Presidenti i presidentit!

Politika

Presidenti i presidentit!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 shtator 2020 Në ora: 16:45
Nexhat Daci dhe Hashim Thaçi

Një ndër temat që po vazhdon të përflitet që nga aktakuza e ngritur nga Specialja për presidentin Thaçi, mbetët të jetë posti i presidentit të vendit.

Ky post po vazhdon të ngjallë debate nga liderët partiak duke vënë në skenë edhe emra të tjerë kandidat për këtë post.

Përveç Haradinajt dhe Limajt, nuk është deklaruar ende askush, mirëpo së fundi doli një emër i ri i cili po flitet se do të jetë kandidatë për president dhe i pranuar gjithashtu nga ana e presidentit aktual Hashim Thaçi.

Bëhet fjalë për akademikun Nexhat Daci, që mund të rikthehet si president konsensual i vendit.

I pyetur për kandidimin e tij, Daci u shpreh që nuk ka njohuri se është përmendur emri i tij duke vazhduar të mos deklarohet se nëse do të pranojë kandidimin apo jo.

“Nuk kam informatë. Në këtë periudhë jam i tërhequr me problemet e mia. Nuk kam asnjë njohur dhe s’kam çka…Po e lëmë tash me kaq, pastaj shohim”, ka thënë Daci.

Gjersa kandidati i zëshëm për këtë post, Ramush Haradinaj nuk është deklaruar në lidhje me këtë temë, duhet theksuar që Haradinaj mbanë raporte të mira me Dacin sepse Haradinaj kishte emëruar Arian Dacin, djalin e Nexhat Dacit zëvendësministër të Ambientit, më herët.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike shprehën që propozimi i Dacit për president përveç që është një lojë tjetër e Thaçit, nuk është as kushtetuese një president të miratoj dhe deklaroj për emrat që kandidojnë për këtë post.

Mehmeti: Daci nuk ka përkrahje nga PDK dhe as nga një pjesë e madhe e LDK-së

Analisti politik, Faton Mehmeti  i pyetur nga “Bota sot”, u shpreh që Daci nuk do të ketë mbështetje nga PDK e as nga një pjesë e LDK-së, sepse sipas tij kjo është një lëvizje taktike e Thaçit.

Image
Faton Mehmeti  

“Faktikisht PDK dhe as një pjese e madhe e LDK nuk e mbështet z.Daci për president, dhe si i tillë ska shanse të ndodh një gjë e tillë.Ky propozim është lëvizje taktike e Thaçit për të dhënë përshtypje e njeriut mbi palët”, tha Mehmeti.

Tutje, Mehmeti thotë që arsyjeja pse nuk do të votohet Daci nga PDK-ja është se kjo e fundit po synon të mbajë një postë të madhë shtetëror dhe se për këtë arsyje Daci nuk ka shans të bëhet president.

“PDK s’ka pse e voton z.Daci derisa atë pozitë mund ta merr edhe vet, duke qenë se PDK synon të ruaj njërin ndër tri postet e mëdha shtetërore për dike të vetin. Nuk ka asnjë shans që Daci të bëhet president, pasi nuk bën pjesë në pazaret që kanë të bëjnë me qeverinë aktuale. Qeverinë Hoti nuk e shpëton Daci, ai që do i jep jetë më të gjatë mund të bëhet. Posti i presidentit lidhet me qeverinë”, u shpreh Mehmeti.

Mehazi: Propozimi i Dacit për president është lojë e Thaçit

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që propozimi i Dacit për këtë post është veç një lojë e Thaçit për të prishur pazarin partive tjera politike.

Image
Sulejman Mehazi

“Propozimi i Nexhat Dacit për president s'është gjë tjetër perveç se lojë stilesh të njohura politike të presidentin në largim Hashim Thaçit, ai është i njohur për të bërë lojëra ngatërresash politike. Nominimi i Dacit nga Thaçi është vetëm për t'ua prishur pazarin partive tjera politike, për ta zbehur nominimin e Haradinajt nga AAK-ja, për të penguar me anë të numrave të deputeteve nominimin dhe të LDK-së e LVV për president”, u shpreh profesori.

Më tej, Mehazi thotë që Thaçi si president i vendit nuk duhet të jep emra për postin e presidentit duke u shprehur më tej që Daci nuk mund të jetë një zgjedhje por hamendje politike.

“Ai si president i Kosoves s'ka të drejtë të ndërhyjë e të përzihet në punët e partive konkuruese për president, nominimet për president i bëjnë partitë konkuruese politike e jo Kryetari i R. së Kosovës në largim, shumë më e logjikshme do ishte sikur këtë nominim ta kishte bërë vet PDK-ja e jo Thaçi që i fut hundët aty ku s'duhet. Mendojmë se nominimi i Nexhat Dacit nga Thaçi nuk do jetë zgjedhje, po hamendje politike, sa për t'ua prishur planet presidenciale partive tjera LDK-së, AAK-së e LVV-së, po dhe PDK-së nëse nuk pranon propozimin e Thaçit duke propozuar vet Kadri Veselin”, theksoi Mehazi.

Ahmeti: Thaçi nuk duhet të bëj propozime për postin e presidentit

Njohësi i çështje politike, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që posti i presidentit duhet të plotësojë kriteret formale-kushtetuese dhe jo të shëndrrohet në kontekstin e pazareve politike.

Image
Hidajet Ahmeti

“Pozita e presidentit të vendit duhet të plotësoj kriteret formalo- kushtetuese, por njëkohësisht disa kritere tjera të cilat më shumë janë të natyrës morale e intelektuale . Një president i cili del nga pazaret politikë potencialisht është i dështuar në fushëveprimin dhe mandatin e tij kushtetues, pasi transformohet në instrument të partive politike. Partitë politike parlamentare duhet të gjejnë një modus për pozitën e presidentit, e jo pozita e presidentit të shëndrrohet në kontekstin e pazareve politike, me një fjalë të nxjerrin“një kukull president”, u shpreh Ahmeti.

Duke vazhduar më tej, Ahmeti thotë që Thaçi nuk duhet të lëshoj deklarata të tilla pasiqë po arrin të ngjallë polemika dhe se këto deklarata nuk janë kushtetuese, ligjore, por as të moralshme nga këndvështrimi i tij si president.

“Gjykoj se, më së paku i takon presidentit Thaçi të bëj propozime të tilla, të cilat nuk janë kushtetuese, ligjore, por as të moralshme nga këndvështrimi i tij si president. Presidenti Thaçi është transformuar në një njeri super të fuqishëm, pasi shumë herë ka tejkaluar mandatin e tij kushtetues, duke prodhuar situate të paqenë, duke u lëshuar në deklarata spekulative e propaganda të tipit klasik, e të cilët më së paku i takojnë një presidenti të vendit. Nuk dua që të vlerësoj personalitetin e zoti Daci, pasi konteksti më shumë është se kush e ka propozuar? Personalitet i Thaçit më shumë ka ngjallur polemika se ka prodhuar një unitetet politik e popullor dhe prandaj çdo nismë e tij e në këtë rast edhe ky propozim nuk është serioz e as i sinqertë”, përfundoi Ahmeti, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat