Horizonte bashkëpunimi me epiqendër territori shqiptar – kjo është ‘medalja’ e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë

Politika

Horizonte bashkëpunimi me epiqendër territori shqiptar – kjo është ‘medalja’ e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 19 shtator 2020 Në ora: 12:04
Pamje nga nënshkrimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi në SHBA

Marrëveshja e Uashingtonit hap horizontet e reja të bashkëpunimit ekonomik, duke e faktorizuar territoret etnike shqiptare, që të bëhen kryeqendra të Ballkanit, siç kanë qenë dikur.

Kështu kanë vlerësuar njohësi të çështjeve politike dhe ekonomike, ku sipas tyre, marrëveshja në Uashington është e vlerës dhe e rëndësisë historike, për Kosovën dhe gjithë shqiptarët.

Ata thonë se, kjo marrëveshje shënon nismën e krijimit të raporteve të reja në Ballkanin, e mbërthyer në urrejtje dhe intriga pafund, të krijuara nga konfliktet dhe luftërat me gjakderdhje të mëdha.

Bulliqi: Qeveria Hoti u zotua për njohje reciproke, por nuk e arritën

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë se marrëveshjet e arritura në Uashington e kanë futur Kosovën në zotime të rrezikshme, prej pezullimit 1 vjeçar për lobim në organizata ndërkombëtare, hisedare Serbinë në Ujman, përfshirjen e Kosovës në mini-shengenin Ballkanik dhe ndërtimin e autostradës dhe ndërrimin e trasesë së hekurudhave për Merdar.

Sipas tij, Kosova ka lëshuar pe në secilën pikë të marrëveshjes, qeveria Hoti u zotua se po shkojnë për njohje reciproke, as nuk arritën njohjen dhe ju subordinuan secilës kërkesë të Serbisë.

Image
Shpejtim Bulliqi

“Zhurma e madhe e krijuar për normalizim të marrëdhënieve ekonomike është farsë për të mbuluar dështimin e qeverisë në dialogun Kosovë-Serbi. Çështjet e brendshme të Kosovës u vendosën edhe një herë në tavolinën e bisedimeve, gjë që e bënë të papranueshme marrëveshjen e arritur në Uashington. Po ashtu, marrëveshja tregon se Kosova do të lejojë korridoret hekurudhore e rrugore që Serbia të dalë në detin Adriatik”, ka thënë deputeti Bulliqi

Ai ka thënë se nëse as me këtë lëshim Kosova nuk e mori njohjen prej Serbisë, çka tjetër do të duhet të lëshojë.

“Devijimi i rrugëve prej Mitrovicës në Merdare, dhe përfshirja në një marrëveshje ndërshtetërore i rrugëve të brendshme të Kosovës, krijojnë terren për një projekt të rrezikshëm, siç është ai i ndarjes territoriale të pjesës veriore të vendit”, ka thënë deputeti Bulliqi.

Zogaj: Marrëveshja e Uashingtonit hap horizontet e reja të bashkëpunimit ekonomik

Image
Skender Zogaj

Ndërsa analisti politik Skender Zogaj ka thënë se marrëveshja në Uashington është e vlerës dhe e rëndësisë historike, për Kosovën dhe gjithë shqiptarët, sepse, shënon nismën e krijimit të raporteve të reja në Ballkanin e mbërthyer në urrejtje dhe intriga pafund, të krijuara nga konfliktet dhe luftërat me gjakderdhje të mëdha.

Sipas tij, marrëveshja e Uashingtonit hap horizontet e reja të bashkëpunimit ekonomik, duke e faktorizuar territoret etnike shqiptare, që të bëhen kryeqendra të Ballkanit, siç kanë qenë dikur.

“Në veçanti kjo marrëveshje hap horizontin e faktorizimit të bregdetit shqiptarë, që është gjëja më e vlershme që pritet të ndodh dhe që duhet të ndodh nëse shqiptaret bëhen unik ne jetësimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Ndërtimi i autostradës Merdare-Morinë dhe i hekurudhës, padyshim që janë lehtë të realizueshme, sepse është proklamuar edhe përkrahja materiale për to, kështu që, kërkohet vetëm një unitet politik gjithë-shqiptar, si kusht i vetëm për ecje përpara”, tha Zogaj.

Kadriaj: Marrëveshja në Uashington, nuk duhet të shihet si shkop magjik

Image
Mustafë Kadriaj

Kurse për njohësin e çështjeve ekonomike, profesor Mustafë Kadriaj, marrëveshja në Uashington nuk duhet të shihet si shkop magjik por duhet vlerësuar që përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë firmosur duke qene një vend me garantues dhe me i besueshëm për Kosovën dhe qytetaret e saj.

Ai ka thënë se në kuadër të marrëveshjes ka pika që duhet filluar zbatimi pa humbur kohë.

Sipas tij, njohja e vulave dhe diplomave nga të dy shtetet në kuadër të marrëveshjes është largimi i 5G nga shfrytëzimi po ashtu trajtimi i organizatave militante si organizata terroriste si rasti i Hesbullah-ut dhe te ngjashme.

“Në kohë jo të largët krijimi i raporteve diplomatike dhe thellimi i bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit ndërsa në të ardhmen, pritet që të fillojnë projektet kapitale si rrugët, hekurudhat, energjia, uji transporti ajror duke bërë raportin e fizibilitetit njëherësh duke filluar implementimin në harmoni me Bashkësinë Ndërkombëtare konkretisht me SHBA-në. Si përfundim vlerësojë që duke besuar që garantues të marrëveshjes janë SHBA-të projektet do të marrin kohë sipas rrethanave politike apo agjendave por ka vend për optimizëm që do konkretizohet marrëveshja e Uashingtonit”, është shprehur njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj.

Ndryshe, me marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, e cila është ekonomike, Kosova do të përfitoj miliarda euro. Kështu është raportuar pas nënshkrimit të saj në Uashington.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat