kërkoj që Republika e Serbisë ti përmbush obligimet që i ka marrë si palë kontraktuese.

“Serbia nuk e ka atë liri veprimi në ambientin politik ndërkombëtar kur palë e tretë apo ndërmjetësuese është SHBA-ja, siç e ka pasur, kur palë ndërmjetësuese ishte BE-ja. Prandaj konsideroj se Serbia do të jetë e obliguar dhe e shtrënguar që t`i respektoj obligimet e marra si palë kontraktuese sepse SHBA-të nuk lejojnë që ndonjë subjekt shtetëror të luaj me zotimet dhe besueshmërinë e saj. Pala kosovare nuk ka gabuar, por duhet të jetë e kujdesshme dhe me ngulm të kërkoj që Republika e Serbisë ti përmbush obligimet që i ka marrë si palë kontraktuese. Kur me dikë doni të krijoni raporte të reja këtë nuk është mirë të bëni me kushtëzime ndaj palës me të cilën jeni ulur që të lidhni marrëveshje”, ka deklaruar Berisha.

Në fund, ai është shprehur se marrëveshjet e nënshkruara duhet të zbatohen sepse janë në interes të ndërsjellët politik, ekonomik të të dy shteteve.

“Konsideroj se respektimi i obligimeve të marra edhe nga marrëveshja e fundit e nënshkruar në Uashington edhe ato që janë nënshkruar dhe që do të nënshkruhen mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duhet të jetësohen apo të zbatohen sepse janë në interes të ndërsjellët politik, ekonomik dhe në interes të pajtimit mes dy popujve dhe shteteve: Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Pala serbe është e njohur për opstrukcione kur bëhet fjalë për marrëveshjet, por ajo vepron ashtu apo sipas kokës së vet atje ku ka mundësi të veproj ndërsa me subjekt shtetëror si SHBA të Serbia do të jetë më e kufizuar më e kujdesshme”, ka përfunduar Berisha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat