Vjosa Osmani me parti të re? Veprimtari parashikon skenarin e ish-nënkryetares ndaj LDK-së: Me mish e shpirt ishte në Vetëvendosje!

Politika

Vjosa Osmani me parti të re? Veprimtari parashikon skenarin e ish-nënkryetares ndaj LDK-së: Me mish e shpirt ishte në Vetëvendosje!

Nga: N. H Më: 13 shtator 2020 Në ora: 10:43
Lutfi Haziri, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmani

Pas shkarkimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës raportohet se ish-nënkryetarja e këtij subjekti, Vjosa Osmani, pritet që së shpejti të dalë përfundimisht nga ky subjekt, dhe zërat flasin se ajo po përgatitet për të krijuar një parti të re.

Lidhur më këtë, veprimtari i hershëm i LDK-së në diasporë, Fatmir Bajraj, konsideron se me krijimin e një partie të re nga ana e Vjosa Osmanit, skenar i gjithë kësaj do të jetë dëmtimi i LDK-së.

Madje, ai deklaron se kryeparlamentarja Vjosa Osmani, me mish e shpirt ishte në Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, dhe jashtë LDK-së.

“LDK-ja, nga kjo ‘krehje’, do dalë e fisnikëruar deri në prarim,dhe e zonja për të ecë tutje suksesshëm në misionin e saj historik; në proceset politike integruese dhe shtet-ndërtuese të vendit, në partneritet me miqtë tanë të provuar në krye me Amerikën, amanet ky i kultivuar dhe i trashëguar nga Presidenti historik Rugova dhe i artikuluar nga Kryeministri Hoti. Ish nënkryetarja dhe kandidatja për Kryeministre e LDK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, me mish e shpirt ishte në Vetëvendosje dhe jashtë LDK-së, frymës së saj dhe vetë filozofisë politike të LDK-së, të trashëguar nga lideri i saj historik, Presidenti Rugova”, shprehet Bajraj.

Bajraj me tej shpjegon se si Vjosa Osmani hyri në LDK, derisa shton se Vjosa Osmani, u afirmua në LDK me kartën anti-PDK, duke artikuluar poentën politike në pakënaqësinë qytetare kundrejt keqqeverisjes së vazhdueshme nga kjo e fundit.

Image
Fatmir Bajraj

“Ajo hyri në LDK, përmes ish Presidentit Sejdiu dhe mbeti aty me bekimin e tij, për të vazhduar besnikërisht diversionin kundër LDK-së, lidershipit të saj dhe vetë politikes shtet-ndërtuese të saj, përfshi këtu edhe orientimin properëndimor dhe veri-atlantik, duke përqafuar dhe promovuar ideologjinë e Vetëvendosjes në LDK dhe duke luftuar këtë parti, strukturat e saja dhe vendimet e partisë deri në mosvotimin e kryeministrit nga radhët e LDK-së, shtëpisë që i dha mundësinë e formimit dhe afirmimit politik. Vjosa Osmani, u afirmua në LDK me kartën anti-PDK, duke artikuluar poentën politike në pakënaqësinë qytetare kundrejt keqqeverisjes, krimit të organizuar, korrupsionit dhe vrasjeve politike nga ana e SHIK-ut kriminal dhe anti-kombëtar, alias PDK-në e Hashimit e Kadrisë në njërën anë, por në anën tjetër, duke abuzuar me këtë kapital në luftë kundër LDK-së dhe për interesa të VV-së në Parlament dhe jashtë tij”, tha me tej veprimtari i LDK-së.

Ai nënvizon se demarkacioni, mocionioni për shkarkimin e Qeverisë Kurti, e mos votimi i Qeverisë Hoti ishte prej arsyeve që derivuan shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares.

“Shkelja e vendimeve partiake, e vendimeve të strukturës dhe organeve të saja kredibile në Parlament dhe në Grupin Parlamentar të LDK-së, siç ishte me rastin e Demarkacionit me Malin e Zi, Qeverinë Mustafa, Mocionin për shkarkimin e Qeverisë Kurti dhe mos votimin e Qeverisë Hoti, dhe në anën tjetër; përqafimi, mbështetja dhe glorifikimi i VV-së dhe i liderit të saj, Kurti edhe pse në kundërshtim flagrant me interesin nacional të Kosovës, detyrimisht derivuan dhe determinuan shkarkimin e saj nga pozita e nënkryetares dhe nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, konform statutit të LDK-së me një vendim gati absolut në favor të shkarkimit”, nënvizon Bajraj.

Mision, shkëputja e aseteve në LDK

Sipas veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës qëllimi kryesor i Vjosa Osmanit më partinë e re do të jetë mbledhja dhe tërheqja e aseteve në LDK.

“Formimi i partisë së re nga ana e Vjosa Osmanit, patericës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit, është hap i ndërmjetëm përmes të cilit arrihen dy qëllime; dëmtimi i LDK-së, dhe - fuzionomi i LVV-së. Përmes partisë së re, synon mbledhjen dhe tërheqjen e aseteve në LDK, duke marr me vete ndonjërin nga zyrtarët e lartë në hierarkinë partiake dhe pushtetare dhe përmes tyre, votuesit dhe mbështetësit e tyre të cilët më pas do t’ia bashkangjesë VV-së dhe Kurtit, sipas regjisë dhe skenarit të sinkronizuar me vetë VV-në dhe Kurtin”,.

“Përmes këtij veprimi ‘formimi i partisë’, synohet dëmtimi i LDK-së, mision ky i përhershëm dhe konstant i Vetëvendosjes dhe amës së saj, PDK-së së Hashimit e Kadrisë, në të kundërtën, nuk do i’a dilte të mashtronte votuesit besnik dhe elektoratin koherent të LDK-së i cili e mbështeti LDK-në në të gjitha fazat e ecjes në kohë në mbi tri dekada”.

Ikja e Osmanit, pastron LDK-në

Mirëpo, përkundër dëmeve që mund t’i shkaktojë LDK-së së Isa Mustafës largimi i Vjosa Osmanit, për veprimtarin Bajraj largimi i kësaj të fundit e pastron përfundimisht dhe i mundëson kësaj partie reflektimin për të ardhmen.

“Pas shpërfaqjes dhe stërkeqjes së hapur të Vjosa Osmanit, me veprimet, sjelljet dhe qasjen anti LDK dhe anti Kosovë, largimi i saj nga LDK-ja, jo vetëm që nuk dëmton këtë parti, por e ndihmon atë në reflektim dhe në marrjen e leksionit për besimin dhe mbështetjen dhënë asaj, pa eksploruar dhe studiuar mirë itinerarin dhe kontributin në parti i cili ishte jo vetëm i dyshimtë, por edhe i dëmshëm dhe abuziv. Të mashtruarit dhe mashtruesit me ikjen e saj definitive nga LDK-ja, kanë mundësinë e reflektimit, duke ndarë rrugët; të parët mbesin në LDK, derisa të dytët vazhdojnë duke pasuar Osmanin në misionin tanimë të dekonspiruar dhe të zhveshur; kundër LDK-së dhe Kosovës euro-atlantike dhe për LVV-në dhe ideologjinë e majtë, anarkiste dhe anti-shtetërore të LVV-së së Albin Kurti”, thekson veprimtari i LDK-së.

Krejt në fund, ai shprehet se i vetmi përfitim enorm i Vjosa Osmanit do të jetë, dëmtimi i sigurt i karrierës së saj politike dhe nga një grua e mbështetur nga një shtëpi e shenjtë dhe tradicionale siç është LDK-ja e Ibrahim Rugovës, do të kthehet në një leckë dhe në një politikane të dështuar e dhe të nëpërkëmbur deri në harresë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat