“Shoqëria duhet të bëj më shumë, që ti parandalojë rastet e dhunës dhe vrasjet”

Politika

“Shoqëria duhet të bëj më shumë, që ti parandalojë rastet e dhunës dhe vrasjet”

Nga: D.B. Më: 15 shtator 2020 Në ora: 16:45
Foto Ilustrim

17 është numri i grave të vrara vetëm gjatë vitit 2020. Ndërsa 56 të tjera i shpëtuan tentim vrasjes në nëntë muajt e fundit.Sipas të dhënave nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës, që nga fillimi i vitit 2020 janë vrarë 17 gra, kurse 56 prej tyre janë përballur me tentim-vrasje e tyre.

Bëhet e ditur se nga totali i numrit të vrasjeve, tetë prej tyre Policia e Kosovës i cilëson si vrasje, ndërsa nëntë të tjera si vrasje e rëndë.
Rajoni në të cilin janë raportuar më së shumti vrasje, është rajoni i Prishtinës me gjithsej pesë vrasje, duke u pasuar me katër vrasje në rajonin e Prizrenit dhe Ferizajt, ndërsa me nga dy vrasje në rajonin e Pejës dhe Gjilanit.

E në lidhje me këtë çështje Armend Halimi nga Instituti për Studime te Sigurisë ISS, konsideron se shumë faktor shpien deri tek dukurit negative.

Ai ka thënë për gazetën “ Bota sot” se ndër më të shpeshtat konsiderohen faktorët ekonomiko-social.

Image
Armend Halimi

“Rastet e dhunës, sidomos grindjen mes çifteve, nëse merren për bazë mosha e tyre që mesatarisht i përket të 40-50, ka të bëjë me tranzicionin apo ovulimin kulturor që ka pësuar viteve të fundit shoqëria jonë.

E them këtë pasi shoqëria jonë  ka kaluar nga tradicionalja, deri tek kjo modernia globale, si rezultat i hapjes së botës nëpërmes rrjeteve sociale, përkatësisht imitimit të stilit kulturor të vendeve tjera, që në shoqëri shpesh përkthehet si emancipim i gruas, e që me gjasë ende shoqëria jonë nuk është në gjendje ti përshtatet këtyre ndryshimeve, e që shpie tek mosmarrëveshjet, mos durimi mes çifteve, dhuna e deri tek vrasjet”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, nuk duhet harruar, se faktor me mjaft ndikim sigurisht që janë ata që i përmendem paraprakisht, pra, ekonomiko-social, po t’ia shtojmë kësaj edhe rendimin e gjendjes që ka shkaktuar pandemia tash e sa kohe, akumulohen mjaftueshëm shkaktar të kësaj dukurie dhe dukurive tjera.

“Prandaj, shoqëria duhet të bëj përpjekje të parandaloj këto me anë të masave sociale, përkatësisht këshillimit social e psikik me anë të projekteve kolektive. Ndërsa, kur kemi të bëjmë me raste te dhunës recidive (të përsëritur), kryesisht duhet të marrin masa adekuate ligjore, në mënyrë që të frenohen rastet potenciale”, është shprehur Armend Halimi nga Instituti për Studime te Sigurisë .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat