Kërkuan ndihmën e Thaçit për rrëzimin e Hotit, vijnë akuza të rënda ndaj VV-së: Ja skenari që po përgatitet

Politika

Kërkuan ndihmën e Thaçit për rrëzimin e Hotit, vijnë akuza të rënda ndaj VV-së: Ja skenari që po përgatitet

Nga: P.R Më: 16 shtator 2020 Në ora: 20:20
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Gjatë ditës së sotme, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dalë kundër takimit të së Enjtës në Bruksel, takim ky që do të zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë.

"Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e 'Republikës Serbe në Kosovë'. Për diçka të tillë mendoj se parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin", ka thënë Thaçi.

E pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar ndihmën presidentit Thaçi, në mënyrë që të arrijnë ta rrëzojnë Avdullah Hotin nga posti i kryeministrit.

“Ne sa po e pa deklaratën e presidentit, dhe kemi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. I bëjmë thirrje presidentit së pari që të tërheq nënshkrimin nga marrëveshjet e prillit 2013 dhe asaj të 2015 pastaj të fton partinë e tij PDK-në që të nënshkruaj mocionin për rrëzimin e qeverisë, dhe vazhdojmë tutje për mbrojtjen interesave të Kosovës dhe kundër krijimit të Asociacionit të komunave serbe”, deklaroi deputetja e VV-së, Fitore Pacolli.

E duke folur lidhur me këto zhvillime, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri ka drejtuar kritika të ashpra ndaj Vetëvendosjes.

Ai ka treguar edhe arsyem pse mund të behët bashkë Lëvizja Vetëvendosje me Partinë Demokratike të Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

 

“Shihet se LVV-ja do i shfrytëzon të gjitha mjetet dhe mundësitë për të ardhur në pushtet, duke mos përjashtuar edhe koalicionin me PDK-në, për të cilën thotë se akoma ka vija të kuqe. Dhe tani shihet qartë se ky subjekt politik nuk e ka hallin e Kosovës, nuk është as çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që i brengos shumë albinistët, përveç që mund ta marrin si pretekst, por është rivaliteti politik dhe motivi i vetëm i tyre është rrëzimi i qeverisë Hoti dhe hakmarrja ndaj LDK-së, dhe kjo mund ti bëjë bashkë LVV-në me PDK-në”, ka thënë Haziri për “Bota Sot”.

“Është interesante se sa herë Kosova fillon të ketë një stabilitet politik dhe të filloj të konsilidohet si shtet, është një lloj frikë që i bën bashkë LVV dhe PDK-në, sikur gjatë periudhës së qeverisjes së ish-Kryeministrit Isa Mustafa”, shprehet më tej Haziri.

Sipas tij, ekziston një skenar nga Vetëvendosje për destabilizimin e Kosovës.

“Sa i përket mundësisë së votimit të Thaçit nga LVV-ja për një mandat të dytë si president, nëse PDK-ja ia plotëson “dëshirat” partisë së Albin Kurtit, e shohë të pamundshme, për arsyen se z. Thaçi nuk do ta ketë mundësinë që të kandidoj edhe për një mandat si President i Kosovës, pasi tashmë ai është një nga ata që iu ka ngritur aktakuza dhe kjo pritet vetëm të vërtetohet nga gjykatësit e Gjykatës Speciale për krime lufte. Krejt në fund, ky është një skenar ogurzi që po provohet nga LVV-ja për ta destabilizuar vendin në prag të shpalljeve të aktakuzave të reja nga Gjykata Speciale dhe pritjes së arrestimeve të të akuzuarve, dhe pjesë e këtij skenari është edhe vet PDK-ja”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat