Pse e propozoi Thaçi për president Nexhat Dacin?

Politika

Pse e propozoi Thaçi për president Nexhat Dacin?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 14 shtator 2020 Në ora: 22:08
Nexhat Daci dhe Hashim Thaçi

Për shumë njeri propozimi i presidentit aktual Hashim Thaçi, që president pas tij të jetë akademik Nexhat Daci, ishte i papritur. Edhe unë jam në mesin e atyre që kam mbetur i habitur, meqenëse mendoja se Thaçi do propozonte dikë nga familja Jashari, edhe për t’i përmirësuar raportet me këtë familje legjendare.

Megjithatë, si shumë poteza të tjera të Thaçit edhe ky duket se ka prapavijë. Në bazë të rrethanave aktuale në vend, mund të jenë dy arsye që Thaçi propozoi z. Daci: të përdor si xhoker në pazaret që do të bëhen me Serbinë, dhe tjetra për t’i dhënë vetës kredencialet e liderit të Kosovës, njeriut mbi parti.

Për tej kësaj, gjasat e z. Daci janë shumë të vogla, për mos të thënë krejtësisht të papërfillshme, në pamundësi ekstreme për të arritur deri tek zyra e të parti të vendit. Janë një sërë faktorësh që e pamundësojnë zgjedhjen e akademikut në pozitën e të parti të shtetit. Dihet se posti i presidentit të Kosovës është pasojë e pazareve të koalicioneve qeverisës deri tani.

Me presionin e vazhduar të z. Haradinaj për t’u bërë president ose do të largohet nga koalicioni, LDK ose duhet të mbështes z. Haradinaj, ose të fus në koalicion PDK me kandidatin e saj për president.

Dihet se z. Daci ska parti, s’ka mbështetje politike, as deputetë të tij në kuvend që do ta votonin. Për më tepër z. Daci nuk mbështete as nga kryesia e LDK, konkretisht nga Isa Mustafa. Andaj, shanset e tija janë pothuajse zero.

Pa mbështetje politike në mes të partnerëve të koalicionit që ka shumicën e votave s’ka shanse të bëhet dikush president, më tepër ka shanse Ramushi se Daci, edhe pse niveli akademik i këtij të fundit e le shumë larg atë të kreut të AAK.

Gjithsesi realiteti është ky që është, me një propozim taktikë politike të njeriut që edhe pak muaj i kanë mbetur në pozitën e të parti të shtetit. Propozim që nuk do të kaloj, për arsyet që i cekëm më lart. Hashimi e di që Daci nuk bëhet president, prapavija e tij qëndron diku tjetër, të fus edhe më shumë përçarje brenda në LDK, duke qenë se pjesa më e madhe në LDK nuk e mbështet z. Daci, por ka disa edhe që e mbështesin. Andaj, me këtë propozim hilja është për ndarjen e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat