Suksesi i Hotit po i tmerron kundërshtarët politik: Thaçi është tronditur me videon e foton e Hotit në Shtëpinë e Bardhë

Politika

Suksesi i Hotit po i tmerron kundërshtarët politik: Thaçi është tronditur me videon e foton e Hotit në Shtëpinë e Bardhë

Nga: G.B Më: 18 shtator 2020 Në ora: 12:58
Pamje nga Shtëpia e Bardhë

Opozita në Kosovë vazhdimisht kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Një arsye më shumë sipas tyre është marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë, që sipas tyre është në dëm të Kosovës.

Por, sa ka shanse që të kemi zgjedhje të parakohshme këtë vjeshtë?

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën ”Bota sot” se opozita gjithmonë e kërkon rrëzimin e Qeverisë, sidomos në Kosovë që opozita e sheh dështim suksesin e Hotit, duke shtuar se vendi mund të shkojë në zgjedhje por që nuk mund të ketë një kryeministër si Hoti.

“Opozita gjithmonë kërkon rrëzimin e qeverisë zakonisht, e aq më shumë opozita e Kosovës që sheh dështimin e saj në suksesin e qeverisë Hoti kohëve të fundit, sukses që erdhi si rezultat i lirisë së Avdullah Hotit, lirisë në kuptimin që ai nuk është peng askund, është më i përgatitur për drejtim se gjithë eksponentët e opozitës e pozitës dhe është e kundërta e llafollogut Kurti. Opozita mund ta çojë vendin në zgjedhje por nuk do të gjejë as zgjedhje e as zgjidhje më të mirë aktualisht se sa po rezulton qeveria Hoti në fushën e tërheqjes se vëmendjes me dinjitet ndaj Kosovës”, është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas Shahut, suksesi i Hotit i ka lënë pa fjalë të gjithë që kanë ëndërruar të jenë në vendin e tij, sidomos presidenti Thaçi, që sipas tij është i tronditur kur sheh videon e foton e Hotit në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk e sheh veten e tij aty.

“Suksesi i Hotit në Shtëpinë e Bardhë ku u vendos që Kosova nuk mund të kullotet nga Rusia, Kina, Turqia apo ekstremizmat e rrezikshme arabe që kërcënojnë Kosovën e financojnë politika partish të ndryshme, ka lënë pa tekst gjithë liderët e Kosovës që kanë ëndërruar gjithë jetën të ishin në vendin e Hotit ne Shtëpinë e Bardhë. Sidomos presidenti Thaçi është i tronditur kur sheh videon e foton e Hotit në Shtëpinë e Bardhë dhe nuk e sheh veten e tij aty”, ka vlerësuar ai.

Tutje, ai shton se vendi mund të shkojë nesër në zgjedhje, por kartolina e Avdullah Hotit në Shtëpinë e Bardhë duke nënshkruar e folur me presidentin e SHBA nuk do të zhduket kurrë dhe se nuk ka shanse që ta qeverisin Kosovën më shumë se dy muaj asnjëherë enveristet, apo marksistë leninistët por as komandantët e pasluftës.

“Nesër mund të shkojë vendi në zgjedhje nëse do opozita, por kartolina e Avdullah Hotit në Shtëpinë e Bardhë duke nënshkruar e folur me presidentin e SHBA nuk do të zhduket kurrë dhe do të jetë sa të jetë Kosova. Mund të shkojë vendi në zgjedhje se zgjedhjet nuk përjetohen si tragjedi në Kosovë, por nuk mund të kenë shanse ta qeverisin Kosovën më shumë se dy muaj asnjëherë enveristet, apo marksistë leninistët por as komandantët e pasluftës. Kosova po kthjellohet përditë e më shumë dhe antiamerikanizmi nuk mund të rritet e jetojë në Kosovë pasi shqiptarët i janë mirënjohës përjetë Amerikës për lirinë e pavarësinë”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat