Fraksion apo hipokrizi partiake?

Politika

Fraksion apo hipokrizi partiake?

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 14 shtator 2020 Në ora: 07:07
Vjosa Osmani, LDK; foto ilustrim nga "Bota sot"

Mes viteve `60-a. Në Plenumin e IV-të të LKJ, Titua "qeroi hesapet" brenda partisë së tij. Në mes të tjerëve edhe krimineli Rankoviç do ta pësonte. Pas krimeve të shumta ndaj shqiptarëve, ngulfatjen ekonomike dhe politike, ndryshimi i kontrolluar, sikur lehtësoi frymëmarrjen e popullit tonë të përvuajtur ndër  dekada e shekuj.

Me porosi të grupit ilegal, iu afrova shokut tim të klasës, Ibrahim Rugovës, duke i propozuar bashkëpunim. "Ka ardhë koha për të dalë nga çubat", - u gjegj nxënësi i Normales të Pejës, Rugova. Dhe, sqaroi më tej: "Kush mbeti pa u zbuluar, arrestuar dhe dënuar? Duhet përfituar nga rrethanat politike të krijuara". 

Grupi ilegal reflektoi në veprime, duke koordinuar e kombinuar ilegalen me legalen. Kështu, në Vrellë të Istogut, në mbledhjen e organizatës së bashkuar të komunistëve, parashtruam disa kërkesa politike, adekuate për kohën, për t`i përsëritur në Kuvendin Zgjedhor të Rinisë komunale, ku pjesëmarrës ishte edhe studenti "brucosh" Ibrahim Rugova. Kërkesat ishin "me spec", të përfolura në surdinë, por kurrë zëshëm, deri në ato dy mbledhjet. Shpalosja e sërishme, më kumbuese e këtyre kërkesave, tërësisht politike, u bë në demonstratën masive të nëntorit 1968, në Prishtinë.

E bëmë, qëllimshëm, këtë parantezë, për ta krahasuar me gjendjen aktuale të partive politike në Kosovë, mungesën e demokracisë së brendshme partiake, ngulfatjen totale të mendimit të lirë, mungesën e denoncimit të batakçillëqeve të klaneve uzurpuese të partive politike. Andaj, këto klane godasin zërat e vetmuar protestues, në rastin konkret, shembullojmë me dinjitaren Vjosë Osmani.

Realisht, Vjosa nuk është e vetme në kërkesën e saj, absolutisht, parimore e legjitime, për zhvillimin e demokracisë së brendshme të LDK-së dhe më gjerë, në spektrin politik të Kosovës: për debatin e lirë, për konkurrencën e ndershme zgjedhore dhe, mbi të gjitha, provimi me votën e fshehtë zgjedhore, për të gjitha strukturat e partisë. Madje, vet kryetari i partisë t`i shtrohet votës të bazës partiake. Së fundi, zgjedhja e kryetarit bëhet nga anëtarësia, duke qenë në konkurrencë zgjedhore.

Tashmë, LDK-ja është në ilegalitet të brendshëm. Janë shumë dhjetra kuadro, që nga Kryesia Qendrore, Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, deputetët, kuadro të lartë qeveritarë, të cilët mendojnë njësoj si Vjosë Osmani. Pra, këta janë në "çuba", sepse i godet partia, jo me burg si UDB-a, por, me shkarkime e denigrime rrugaçërore, siç bëjnë klanorët dhe lakejtë e tyre të bollshëm, kalemxhinj të pacipshëm dhe fjalamanë të neveritshëm, të cilët llomotisin me porosi. Personalisht, po të kem frikë nga partia ime, asnjë ditë nuk do të qendroja brenda saj.

Heshtja e kuadrove të devotshëm rugovistë është tragjike. Ata e dinë mirëfilli se klani Mustafa është i shantazhuar nga PAN-i, kryesisht, PDK-ja dhe SHIK-u i saj.  Provimi në votën e lirë, me votimin e fshehtë demokratik, i tmerron klanorët. Partinë e kanë privatizuar, pronësuar dhe nuk mund ta imagjinojnë provën me votën e fshehtë, sepse paragjykojnë humbjen e pushtetit.

Një bindje tjetër, tashmë, e fshehtë publike, është se klani është i gatshëm të godasë gjithësecilin që mendon e denoncon si Vjosa. Edhe pse klani Mustafa, brenda Kryesisë Qendrore, është i vetëdijshëm se goditja e kuadrove, qofshin ata komunalë apo qendrorë, e dëmton LDK-në, me rrjedhje të drejtëpërdrejtë të elektoratit, nuk merakoset fare! Ky klan, fatal për partinë, mjaftohet me kalimin e pragut zgjedhor, për të qenë pjesë e qeverisjes, bisht i PDK-së apo të PAN-it supër kriminal.

Përgjatë 10-vjeçarit të fundit, vendimet e marra nga PDK-LDK, për Kosovën, janë në favor të fqinjëve hileqarë e grabitçarë, si dhe i shërbënin Hashim Thaçit, të shantazhuar nga dosjet e Serbisë, kanë pykuar Kosovën edhe sot në shumëçka. Është PDK-ja ajo që vendosë për largimet apo emërimet e kuadrove të LDK-së. Kujtoni kritikat korale të PAN-istëve kundër rugovistës Vjosë Osmani! Sepse ajo ishte pengesë, për arritjen e qëllimeve të errëta anti-Kosovë të Hashim dallaverës me shokë.

Edhe emërimet për dialogun aktual, janë sugjërime të PDK-së dhe kryeministri Hoti nuk dilte jashtë preferencave të Hashimit, qoftë Editën apo Skënderin. Qëllimi është që dialogu të rrjedhë sipas përcaktimit të Hashimit, pavarësisht mungesës fizike të tij. Një provokim e guxim i tepëruar i Isa Mustafës me klanin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat