“LDK-në nuk e dëmtuan dot as Daci e Bukoshi”, veprimtari ‘godet’ Vjosa Osmanin: Po kalon në fazën e fundit të skenarit anti-LDK – ja thirrja për Mustafën

Politika

“LDK-në nuk e dëmtuan dot as Daci e Bukoshi”, veprimtari ‘godet’ Vjosa Osmanin: Po kalon në fazën e fundit të skenarit anti-LDK – ja thirrja për Mustafën

Nga: N. H Më: 14 shtator 2020 Në ora: 23:42
Lidhja Demokratike e Kosovës

Veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se LDK-në nuk ka mundur ta dëmtojë as Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu dhe as Bujar Bukoshi. Këto komente, Bajraj i bëri pas zërave se ish-nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani, ndodhet në fazën përfundimtare të krijimin të një iniciative të re politike, gjë që po konsiderohet se do ta dëmtojë shumë partinë e Isa Mustafës.

Bajraj deklaron se lidershipi dhe strukturat e LDK-së, duhet të tërheqin konsekuencat për mbështetjen dhe besimin e pamerituar që i kanë dhënë Vjosa Osmanit.

Image
Fatmir Bajraj

“LDK-në, nuk dëmtuan dot as Daci, Sejdiu, Bujar Bukoshi dhe as vetë pinjolli i Presidentit historik Rugova me Listën ‘Ibrahim Rugova’, duke pësuar fatin e njëjtë të të ikurve ‘idealistë’ në kohën e Rugovës në krye me Hydajet Hysenin e Jakup Krasniqin, dhe nuk do e dëmtojë as Vjosa Osmani me sabotuesit e LDK-së të identifikuar si mbështetës të saj. LDK, lidershipi i saj dhe strukturat e saja organizative, duhet të terhjekin konsekuencat për mbështetjen dhe besimin e pamerituar që i dhanë Vjosa Osmanit, përkundër pasqyrës së qartë të angazhimit të saj në LDK, por kundër LDK-së dhe në shërbim të grupeve dhe grupimeve të ekstremit majtist në skenën politike të Kosovës, siç është Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit”, ka thënë Bajraj.

Madje, ai shprehet se kjo parti duhet ta pastrojë edhe më shumë partinë nga ata që e dëmtuan LDK-në dhe proceset politike shtet-ndërtuese në qeverisjen e drejtuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti.

“Largimi dhe përjashtimi i pakusht i gjithë atyre që dëmtuan LDK-në dhe proceset politike shtet-ndërtuese në qeverisjen e drejtuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, është hap dhe veprim imediat, i cili duhet të përcillet me kërkim-falje drejtuar elektoratit besnik e të sinqertë të LDK-së të cilit i’u servuan njerëz të pa integritet e dinjitet, siç u dëshmua rasti me Vjosa Osmanin, Haxhi Avdylin dhe jo vetëm”, ka thënë më tej ai.

Sipas veprimtarit të LDK-së, ish-nënkryetarja e LDK-së tashmë ndodhet në fazën e fundit të skenarit anti-LDK dhe anti-Kosovë. Gjersa, edhe parashikon sefati i Osmanit në politikë, ka një fund të mjerë.

“Vjosa Osmani po kalon në fazën e fundit të skenarit anti-LDK dhe anti-Kosovë, fazë cila definitivisht e nxjerrë si të harxhuar dhe të pavlerë politikisht, si hedhurinë e proceseve politike në koshin e plehrave të historisë, vend të cilin i rezervuan të tjerët dhe Vjosa nuk e refuzojë. Fati i saj në politikë, ka një fund të mjerë duke pas parasysh, rolin prej marionete dhe figurante të përdorur nga qarqe të lartpërmendura me synime të errëta për LDK-në dhe Kosovën, për çfarë edhe mori përgjigjën në vendimin gati unanim për përjashtimin e saj. LDK-ja, nga kjo ‘krehje’, do dalë e fisnikëruar deri në prarim dhe e zonja për të ecë tutje suksesshëm në misionin e saj historik; në proceset politike integruese dhe shtet-ndërtuese në partneritet me miqtë tanë të provuar në krye me Amerikën, amanet ky i kultivuar dhe i trashëguar nga Presidenti historik Rugova dhe i artikuluar nga Kryeministri Hoti”, thekson veprimtari i LDK-së.

Krejt në fund, ai nënvizon se partia e Isa Mustafës përjetoi shumëçka, por që nuk u tund dhe as lëkund kurrë nga misioni i shenjtë historik në luftën për liri dhe bërjen e Kosovës.

“LDK-ja përballojë në kohë; stuhi e furtuna, por nuk u tund dhe as lëkund kurrë nga misioni i shenjtë historik në luftën për liri dhe bërjen e Kosovës shtet sovran dhe demokratik; euro-perëndimor, trans-atlantik dhe në sinkroni me Amerikën”, tha krejt në fund Bajraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat