Presidenti kundër Hashim Thaçit!

Politika

Presidenti kundër Hashim Thaçit!

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 19 shtator 2020 Në ora: 17:11
Hashim Thaçi

Pesë vite më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në atë kohë ministër i Punëve të Jashtëm të Kosovës, e kishte lavdëruar marrëveshjen Asociacionin e komunave serbe.

Ai në atë kohë, pati deklaruar se kjo marrëveshje shënon progres në telekom, integrimin energjetik, asociacion, barrikadën në lumin Ibër.

“Marrëveshja e nënshkruar sot shënon progres në telekom, integrimin energjetik, asociacion, barrikadën në lumin Ibër. Është ky një investim në të ardhmen europiane të fëmijëve tanë. Benefitet ekonomike dhe politike janë të qarta ndërsa tani presim edhe hapa të përshpejtuar në nënshkrim të MSA, integrim në NATO, liberalizim vizash, anëtarësi në UNESCO, INTERPOL dhe Këshill të Europës. Kjo përkthehet në stabilitet dhe investime ekonomike. Republika është forcuar”, këtë  deklaratë Thaçi e kishte shkruar në faqen e tij në Facebook në vitin 2015.

Por,  pesë vitet më vonë, presidenti i Kosovës, ka ndryshuar qëndrim.

Ai ka deklaruar se rihapja e kësaj çështje është rrezik për krijimin e 'Republikës Serbe në Kosovë'

"Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e 'Republikës Serbe në Kosovë'. Për diçka të tillë mendoj se parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin", ka thënë Thaçi para mediave.

Thaçi po kundërshton mendimet e veta!

Image
Islam Krasniqi

Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot” i ka quajtur deklaratat e presidentit të pakuptimta.

“Presidenti Thaçi është ai që vetë dy herë e ka qitur nënshkrim lidhur më këtë çështje, mirëpo tani që Brukseli e ka lenë jashtë lojë po mundohet prapë  të jetë faktor kryesor. Deklaratat e Presidentit janë të pa kuptimta sepse me çdo kusht ka provuar të ratifikoj ato marrëveshje, ku kjo marrëveshje ra poshtë nga Gjykata Kushtetuese sepse ishte në kundërshtim me të dhe ligjet në fuqi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi është shprehur se presidenti Thaçi ka filluar t'i kundërshtoj edhe vendimet e veta.

“Thaçi kohëve të fundit ka filluar t'i kundërshtoj edhe vendimet e veta si p.sh. Hotin po e quan jo legjitim, edhe pse e ka zgjedhur me ndikimin e tij, tash kundër asociacioni të komunave serbe që do të thotë Thaçi kundër Thaçit më ëndrrën së është i pa zëvendësueshëm duke i harruar dështimet si në dialog ashtu edhe në diplomaci!”, ka potencuar Krasniqi për “Bota sot”.

Bajraj: Presidenti Thaçi & Co, i tremben suksesit të Hotit dhe Kosovës!

Image
Fatmir Bajraj

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Fatmir Bajraj, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se sukseset e Qeverisë Hoti nuk po kapërdihen lehtë nga Presidenti Thaçi dhe oponentët e LDK-së, në VV dhe PDK.

“Thaçi, logjikisht, s'mund të jetë kundër Asociacionit, por përmes tij, del hapur kundër trajektores se sukseseve të Qeverisë Hoti, suksese tanimë të prekshme për qytetarët e vendit dhe për qendrat e vendosjes ndërkombëtare, Bruksel e Uashington për rreth 4 muaj qeverisje të përgjegjshme dhe afirmative, fakt ky që nuk kapërdihet lehtë nga Presidenti Thaçi dhe oponentët e LDK-së, në VV & PDK të cilët dështuan, dëmtuan dhe dezertuan në finalen e proceseve shpërnderuese të vendit”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu,  Bajraj ka shkruar se kjo marrëveshje mbar autorësinë e Thaçit dhe të PDK-së, ndërkaq në atë kohë kishte marrë bekimin edhe të deputetëve të Kuvendit.

“Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, ka "djepin" në Bruksel  dhe "lindjen"  e këtij "Djepi", përkundën dhe i kënduan ninulla ish Kryeministri i Kosovës, tani President i vendit, z.Hashim Thaçi dhe ish Ministri i Millosheviqit, Ivica Daqiq, në Marrëveshjen e parë që rregullon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, me datë 19 prill 2013, Marrëveshje kjo, e ratifikuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës me Ligj të veçantë dhe me mbi 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra si marrëveshje ndërkombëtare e cila duhet të trajtohet si e tillë dhe assesi ndryshe.

Marrëveshja ndërkombëtare në fjalë, mbanë autorësinë e z.Thaçi dhe të PDK-së në kohën kur kjo ishte në krye të Institucioneve të vendit, dhe e njëjta, mori bekimin e përfaqësuesve të Sovranit me votimin e mbi 2/3 të Kuvendit dhe kthehet në detyrim shtetëror për Kosovën”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Bajraj: Pse Thaçi del kundër Asociacionit, tani?

Po ashtu, ai ka përmendur disa nga arsyet të cilat e kanë bërë Thaçin që të del kundër asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Bajraj vlerëson se disa nga arsyet janë ngritja e akuzave nga Gjykata Speciale, humbja e pozicionit të lidershipit në kuadër të Dialogut me Serbinë si dhe diskursi i Qeverisë Hoti.

“Një gamë arsyesh shtynë Thaçin t'i bashkohet diskursit destruktiv të opozitës (VV & PDK) dhe qasjes diversive dhe sabotuese ndaj sukseseve të Qeverisë së Republikës së Kosovës të drejtuar nga LDK-ja dhe Kryemnistri Hoti;

- Gjykata Speciale dhe procesi i ngritjes së aktakuzës ndaj z.Thaçi, z.Veseli dhe të tjerët ish "komandant" dhe tani në maja të politikes dhe në shtetkapje, të cilët janë target dhe potencial real të këtij tribunali për krimet e pretenduara gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

- Frika nga Tribunali dhe konfirmimi i aktakuzës, është njëri nga shkaqet të cilat këtë të fundit e bëjnë që të kërkoj shtigje të daljes nga ky labirint, dhe të eksploroj rrethana të cilat vështirësojnë mekanizmin e Dhomave të Specializuara të cilat mund t'a sjellin Thaçin & Co, prapa grilave të tribunalit dhe larg pushtetit.

Dalja hapur kundër Qeverisë Hoti dhe kundër një marrëveshje ndërkombëtare, autorësinë e së cilës, mbanë vetë z. Thaçi, bënë të kuptohet se ky i fundit (Thaçi) interesin dhe fatin personal, e vë para interesit nacional dhe shtetëror të Kosovës gjë që ka dëshmuar e provuar edhe në rastin e Gjykatës Speciale të cilën e promovoj dhe glorifikoj me pompozitet, dhe e kundërshtoj hapur në momentin kur kuptoj se edhe lëkura e Tij s'mund t'i shpëtoj verdiktit të Gjykatës Speciale.

- Humbja e pozicionit të lidershipit në kuadër të Dialogut me Serbinë, dhe izolimi ndërkombëtar që ndjenë në lëkuren e Tij në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht në Bruksel, Berlin, Paris e Uashington, që nga momenti i publikimit të aktakuzës së pakonfirmuar nga ana e Prokurorit Special dhe deri sot, e bënë z. Thaçi një figurant në krye të presidencës, ditët e të cilit në këtë zyrë mund të jenë të numëruara nga efekti i Gjykatës Speciale, fakt ky që rëndon gjendjen reale të Presidentit, tanimë me një autoritet të zbehur dhe të venitur dukshëm.

- Diskursi i Qeverisë Hoti, ngritë besimin dhe shpresën qytetare për një Kosovë normale, të zhvilluar ekonomikisht dhe në procese integruese si partner kredibil i aleatëve strategjik siç është BE dhe SHBA, dhe në luftë kundër krimit dhe korrupsionit galopant që ka pllakosë vendin në kohen e keq-qeverisjes së PRONTO Qeverisë-Thaçi, në anën tjetër; shihet si rrezik për shtetëkapësit, oligarkët e aseteve nacionale dhe ish "komandantet", e kthyer në padron të fateve të vendit dhe të qytetarëve të Kosovës, për çfarë reagimi i tyre, përfshi edhe këtë të fundit, ka edhe dimensionin e kundërshtimit të çdo suksesi të munguar më parë, qoftë duke rënë edhe në kundërshtim me vetën dhe konstruktet personale siç është Asociacioni”, ka cilësuar Bajraj për “Bota sot”.

Bajraj: Thaçi, notues i ujërave të turbullta...!

Sipas tij, po kundërshtojnë proceset pozitive të vendit, sikurse rasti i Asociacionit, i ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare dhe tanimë detyrim i shtetit të Kosovës, si shtet serioz me një qeveri dhe Kryeministër të përgjegjshëm.

“Mbijetesa në politikë e Thaçi, determinohet nga "notimi" në ujëra të turbullta, nga proceset e derivuara nga krizat dhe skandalet, nga momentet e ngërçeve dhe të amullisë, në të cilat, Z. Thaçi, di të imponohet edhe me çmimin e regresit dhe të degradimit, vetëm që emri i Tij të "shkruhet" si meritor dhe shpëtimtar.

Kështu u soll që nga Rambuje, Paris, Vjenë, Bruksel e deri në synimin e ngelë në tentativë me rastin e takimit të Uashingtonit të cilin i'a ndërpreu Prokurori Special i Dhomave të Gjykatës Speciale me seli në Hagë.

Presidenti Thaçi dhe opozita destruktive anti-shtetërore (LVV & PDK), për interesa meskine-pushteti, dhe nga frika se kurorëzimin e shtetëbërjes së Kosovës, do ta bënë ajo forcë politike, e cila edhe kishte filluar tri dekada më parë, luftën për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, pra LDK-ja e Ibrahim Rugovës, të tmerruar nga ky fakt, dalin dhe kundërshtojnë proceset pozitive të vendit, sikurse rasti i Asociacionit, i ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare dhe tanimë detyrim i shtetit të Kosovës, si shtet serioz me një qeveri dhe Kryeministër të përgjegjshëm”, ka potencuar Bajraj për “Bota sot”.

Më tej, ai ka theksuar se Asociacioni, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë produkt i PDK-së, dhe se po përpiqen  t'ia atribuojnë LDK-së.

“Asociacioni, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale, janë produkt i PDK-së, PRONTO-SHIK-iste dhe të njëjtat përpiqen paturpësisht t'ia atribuojnë LDK-së dhe lidershipit të saj në krye të Qeverive; Mustafa dhe Hoti.

Për konstruket vetanake akuzojnë LDK-në, dalin hapur kundër konstrukteve në fjalë derisa LDK-ja të jetë në krye të qeverisjes, dhe të njëjtat konstrukte, i marrin si trofe, sa herë që këto të fundit  mbushin "hambarët" me vota të qytetarëve. Dialogu me Serbinë, për marrëveshje reciproke, në Bruksel e në Uashington, nuk ka bisedime teknike, por konturim të draftit për njohje, ku s'ka marrëveshje dhe dakordim për asgjë, derisa s'ka njohje reciproke, e cila presupozon; Kosovën unitariste dhe me integritet e sovranitet të plotë në kufijtë e 17 shkurtit 2008”, ka thënë ai.

Bajraj ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Hoti, do mbroj Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se nuk mund të nuk mund të shantazhohen.

“Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Hoti, do ruaj dhe mbroj Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe shtetësinë e saj, në të gjitha tavolinat dhe akceset integruese europerendimore dhe veri-atlantike, sikurse ; do të respektoj pa mëdyshje dhe në mënyrë të përgjegjshme, obligimet dhe detyrimet ndërkombëtarë si pasojë dhe konsekuencë e kontraktimit dhe ratifikimit të tyre në tempullin e demokracisë parlamentare, në shtëpinë e përfaqësuesve të Sovranit, në Parlament. Shteti dhe shtetëndertimi, nuk duhet t'u besohet dhe lihet në dorë, atyre që lëpijnë atë që paturpësisht pështyjnë, ngase kështu dëmtohet serioziteti dhe konsistenca e institucioneve dhe vetë shtetit të Kosovës. Qeveria Hoti dhe Kryeministri i Kosovës, nuk mund të shantazhohen dhe bien pre e egocentrizmit të atyre që mendojnë së LDK-në, mund t'a përdorin si trampolinë ngritjeje, për ëndërro të sëmura karrieriste në njërën anë, por as nga ata të cilët me diskursin politik dhe publik, duan ta kërcënojnë LDK-në, që kjo e fundit t'i nënshtrohet atyre të cilët përmes pushtetit, synojnë shpëtimin e lëkurës së tyre në politikë dhe jashtë grilave për krimet e pretenduara dhe të cilat presin verdiktin nga Drejtësia”, ka deklaruar Bajraj për “Bota sot”.

Në fund, Bajraj ka thënë se kjo konsistencë shtetëformuese dhe shtetëndertuese e LDK-së dhe e Kryeministrit Hoti, nuk do të ndryshoj.

“LDK-ja, si asnjë subjekt tjetër në vend, në mbi tri dekada jetë dhe veprimtarie politike në dobi të kombit & atdheut, interesin nacional dhe shtetëror të Dardanisë Antike-Kosovës, gjithmonë e ka vënë para interesit partiak e pushtetar, gjë që, z. Thaçi dhe nomenlklatura e Tij "politike", ngjizje kjo; nga parapolitika dhe nëntoka, gjithmonë kanë promovuar të kundërtën ; pra të gjitha, gjithçka dhe me çdo çmim, në shërbim të pushtetit të tyre dhe ruajtjen e tij me çdo kusht. Kjo konsistencë shtetëformuese dhe shtetëndertuese e LDK-së dhe e Kryeministrit Hoti, nuk do të ndryshoj dhe nuk do t'i nënshtrohet asnjë shantazhi e kërcënimi nga cili do dhe me asnjë çmim, e lëre më nëse kundërshtarët e projektit nacional : Kosova shtet sovran dhe demokratik, "frikësojnë" LDK-në, me Mocion mosbesimi dhe shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nga ky pretendim, duhet të heqë  dorë z. Thaçi dhe gjithë tjerët, duke u rreshtuar dhe subordinuar Kryeministrit Hoti, si shef i Dialogut dhe i proceseve aktuale nëpër të cilat po kalon vendi ynë, po qëse duan të provojnë t'a ndihmojnë vendin në këto kohë kruciale për fatet tona, në të kundërtën, bëhen palë me kundërshtarët e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, njësoj sikur Serbia”, ka përfunduar Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat